Gjatë një derbi Tirana-Partizani

Opinion

Analiza/ Eduard Zaloshnja: Derbi gjithnjë përtej futbollit…

25 Tetor 2021, 14:33| Përditesimi: 25 Tetor 2021, 14:38

  • Share

Para ca kohësh, zhvillova një sondazh me tifozë e dashamirës të Tironës në lidhje me ndryshimin e emrit zyrtar të klubit (nga “KF Tirana”, në emrin origjinal të klubit, “KF Tirona”). Nga ai sondazh rezultoi se 99% e tifozëve/dashamirësve të Tironës duan që klubi i tyre të quhet zyrtarisht “KF Tirona”, siç quhet “AC Milan” bazuar në dialektin milanez, e jo “AC Milano”  (https://realstory.al/sondazhi-i-zaloshnjes-99-1-e-tifozeve-duan-emrin-kf-tirona/ ).

Por një pyetje tjetër në sondazh (që nuk e publikova atëherë) ishte se për kë votonin rregullisht të anketuarit. Nga ajo pyetje rezultoi se 91% e tifozëve/dashamirësve të Tironës kanë votuar rregullisht për PD-në. Edhe Lazio, që njihet si klubi me tifozerinë më të djathtë në Europë, nuk mund të ketë një përqindje kaq të lartë përkrahësish të djathtë…

Po pse kaq e djathtë tifozeria e Tironës? Rrënjët e këtij fenomeni duhen kërkuar tek derbi Tirona-Partizani…

Deri në mesin e shekullit të kaluar, nuk mund të flitej për derbi në kryeqytet. Para Luftës së Dytë Botërore, Partizani nuk ekzistonte, dhe Tirona ishte klubi absolut në kryeqytet e pothuaj në të gjithë vendin. Pas luftës, Partizani u krijua (nën shembullin e Partizanit të Beogradit) si klub i Ushtrisë Popullore të asaj kohe. Dhe çdo talent i klubeve të tjera thirrej në shërbim të detyruar ushtarak, e detyrohej të luante për Partizanin. Në ato kushte, Tirona (që qeveria komuniste ia kishte vënë emrin “Puna”) nuk kishte shans të krijonte një ekip me talentet e saj (që ia rrëmbente Partizani, e më vonë Dinamo e Ministrisë së Brendshme).

Por në fillim të viteve ’60, një grup i talentuar futbollistësh të rinj u rikthyen tek Tirona pas shërbimit të detyruar ushtarak, dhe rivaliteti i derbit filloi (Panajot Pano ishte i vetmi ndër ata talente, që nuk u kthye tek Tirona). Për futbollistët dhe tifozët e Tironës, derbi nuk ishte më thjesht një sfidë futbollistike, por edhe një sfidë e heshtur politike… Djemtë e talentuar të Tironës, që nuk i kishin pranuar favoret afatgjata që ofronte një klub ushtarak si Partizani, e sfiduan me sukses atë (si edhe Dinamon e Ministrisë së Brendshme), duke u shpallur kampionë absolutë për 5 vjet rresht (një vit ia hoqi kampionatin FSHF-ja dhe ia dha Dinamos së vendit të tretë…).

Qysh atëherë, sado kanë ndryshuar situatat në Shqipëri, derbi ka mbetur një sfidë jo vetëm fubollistike, por edhe politike. Siç e ilustron edhe sondazhi i sipërcituar…

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?