Deri kur të mos na interesojnë më fare emra ministrash...

4 Shtator 2023, 16:08| Përditesimi: 4 Shtator 2023, 16:36

  • Share

Nga Asambleja e Partisë Socialiste dhe nga çdo Asamble partish në përgjithësi, nuk duhet të na interesojnë më emrat që shkojnë e vijnë. Ndërsa Shqipëria është futur në shinat e punës për përmirësim, për ndryshim, fokusi i një shoqërie duhet të përqëndrohet në identifikimin e politikave që janë më të suksesshme deri më tani dhe të braktisë ato të pavlefshmet, apo të dëmshmet për të.

Nëse “shqetësimi” vërtitet në atë që Edi Rama do t’u bëjë të tijëve, nëse disa do të gëzohen apo trishtohen se në qeveri do të jetë apo nuk do të jetë më Manastirliu apo Balluku, apo Kushi, apo Kumbaro ... është mirë që çdo hallkë e shoqërisë, sidomos ajo vendimmarrëse dhe opinionbërëse, të bëjë analiza të vërteta nëse shqiptarët sot po jetojnë më mirë dhe a ndjehen më të gëzueshëm në shtëpinë e tyre me emrin Shqipëri?

A kemi një shëndetësi që ofron shëndet të mirë për qytetarët, apo shëndetësi që mezi pret të presë fatura me ilaçe për sëmundjet që shtohen në recetat e mjekëve të familjeve?

A kemi një mjedis që sa vjen e harmonizohet me aktivitetet e njeriut, apo menaxhime plehrash urbane që fshehin “nën dyshek” si ndotjet, ashtu dhe pasuritë e disave?

A bëmë turizmin e mikpritjes dhe të “mirëardhshi” stinën tjetër, apo kënaqemi me shkëlqimet e revistave të patinuara që sollën njerëz nga e gjithë bota që me dëshirë do të rikthehen?

A po mësojnë siç duhet fëmijët e të rinjtë në shkollat plot ngjyra, apo shkëlqimi i tyre fsheh mjerimin dhe mungesat e një diturie të ndershme, të qëndrueshme dhe të shëndetshme?

Familja, të moshuarit, pensionistët, a ka për ta një të ardhme bashkë apo pranë me njerëzit e dashur, apo edhe në një vend të vogël si Shqipëria kush ka nisur ta shohë biznesin e të ardhmes në shtimin e shtëpive të pleqve?

Pastaj ushqimet? A do të vazhdohet t’u jepet hapësirë çdo sjellje grosistësh të importit, apo nëpër dyqanet e lagjeve apo supermerkatet do të marrin dita ditës më shumë vend produktet shqiptare?

A do të jetë Shqipëria në vitet e ardhshme, vendi i zemrës së butë, i mirësjelljes, i gatishmërisë për të ndihmuar më të brishtët, apo silikoni, gara për ndërhyrje estetike, të ndërthurura me arrogancë e mendjemadhësi jashtë çdo përmase do të na mbijnë para syve sikur të jemi në një bollivud Tirane?

Prandaj, për asnjë shqiptar nuk duhet të kenë rëndësi emrat e një qeverie, apo të një partie në opozitë.Siç nuk ka fare rëndësi nëse PD do të vazhdojë të ekzistojë me Bashën, Bardhin apo Berishën, por si do të ekzsitojë dhe çfarë mund t'i ofrojë Shqipërisë. Vetëm faktet, puna dhe rezultatet, janë matësit e gjithëçkaje. Jo emra ministrash, që shkojnë e vijnë.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?