Memorie.al publikon dëshminë e familjarëve të Hasan Dostit, ish-eksponentit kryesor të organizatës nacionaliste Balli Kombëtar gjatë viteve të Luftës dhe kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” të SHBA-ve, të cilit më 16 nëntor të vitit 1944, forcat gjermane i ekzekutuan bashkëshorten dhe vëllanë. Si ndodhi incidenti në shtëpinë ku banonin Dostët në fundin e rrugës së Kavajës, përse gjermanët hynë në atë shtëpi dhe si shpëtuan gjallë pjestarët e tjerë të familjes? Ngjarja e panjohur e rrëfyer nga Viktor Dosti i cili tregon me emra dhe personat e tjerë, komshitë e tyre që u ekzekutuan nga forcat gjermane në momentet e fundit të tërheqjes së tyre nga kryeqyteti si dhe ngjarja në Kishën Katolike të Tiranës ku Padër Mëshkalla shpëtoi me qindra qytetarë që ishin futur aty për t’u fshehur nga gjermanët…
“Pasi pashë xhaxhanë tonë, Kutbiun, që ra i vdekur në oborr, unë u futa menjëherë në lavanderinë e shtëpisë dhe po mundohesha që të nxirrja nga flakët e zjarrit, komshiun tonë, Kujtim Libohovën (Ismailati), i cili ishte njëri nga djemtë e asaj shtëpie ku banonim ne me qera. Duke menduar se gjermanët i kishin vrarë të gjithë njerëzit e shtëpisë, unë u ngjita sipër në mes flakëve të zjarrit duke kontrolluar nëpër dhoma. Në dhomën që ishte studio e babait, gjeta të vrarë nënën tonë, Fetijen, e cila ishte goditur nga një breshëri plumbash, diagonal me kraharorin. Me vështirësi të madhe unë e ngrita nënën nga cepi i dhomës dhe e vura në një shtrat”. Kështu e kujtonte atë ngjarje të largët të ndodhur plot 75 viteve më parë, në 16 nëntorin e vitit 1944, djali i madh i Hasan Dostit, Viktori, lidhur me forcat gjermane që po tërhiqeshin nga Tirana, të cilat bënë raprezalje në shtëpinë ku banonin ata asokohe, në Rrugën e Kavajës. Lidhur me atë ngjarje, të cilën familja Dosti nuk mund ta harrojë lehtë, pasi ata humbën dy nga njerzit më të dashur të familjes (nënën dhe xhaxhanë e tyre), na njeh intervista e z. Viktor Dosti, të dhënë për ne pak kohë para se ai të ndërronte jetë.
Zoti Viktor, ku ka banuar familja juaj në nëntorin e vitit 1944, kur gjermanët ju pushkatuan nënën dhe xhaxhanë?
Familja jonë ka banuar në shtëpinë e Agjah Libohovës, e cila ndodhet edhe sot në Rrugën e Kavajës, përballë Kishës Katolike. Juristi i njohur Agjah Libohova, ish-kryetar i Gjykatës së Diktimit (Gjykata e Lartë) në periudhën e Monarkisë së Zogut dhe atë të pushtimit italian, kishte qenë mik i ngushtë i babait tonë, Hasan Dostit, dhe nisur nga fakti se ne nuk kishim pasur asnjëherë shtëpi në Tiranë, banonim tek ai provizorisht si qiraxhinj. Në atë shtëpi, e cila ishte dykatëshe me kopsht dhe me bodrum, ne banonim bashkë me familjen e Agjah Libohovës, i cili kishte disa vjet që kishte vdekur. Familja jonë atë kohë përbëhej prej dhjetë vetash dhe pas xhaxhait tonë, Kutbiut (ish-arsimtar), i cili në atë kohë ishte 36 vjeç, unë isha më i madhi nga burrat, (19 vjeç), pasi babai ynë, Hasani, ishte larguar nga Shqipëria pak ditë më parë.
Si e kujtoni ngjarjen e ekzekutimit të nënës dhe xhaxhait tuaj nga gjermanët?
Ka qenë 16 nëntori i vitit 1944 dhe ato ditë forcat gjermane ishin duke u tërhequr nga Tirana për në drejtim të Veriut të Shqipërisë. Shtëpia ku banonim ne ishte ngjitur me Rrugën e Kavajës (vetëm një kopsht i vogël e ndante) dhe nga dritaret e saj ne shikonim forcat gjermane që tërhiqeshin, duke kaluar aty me makina të blinduara, tanke, autoblinda, karroca dhe më këmbë. Kishte dy-tre ditë që ne shikonim aty forcat gjermane që kalonin pa pushim, pasi pak më poshtë (te Zogu i Zi, ku ndodhej Centrali Elektrik i Tiranës) ishte një postë e gjermanëve, ku ata ndalonin dhe organizoheshin për të lëvizur më pas drejt Veriut të vendit. Ato dy-tre ditë gjermanët kalonin lirisht aty në Rrugën e Kavajës pa u shqetësuar nga asnjeri, pasi forcat partizane akoma nuk ishin futur deri aty.
Po në rrugë dhe lagje të tjera të Tiranës, a zhvilloheshin luftime ato ditë në mes partizanëve dhe gjermanëve?
Krisma armësh dëgjoheshin nga të katër anët, por aty në Rrugën e Kavajës ku banonim ne, nuk kishte luftë. Të paktën ne nuk kemi parë dhe as nuk kemi dëgjuar të luftohej ato ditë aty. Nuk mund të them me siguri në ka pasur luftë në lagje dhe rrugë të tjera të Tiranës, pasi ne nuk dilnim nga shtëpia ato ditë, pikërisht për t’u ruajtur nga krismat e plumbave që dëgjoheshin gjithandej. Megjithatë, ne kishim dëgjuar se që në ditët e fundit të tetorit, kishte filluar lufta për çlirimin e Tiranës dhe aviacioni aleat anglo-amerikan, kishte goditur ato ditë një autokolonë gjermane në Mushqeta, duke i shkaktuar asaj humbje të shumta në njerëz e materiale.
Të kthehemi te dita e 16 nëntorit, kur gjermanët ju vranë nënën dhe xhaxhanë.
Atë ditë në mëngjes, aty rreth orës 9.00, në qiellin e Tiranës u pa një avion luftarak që po largohej në drejtim të Veriut. U fol se aty ishte komandanti i garnizonit gjerman të Tiranës, Lederer, i cili po largohej pas urdhrit të marrë nga Berlini. Pas kësaj ore, duke menduar se do të kishte bombardime, familja jonë, bashkë me atë të Agjah Libohovës, u futëm në bodrumin e shtëpisë për t’u mbrojtur nga ndonjë plumb që mund të vinte. Aty rreth drekës, kur ne, dy familjet, ndodheshim ende në bodrum dhe ishim ulur për të ngrënë bukë, në një moment dëgjuam shpërthimin e derës, krisma automatiku nëpër shkallë dhe britma në gjuhën gjermane. Pas këtij momenti, disa gjermanë që shpërthyen derën, u futën në bodrumin ku ndodheshim ne dhe duke na bërtitur na nxorën jashtë me forcë të gjithëve. Në atë moment që dolëm jashtë, nëna jonë, Fetija, ishte shumë e shqetësuar dhe njëri prej ushtarëve gjermanë mori një karrige dhe e uli aty për ta qetësuar.
Gjermanët edhe erdhën duke ju qëlluar me automatik, dhe ju qetësonin duke ju ulur nënën në karrige…?!
Duket e pabesueshme, por ashtu ndodhi vërtet. Në këtë kohë unë i’u drejtova ushtarëve gjermanë, duke i pyetur se cili dinte të fliste frëngjisht apo italisht. Ndërkohë, doli një ushtar gjerman, që me një frëngjishte të dobët më tha: “Me urdhër të komandantit, i kemi vënë zjarrin shtëpisë, por ju, me t’u larguar ne, mundohuni ta shuani zjarrin. Unë vetë nuk jam gjerman, jam nga Alzasë-Lorena (zonë e diskutuar në mes Francës e Gjermanisë) dhe gjithë familja ime është vrarë. Por ju mos u dëshpëroni, se lufta i ka këto, ne kemi urdhër për të djegur gjithë Tiranën”. Ndërsa unë po flisja me ushtarin gjerman, i cili më la të lirë të ikja që andej, shokët e tij i kishin rreshtuar pas murit dy familjet tona dhe po bëheshin gati për t’i qëlluar. Por për fat të mirë, ndërsa gjermanët u larguan nga shtëpia jonë pa i qëlluar, unë u ngjita menjëherë në katin e dytë, duke u munduar të shuaja zjarrin. Merakun më të madh e kisha të shpëtoja bibliotekën, e cila ende nuk kishte marrë flakë, por nuk arrita të nxirrja shumë libra jashtë, pasi nuk më linte tymi. Ndërsa unë përpiqesha të fikja zjarrin sipër në katin e dytë, nga poshtë më thërritën që të ulesha, duke më thënë se aty kishte ardhur një grup tjetër gjermanësh. Unë zbrita menjëherë poshtë dhe aty një gjerman më kapi përnjëherë për krahu e më mbështeti për muri. Pas kësaj ai bëri disa hapa pas, duke më drejtuar automatikun gati për të më qëlluar.
Çfarë ndiet në ato çaste?
Unë e shikoja atë drejt e në sy dhe thosha me vete se ku e gjente ai njeri të drejtën për të më vrarë. Mua nuk më besohej se një plumb i vogël i dalë nga gryka e automatikut të atij ushtari gjerman mund të më merrte jetën. Isha hutuar dhe nuk ndieja frikë se po vdisja, por pyesja veten se për çfarë më vinte më shumë keq. Çuditërisht më vinte keq jo për familjen, por që po ndahesha nga shokët. Si duket gjermani e kuptoi se çfarë po mendoja unë dhe nuk më qëlloi, por pasi përplasi automatikun dy herë te gjunjët e tij, u largua duke bërtitur me të madhe në gjuhën e tij. Ndërsa ai po largohej, në oborr ndeshi me xhaxhanë tim, Kutbiun, të cilin, pasi i rrëmbeu sahatin e xhepit duke ia shkulur nga zinxhiri, e qëlloi me breshëri automatiku duke e lënë të vdekur në vend. Në këtë kohë dëgjova ulërimat e njerëzve të shtëpisë. Pas breshërisë së automatikut dhe ulërimave, pllakosi heshtja.
Çfarë bëtë ju pas vrasjes së xhaxhait dhe ku ndodheshin njerëzit e tjerë të familjes?
Pasi pashë xhaxhanë që ra i vdekur në oborr, unë u futa në lavanderinë e shtëpisë dhe po mundohesha që të nxirrja nga flakët e zjarrit djalin e shtëpisë, Kujtim Libohovën (Ismailati). Duke menduar se ishin vrarë të gjithë njerëzit e shtëpisë, unë u ngjita sipër në mes flakëve duke kontrolluar nëpër dhoma. Në dhomën që ishte studio e babait, gjeta nënën tonë, Fetijen, e cila ishte goditur nga një breshëri plumbash diagonal me kraharorin. Me vështirësi të madhe unë e ngrita nga cepi i dhomës dhe e vura në një shtrat. Ndërsa po kontrolloja për të tjerët, dola jashtë ashtu i shkujdesur pa menduar se çdo të ndodhte. Në fund të oborrit, pas një kompensate, ishin fshehur dy motrat e mia (Tefta dhe Veronika), si dhe nëna e motra e Kujtimit. Në atë kohë pashë se nga breshëritë e gjermanëve kishte mbetur i vrarë edhe daja i familjes Libohova, Namik Jusufati. Ndërkohë, gjermanët që ishin ende në oborrin e shtëpisë sonë, dogjën edhe shtëpinë përkarshi nesh, të Fejzi Alizotit, ku banonte me qira familja e Zenel Prodanit. Në atë moment unë bëra me vrap për nga porta e oborrit, me mendimin për të dalë në anën tjetër të rrugës, te Kisha Katolike, por ndala aty te dera, pasi pashë tankun gjerman në rrugë. Aty në rrugë, ngjitur me portën e oborrit tonë, ndodhej një barrikadë, të cilën e kishin ngritur populli me simpatizantët e Lëvizjes Antifashiste, për të penguar tërheqjen e gjermanëve. Gjermanët hynin e dilnin në oborrin e shtëpisë sonë, që vazhdonte të digjej, dhe u larguan vetëm në të errur. Kur dëgjuam zhurmën e tankut që u largua nga rruga, ne dolëm prej aty ku ishim fshehur dhe u futëm përsëri në bodrum, ku kaluam të gjithë natën deri në mëngjes. Aty në bodrum unë pashë se edhe motra e vogël, Veronika, ishte plagosur në brinjë nga një plumb dhe vazhdonte t’i rridhte gjak. Të nesërmen paradite më 17 nëntor, unë mora motrën 6-vjeçare dhe shkova për ta mjekuar te doktor Theodhosi, mjeku i familjes sonë, që e kishte shtëpinë aty ku sot është rruga “Mine Peza”. Gjatë rrugës më ndaluan dy partizanë dhe më pyetën se ku po shkoja. Po atë ditë ne i varrosëm të tre të vrarët në një cep të oborrit dhe pas dy javësh i nxorëm përsëri që andej dhe me një karrocë i çuam e i varrosëm te Varri i Bamit.
Vetëm në shtëpinë tuaj bënë raprezalje gjermanët, apo dhe në shtëpitë e tjera të Rrugës së Kavajës?
Të nesërmen më 17 nëntor, kur gjermanët ishin larguar përfundimisht nga Tirana, ne mësuam se ata kishin bërë raprezalje edhe në shtëpitë e tjera të Rrugës së Kavajës. Ata kishin vrarë dhe shokun tim të klasës, Viktor Bisha (djali i gjykatësit e prokurorit të njohur Kiço Bisha), të cilin e kishin ekzekutuar në sy të nënës e motrave. Po kështu, më kujtohet se në momentin që unë kisha hipur në katin e dytë për të shuar zjarrin, i pashë vetë gjermanët që u futën në Kishën Katolike përballë nesh, e cila ishte mbushur plot me qytetarë që ishin futur aty për t’u mbrojtur. Atë ditë ne mësuam se ata i shpëtoi nga pushkatimi Patër Mëshkalla, gjë që ai na e konfirmoi vite më vonë, kur ishim bashkë në burg. Para se të hynin në kishë, gjermanët i kishin marrë me radhë të gjitha shtëpitë e asaj rruge duke bërë raprezalje. Të gjitha ato gjermanët i bënë në shenjë hakmarrjeje ndaj humbjeve që pësuan në Mushqeta dhe nga goditjet që u bënin partizanët ato ditë kur po tërhiqeshin nga Tirana.
Pas mbarimit të Luftës, a u interesua njeri për atë ngjarje dhe a u tentua për t’i shpallur ata dëshmorë të atdheut?
Të nesërmen më 17 nëntor, në shtëpinë tonë erdhi një person i cili na pyeti mua dhe Kujtim Libohovën për ngjarjen që kishte ndodhur. Por, nisur nga fakti se menjëherë pas mbarimit të Luftës familja jonë përfundoi burgjeve dhe internimeve, as që bëhej fjalë që xhaxhai dhe nëna të shpalleshin dëshmorë.
“Oficeri gjerman, Lyning, më kërkoi falje në burgun e Tiranës”
Dëshmia e Viktor Dostit, për nazistin që kishte luftuar në kryeqytet
Pas ngjarjes së 16 nëntorit 1944, kur forcat gjermane që tërhiqeshin nga Rruga e Kavajës pushkatuan nënën dhe xhaxhanë e Viktor Dostit, një tjetër ngjarje e cila i ka mbetur në mendje dhe i ka lënë shumë mbresa djalit të madh të familjes Dosti, është ajo e ndodhur në burgun e Tiranës në vitin 1945. Lidhur me këtë Viktori kujtonte: “Në atë kohë unë ndodhesha në Burgun e ri të Tiranës (sot burgu 313), pasi së bashku me një grup shokësh, si Petrit Toto, Islam Lleshi, Bujar Doko, Adem Petrela etj., akuzoheshim për pjesëmarrje në organizatën e Rinisë së Ballit Kombëtar gjatë periudhës së Luftës. Në atë burg ku ishim ne, mes qindra të burgosurve të tjerë, ndodheshin edhe disa ushtarë dhe oficerë gjermanë, të cilët ishin kapur rob nga forcat partizane gjatë tërheqjes së tyre nga Shqipëria në fundin e vjeshtës të vitit 1944. Mes atyre gjermanëve, ishte dhe një djalë i ri shumë simpatik me tipare karakteristike prusiani, i cili quhej Hans Luning. Edhe pse thoshte se kishte qenë një oficer i thjeshtë gjatë Luftës, në të vërtetë Hansi nuk kishte qenë ashtu siç pretendonte, pasi ai kishte marrë pjesë edhe në betejën e Stalingradit, ku kishte dëmtuar edhe syrin e majtë. Sidoqoftë, ne e konsideronim atë thjesht një të burgosur si gjithë gjermanët e tjerë dhe kishim zënë një miqësi shumë të madhe me Hansin, i cili më shumë shoqërohej dhe e kalonte kohën me grupin tonë sesa me bashkatdhetarët e tij. Po kështu, nisur nga fakti se ai nuk kishte asnjë ndihmë nga jashtë, vetëm nga grupi ynë pranonte të merrte ndonjë ushqim apo ndonjë veshje që na e sillnin familjet. Në atë kohë ishte dimër dhe unë mbaja veshur një pallto të madhe, te jaka e së cilës kisha vënë një shirit të zi, si shenjë zie për nënën dhe xhaxhanë që më kishin vrarë gjermanët një vit më parë. Hansit i kishte bërë përshtypje ai shirit i zi në jakën e palltos sime dhe kishte pyetur shokët e mi, duke u thënë: “Çfarë i ka ndodhur Viktorit”. Pasi ata i kishin treguar të gjithë ngjarjen, Hansi gjeti rastin një ditë kur unë isha duke shëtitur në korridor dhe më doli përpara duke marrë qëndrimin “gati-tu”. Pas kësaj, ai më nderoi ushtarakisht dhe duke më zgjatur dorën, më tha: “Viktor, të faleminderit shumë për qëndrimin dhe sjelljen tënde ndaj meje. Ata që të vranë nënën, xhaxhanë, dhe të plagosën motrën e të dogjën shtëpinë, kanë qenë shokët e mi. Edhe një herë faleminderit shumë”. Kështu m’u shpreh ish-oficeri gjerman Hans Luning, aty në burgun e Tiranës, i cili me ato fjalë sikur donte të merrte mbi vete përgjegjësinë për atë fatkeqësi që më kishte ndodhur mua në ditën e fundit të largimit të shokëve të tij nga Tirana. Disa vjet më vonë, kur të burgosurit gjermanë po i largonin nga Burgu i Ri i Tiranës, Hansi m’i dha mua të gjitha dekoratat që ai i ruante me kujdes, të cilat na humbën gjatë kontrolleve të shumta që na bëheshin në kampe e burgje. Edhe pse kanë kaluar gati 60 vjet nga ajo kohë, fjalët e tij më kanë mbetur ende në mendje dhe nuk do ta harroj kurrë atë njeri, për të cilin ruaj kujtime dhe respekt të thellë”./Memorie.al
“Balli Kombetar” ishte nje krijim Anglez per tu sherbyer interesave te tyre ne fillim kunder se majtes komuniste qe po perparonte me shpejtesi dhe me hapjen e frontit te dyte,kunder Gjermanise ,Ballit i u dha urdheri me vra gjermane. Mbas si mbaroi lufta ,Anglezet i thane Bye Bye Ballit sepse interesat Anglo- Amerikane ishin per Grqine dhe Jugosllavine te mbaheshin djathtas. Shqiptaret po nuk kuptuan se strategjikisht duhet jene te bashkuar per te rritur pazarin dhe te lidhen fort me Italine ,Gjermanine dhe Turqine,ndryshe vetem vuajtja dhe zhdukja i pret.
Përgjigju