Memorie.al publikon historinë e panjohur të profesor Miftar Spahija, me origjinë nga Kolesjani i Kukësit, i cili u arratis nga Shqipëria që më 1946-ën dhe e kaloi të gjithë jetën si azilant politik në SHBA ku dhe morri titullin profesor duke dhënë mësim në Mansfield University të Pannsylvanias. Si u stërvit ai dhe shqiptarët e tjerë të arratisur në Llavros të Greqisë nga koloneli britanik Hill, kush ishin kosovarët që u dërguan me misione në Shqipëri dhe njerzit e Sigurimit të Shtetit që penetruan aty në mes eksponentëve antikomunistë….
Gjatë kohës që ne ndodheshim në kampet e Greqisë të cilat ishin hapur në bashkëpunim me aleatët anglo-amerikanë për azilantët poltikë të vëndeve të Europës Lindore, mërgata antikomuniste shqiptare u organizua prej britanikëve për futjen e grupeve të ndryshme diversioniste në Shqipëri. Të gjitha ato u bënë me mbështetjen e kolonelit britanik Hill, i cili shërbente pranë ambasadës angleze në Athinë. Unë personalisht jam takuar disa herë me Hillin në vitet 1950-‘51, kur ai vinte shpesh në kampin e Llavrosit dhe interesohej për të gjetur njerëz pranë mërgatës politike shqiptare që ishin në atë kamp, me qëllim për t’i nisur me mision në Shqipëri. Koloneli Hill na kërkonte bashkëpunim dhe ne ishim dakord për të dërguar grupe në Shqipëri.
Për të realizuar këtë gjë ne u lidhëm me Baz Kupin që ishte në Romë”. Kështu i nis dëshmitë e tij, Miftar Spahija me banim në Nju Xhersi të SHBA dhe me origjinë nga Kolesjani i Kukësit, të cilat na i ka dhënë pak muaj para se të ndahej nga jeta, gjatë vizitës së tij të fundit tek të afërmit në Shqipëri. Në dëshmitë e tija, professor Spahia tregonte të gjitha ngjarjet se si i ndihmuan anglo-amerikanët emigrantët politikë shqiptarë në vitet 1945-1953 në Greqi e Itali, për t’u organizuar e ndërhyrë në përmbysjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Po kush është Miftar Spahija, cila është e kaluara e tij dhe çfarë dëshmonte ai për mërgatën politike shqiptare në emigracion? Lidhur me këtë, na njeh intervista ekskluzive e tij të cilin po e botojmë të plotë.
Zoti Miftar, pasi u larguat nga Shqipëria dhe u vendosët në kampet e Greqisë, a diskutonit ndonjëherë me krerët e tjerë nacionalistë për arsyet që ju humbët luftën dhe pushteti ra në duart e komunistëve?
Gjatë asaj kohe me krerët kryesorë nacionalistë, si Muharrem Bajraktari etj., ne diskutonim shpesh për politikë dhe të gjithë e pranonim në heshtje faktin se komunistët e fituan luftën në Shqipëri, për arsye se krerët e Veriut ishin të përçarë dhe forcat komuniste të Enver Hoxhës hynë në ato zona pa ndonjë rezistencë të madhe. Po kështu, në heshtje, pranohej fakti se Jugu i Shqipërisë mbajti peshën më të madhe të luftës kundër komunistëve.
Po për Enver Hoxhën a diskutonit dhe cili ishte mendimi i krerëve nacionalistë për figurën e tij?
Edhe për Enver Hoxhën diskutonim dhe të gjithë ishim të një mendimi, duke e vlerësuar njeri shumë negativ. Që në atë kohë ne të gjithë ishim të mendimit se Enver Hoxha ishte njeri në shërbim të sllavëve.
Po për Partinë Komuniste Shqiptare, në përgjithësi, cili ishte mendimi juaj?
Partia Komuniste e Shqipërisë në opinionin tonë kishte konsiderata tepër negative, pasi dërgoi Shefqet Peçin e Ramiz Alinë në Kosovë. Ajo parti e shiti Kosovën.
Në kampet e Greqisë a vazhduat të merreshit me veprimtari politike, si dikur në Shqipëri?
Në kampin e Llavrosit në Greqi, ku ndodheshin shumë të arratisur politikë shqiptarë, së bashku me Dilaver e Fiqiri Dinen (ish-kryeministër i Shqipërisë në vitin 1944), unë u mora me drejtimin e Lëvizjes së Legalitetit. Fiqiri Dinia kishte korrespodencë të rregullt me anë të letrave me Zogun dhe Hysen Selmanin. Zogu interesohej dhe e pyeste shpesh Fiqiriun për gjendjen që mbizotëronte aty.
Me cilët nga eksponentët nacionalistë shqiptarë vazhduat të mbanit lidhje në kampin e Llavrosit?
Me Muharrem Bajraktarin unë kam pasë marrëdhënie shumë të mira. Po ashtu edhe me gjeneral Prenk Përvizin kam shkuar shumë mirë.
Po me ndonjë eksponent tjetër nacionalist a ke pasur miqësi në atë kohë?
Kur ndodhesha në kampin e Llavrosit kam pasur një miqësi të madhe edhe me Hamit Matjanin. Hamiti nuk ishte ndonjë njeri me kulturë të madhe, por e donin dhe e respektonin të gjithë, pasi ishte shumë i thjeshtë. Hamiti kishte një grup prej 10-15 vetësh, me luftëtarë trima ashtu si veten dhe me ta hynte e dilte disa herë në Shqipëri.
Në kampet e Greqisë, a ka pasur tentativa të mërgatës politike shqiptare për t’u organizuar dhe për të ndërhyrë në Shqipëri?
Ka pasur jo vetëm tentativa por edhe organizime, të cilat u bënë me mbështetjen e kolonelit britanik Hill, i cili shërbente pranë ambasadës angleze në Athinë. Unë personalisht jam takuar disa herë me kolonelin Hill në vitet 1950-‘51, kur ai vinte shpesh në kampin e Llavrosit dhe interesohej për të gjetur njerëz pranë mërgatës politike shqiptare që ishin në atë kamp, me qëllim për t’i nisur me mision në Shqipëri. Hilli na kërkonte bashkëpunim dhe ne ishim dakord për të dërguar grupe në Shqipëri. Për të realizuar këtë gjë ne u lidhëm me Baz Kupin që ishte në Romë.
Kush ishte njeriu që e mbështeti më shumë kolonelin Hill, për formimin e grupeve që do zbarkonin me misione në Shqipëri?
Koloneli Hill gjeti përkrahjen e Asim Jakovës, i cili dinte anglisht, pasi kishte studiuar dhe ishte diplomuar në Robert-Kolezh të Stambollit, në Turqi. Asimi ishte në shërbim të amerikanëve dhe punonte për të mirën e Shqipërisë, duke bërë propagandë antikomuniste. Bashkë me Asimin ishte dhe Mehmet Agë Rashkoci nga Kosova, i cili gjente ndonjë shqiptar dhe ia dërgonte Asimit, që vetë rrinte në Athinë.
A u arrit të formoheshin grupe të tilla që dëshironin të vinin me misione në Shqipëri?
Asimi bashkë me kolonelin Hill dhe amerikanët stërvitën e përgatitën në Kretë e Maltë një grup patriotësh kosovarë, të cilët u futën me misione në Shqipëri. Grupi i kosovarëve, që u krijua nga amerikanët me ndihmën e Asim Jakovës, fillimisht u dërgua në një kamp të Kretës, por një natë ata u sulmuan nga komunistët grekë dhe nga ai sulm mbetën të vrarë 14-15 kosovarë. Pas kësaj ata u detyruan dhe i transferuan në kampin e Llavrosit. Të gjitha grupet e kosovarëve që përgati Asimi u asgjësuan fizikisht në Shqipëri dhe prej tyre mbeti i gjallë vetëm Dali Vila nga Luma.
Pas grupeve të kosovarëve, a u dërguan grupe të tjera në Shqipëri?
Koloneli Hill dërgoi edhe një grup tjetër në Shqipëri, i cili mundi të shpëtonte i gjallë nga ndjekjet e forcave komuniste, vetëm se zbarkoi me anë të detit. Ata u kthyen përsëri në Greqi, pa mundur që të kryenin ndonjë mision, por të paktën shpëtuan kokën.
Sigurimi i Shtetit Shqiptar a kishte penetruar me anë të njerëzve të tij në kampet e Greqisë, ku ndodheshin azilanët politikë antikomunistë?
Sigurimi i Shtetit Shqiptar kishte dërguar tek ne njerëzit e tij dhe në mes të tjerëve kishte dërguar edhe R.A., të cilit komunistët i kishin vrarë vëllanë në Shqipëri. Ne në atë kohë nuk e dinim atë gjë dhe e njihnim për nacionalist, por kur vdiq i gjetëm në kasafortë letra kompromentuese dhe ajo gjë për ne ishte një befasi e pakëndshme. Po kështu, një njeri tjetër që kishim në kampin e Llavrosit ishte një fare…., i cili gjoja interesohej për shqiptarët, por në të vërtetë ai punonte për Greqinë. Nuk e di se si Abaz Ermenji me Petraq Ktonën e Tako Baçin e mbanin afër atë njeri.
Kur ndodheshit në kampet e Greqisë, a kishit informacione rreth situatës në Shqipëri?
Ne kishim pak a shumë dijeni rreth ngjarjeve që ndodhnin në Shqipëri nga njerëzit që arratiseshin dhe vinin atje tek ne në kampe. Kur ishim në Llavros mësuam edhe për Abedin Shehun me origjinë nga Kukësi, që e përjashtuan nga Komiteti Qendror i PPSH-së.
Po gjatë kohës që ishit në Itali a pati organizime për të sjellë në Shqipëri grupe desantësh?
Edhe gjatë kohës që ne ishim në Itali, Blloku Indipendent organizoi disa zbarkime në Shqipëri, me anë të disa njerëzve shumë të mirë si Alush Lleshanaku etj., por të gjithë ata dështuan. Në Itali vazhdoi aktivitetin e tij Komiteti “Shqipëria e Lirë”, por ai komitet nuk kishte asnjë fuqi, pasi gjithçka ishte në dorë të anglo-amerikanëve. Me një fjalë, pa ndihmën e anglo-amerikanëve në Shqipëri nuk mund të bëhej dot asgjë. Shqiptarëve nuk u mbeti asgjë në dorë.
Si i analizonit ju në atë kohë të gjitha dështimet e misioneve që zbarkonin në Shqipëri dhe pamundësinë për të rrëzuar qeverinë komuniste të Enver Hoxhës?
Që kur ishim në Greqi, për gjendjen që mbizotëronte në Shqipëri, ne ua hidhnim fajin anglezëve dhe përçarjes së grupeve nacionaliste shqiptare, që vepronin jashtë. E keqja jonë ishte se komunizmi shqiptar nuk ishte indipendent, por ishte në dorë të serbëve. Nisur nga ky fakt, kur unë ika nga Italia dhe u vendosa në SHBA, u largova tërësisht nga politika dhe iu kushtova historisë dhe letërsisë.
Spahija, “krimineli” i maleve të Kukësit që u bë profesor në universitetet e Amerikës
Miftar Zenel Spahija (Thaçi) u lind më 5 mars të vitit 1914 në katundin Kolesjan të Lumës, në rrethin e Kukësit. Babai i Miftarit është quajtur Zenel Din Spahija; ndërsa e ëma, Kadishe Hysen Osman Muçmata, ka qenë nga fshati Shtiqën i Lumës. Pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, në Kolesjan, Miftari erdhi në Tiranë në konviktin “Vaso Pasha” dhe në vitin 1935 përfundoi mësimet në gjimnazin klasik. Një vit më pas, më 1936, ai kreu një kurs ushtarak në shkollën e plotësimit të oficerëve në Tiranë, duke marrë gradën e aspirantit dhe pas kësaj u dërgua me shërbim në qytetin e Shkodrës, për të stërvitur rekrutët. Në dhjetor të atij viti Miftari përfitoi një bursë shtetërore nga Ministria e Arsimit, për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Letërsi-Filozofisë të universitetit të Torinos, në Itali, të cilin e përfundoi në vitin 1939.
Por nuk arriti ta merrte dot diplomën në degën e Letërsisë, ku studjoi për katër vjet, pasi dy muaj para provimeve të gjithë studentët shqiptarë të atij universiteti u ngritën në revolta e protesta kundër agresionit fashist italian ndaj Shqipërisë dhe, si shkak i kësaj, qeveria italiane i internoi ata në Tripoli të Libisë. Në qershor të vitit 1939 Miftari u kthye në Shqipëri, duke shkuar në vendlindjen e tij në Kolesjan të Lumës, ku nuk arriti të qëndronte shumë, pasi në nëntorin e atij viti Miftari arrestohet përsëri nga italianët dhe sillet në Tiranë për t’u internuar më pas në Itali, në burgjet e Barit dhe të Manfredonjës, pranë ujdhesës së San Nicola di Tremitit, në brigjet e Detit Adriatik. Gjatë periudhës së internimit Miftari i bëri një kërkesë Ministrisë së Brendshme të Italisë, e cila e lejoi atë të jepte provimet e diplomës në Fakultetin e Letërsisë në Torino, të cilat ai i kishte lënë përgjysmë në pranverën e vitit 1939.
Pas marrjes së diplomës me rezultate shumë të larta, Miftari u kthye në vendin e internimit në Tremiti, prej ku u lirua në vjeshtën e vitit 1941. Pas lirimit nga internimi i dytë, Miftari u kthye në Shqipëri dhe Ministria e Arsimit në Tiranë i propozoi që të shërbente si arsimtar ku të dëshironte. Ai zgjodhi Kosovën, ku shërbeu si pedagog në gjimnazin e Prishtinës për një vit shkollor, pasi kontrata ishte njëvjeçare. Në marsin e vitit 1943 atë e emëruan me detyrën e nënprefektit të Rahovecit dhe më pas të Gjilanit, ku qëndroi deri sa u arrestua nga italianët në gushtin e vitit 1943. Pas kapitullimit të Italisë në shtatorin e atij viti, Miftari kthehet në vendlindjen e tij, ku qëndroi për një vit, duke bashkëpunuar ngushtë me forcat nacionaliste që vepronin në Veriun e Shqipërisë.
Në shtatorin e vitit 1944 ai detyrua të arratiset nëpër malet e Lumës, si rezultat i përndjekjes së forcave partizane që po marshonin në ato krahina. Në dhjetorin e vitit 1944 familja e Miftar Spahisë u internua në kalanë e Beratit, ku ndodheshin të internuara edhe shumë familje të tjera nacionaliste nga më të njohurat e Shqipërisë së Veriut. Që në vitin 1944, qeveria komuniste e Enver Hoxhës e futi Miftarin në listën e kriminelëve të luftës të cilëve u ndalohej kthimi në Shqipëri. Pasi qëndroi për gati një vit e gjysmë i arratisur nëpër male, duke rënë disa herë në përpjekje me forcat e ndjekjes, në gushtin e vitit 1946 Miftar Spahija së bashku me 56 persona të tjerë antikomunistë nga Luma, Hasi dhe Kosova, të cilët vepronin nën komandën e Muharrem Bajraktarit, kaluan kufirin shtetëror dhe dolën në Maqedoni.
Nga ai grup i madh të arratisurish mbetën 21 të vrarë në përpjekje me forcat serbo-maqedonase. Miftari me të tjerët që shpëtuan gjallë më 7 shtator të vitit 1946 hynë në Greqi. Nga 12 shtatori i atij viti e deri më 28 shkurt të vitit 1952, Miftari qëndroi nëpër kampet e azilantëve politikë, së bashku me një pjesë të madhe të eksponentëve kryesorë të forcave nacionaliste, të cilët ishin arratisur për t’i shpëtuar përndjekjes së komunistëve. Më 28 shkurt të atij viti Miftari largohet nga Greqia dhe vendoset në Romë, ku qëndroi deri në nëntorin e 1956-s, kur u largua përfundimisht nga Italia për të emigruar në SHBA.
Nga janari i vitit 1957 deri në nëntorin e vitit 1958, punoi si nëpunës në Columbia University Library, ndërsa nga janari i vitit 1959 e deri në verën e 1964-s punoi si pedagog në një shkollë të mesme. Pas kësaj periudhe kohe dhe deri në vitin 1980, për plot 16 vjet me radhë, Miftari punoi si profesor, fillimisht në James Madison University në Harrisonburg, e më pas në Mansfield University të Pannsylvanias. Që nga viti 1980, kur doli në pension, Miftari jetoi me familjen e tij në North Bergen të shtetit të Nju Xhersit në SHBA.
Që me vendosjen e tij në Amerikë, në vitin 1956, ai është marrë vazhdimisht me studime, duke qenë autor i një sërë librash voluminozë, me temë nga letërsia po ashtu dhe nga politika. Në vitin 2004 Miftari ishte për një vizitë në Shqipëri, tek familja e Gafur Spahisë (nipi i tij), i cili, së bashku me shoqatën “Luma”, i organizuan 90-vjetorin e lindjes dhe promovimin e disa prej librave të tij, në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar. Memorie.al
O komunista, Keni ulur koken dhe I nenshtroheni perendimit. Turpi vdiq per ju qysh ne vitin 1944. Tash, kerkoni te shkoni ne Amerike apo Gjermani...she ju ishit te paret qe I derguar femijet tuaj ne vendet kapitaliste per te studjuar.
PërgjigjuProf. Miftar Spahiu i krahines se Lumes, ishte antifashist kur Nexhmije Hoxha ishte anetare e partise fashiste.Spahija u burgos dhe u internua nga fashistet. Luftoi per bashkimin kombetare dhe per liri. Jetoi ne vendin e lire, Ameriken, ku komunistet dhe sigurimsat strehohen, dhe koke-ulur kerkojne ndihma nga shteti amerikan. Turp.
PërgjigjuProf Miftar Spahia ishte njeri me vizion. Donte kombin te bashkuar dhe te lire. Zgjodhi Ameriken, vendin e lirise, te jetojë.
Përgjigjuketa langaraqet do benin luft me enverin hahahahaha ketyre po u bien panatallonat ,me ushkurr i kan lidhur pantallonat keta hahahaha yyy langot..
PërgjigjuMire qe paska arritur te behet “profesor” pasi ja hengren ate qe bente ne mengjes Enveri.
Përgjigju