Foto ilustruese

Dëshmia rrënqethëse e mësuesit nga Kosova: Si thereshin gratë dhe fëmijët nga ushtarët serbë në 2 prill 1999,  Sheshi i Bellanicës qendër vrasjesh

13 Nëntor 2020, 16:49| Përditesimi: 13 Nëntor 2020, 16:52

  • Share

Teksa prokurorët e Hagës akuzojnë sot për krime lufte Hashim Thaçin dhe ish-drejtues të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vjen për herë të parë një tjetër dëshmi rrëqethëse për barbarinë dhe krimet e forcave policore dhe ushtare serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Në fund të marsit dhe fillim të prillit të vitit 1999, forcat serbe kanë kryer një nga masakrat më mizore njerëzore ndaj grave, fëmijëve, urrave dhe pleqve shqiptarë në zonën e Bellanicës, në pjesën lindore të komunës se Malishevës. Rrëfimi vjen nga dëshmitari i këtij krimi masiv njerëzor, mësuesi dhe historiani Iljaz Zogu, dhënë për gazetarin Hasan Pasha, në prill të vitit 1999, në Burrel.

Iljaz Zogu arriti të hynte gjallë në territorin e Shqipërisë në 4 prill 1999, qëndroi disa ditë në Kukës, ndërsa në 9 prill 8u zhvendos në Burrel. Dëshminë e tij, gazetari Pasha e ka reflektuar në librin e tij, ‘Të pathënat e 30 viteve’. Iljaz Zogu, asokohe i moshës rreth 60 vjeç, ka rrëfyer detaje se si Sheshi i Bellanicës, ku ishin mbledhur mijëra banorë të fshatrave përreth, ishte kthyer në një shesh torturash, poshtërimi dhe vrasjesh nga forcat serbe. Sipas dëshmisë, në skaje të rrugëve kishte të vrarë kudo, vriteshin gra dhe çdo i ri mbi moshën 18 vjeç, vritej kushdo që nuk ishte para dhe që nuk shkelte mbi qeleshe.

Rrëfimi i plotë i mësuesit Iljaz Zogu

“Kaherë ishim mësuar të dëgjonim krisma bombash dhe granatimesh, por shumë larg nesh. Me 28 mars 1999 granatimet u dëgjuan përsëri, por tash fare pranë nesh. Me datën 29, po të këtij muaji, në fshat mbërriti lajmi i prerë për zhvendosjen nga lagja e Balajve të të gjithë njerëzve. Para nesh shtrohej dilemma: Ku të shkonim, ku të vendoseshim? Afati ishte mjaft i shkurtër për të lënë trojet ku kishim lindur. Ne morëm ca batanija, veshmbathje trupi, pak ushqim dhe shtëpitë tona të detyruar i mbyllëm të trishtuar. Kishim ngarkuar makinat me plaçkat që mundëm të marrim dhe u nisëm për në lagjen e madhe “Buçaj”. Aty qëndruam dy net, me 29 dhe 30 mars 1999, në familjen e Shaqir Bajrushit. Ditën rrinim në bodrumin e Sokol Memës dhe gjatë natës tek Shaqiri.

Të nesërmen Shtabi Civil mori masa për evakuimin e gjithë fshatit, për t’u vendosur në Bjeshkën e Madhe. Ky urdhër u zbatua në orët e mëngjesit. Situata paraqitej tepër e ndërlikuar, pra e kishim mjaft të vështirë alternativën, të shkonim në drejtim të Krojmirit apo drejt Bellanicës. Përfundimisht popullata u vendos në këtë të fundit. Aty kishin ardhur dhe banorë të fshatrave Reshtan, Studençan, Samatragjë, Optorushë, Doberdelan, Pagarushë, Nishore, Semetisht, Karvansari, Banjë, Shkozë, Jançist, Marali, Dragobil, Magjare dhe Malishevë, të cilët ishin dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Gjykuam se grumbullimi i një popullate kaq të madhe në shesh të gjerë, aq sa ishte ai i Bellanicës, do të ishte një zgjidhje pozitive për ne. Në këtë fazë të zhvillimeve UÇK, ishte mjaft e interesuar për fatin e gjithë popullatës dhe veçanërisht për djemtë, sepse ata nga çasti në çast ishin të rrezikuar nga falangat serbe.

Do të veçoj në këtë ditar të ditëve të luftës, momentet dramatike kur unë personalisht (Iljaz Zogu) lash pas tre djemtë e mi, Nazmiun, Luftiun dhe Shpëtimin, 13 vjeçar, ndërsa im vëlla, Sulejmani gjithashtu la tre djem, Sefedinin, Eshrefin dhe Nexhmedinin, po 13 vjeçar, kurse vëllau i tretë, Ejupi la në Kosovë 5 djemtë e tij, Hajrullahun, Ramadanin, Safetin, Idrizin dhe Besimin, moshatar me Shpëtimin dhe Nexhmedinin. Pra, 11 meshkuj të familjës sonë qëndruan në rajon, për të mirën e Kosovës. Bellanica ishte mbushur plot me njerëz, bile dhe rrugicat nuk mbanin më tej.

Në shesh nuk kishte vend të vije as majën e gjilpërës. Ne gjetëm një qoshe dhe aty u vendosëm, për të kaluar natën e 30 marsit ’99. Sipas gjykimit tim në këtë shesh ishin vendosur mbi 50 mijë veta. Grupe njerëzish rreth mesnatës lëviznin në drejtim të Lladroviçit dhe Guncatit. Të fundit nuk u kthyen më, për fatin e tyre nuk dimë gjë as sot. Të nesërmen, 31 mars 1999, rreth mesditës nisi të digjej Banja, Temeçina dhe lagja e poshtme e Guncatit.

Pak më vonë në Bellanicë nisën të shtënat e forcave serbe, me plumbat dum-dum, që ngjallnin panik dhe tmerr. Për pak çaste strehuam kokat e familjes sime në shtëpinë e Fehmi Kafegjollit. Të enjten, 1 prill 1999, forcat serbe sulmuan egërsisht shtëpitë rreth sheshit, gjë që tmerroi njerëzit e vendosur aty.

Nga çasti në çast pritej të ndodhte e keqja. Aty nga mesdita forcat paramilitare, policore dhe ushtarake u futën në mes të njerëzve të tubuar dhe dhanë urdhrin për lëvizjen e njerëzve drejt daljes së fshatit, ku na prisnin katër postblloqe serbe, të cilat plaçkitnin, ndanin të rinjtë, torturonin gratë dhe vrisnin këdo që kundërshtonte apo s’kishte para për të dorëzuar tek ata.

Qëllimi i këtyre barbarive me pamje mesjetare e të maskuar nga frika e identifikimit ishte marrja forcërisht e të gjitha të mirave materiale që kishte me vete popullata e vendosur në Bellanicë. Papritur erdhën dy ushtarë serbë tek unë: U përshëndetëm formalisht dhe më pyetën: E kujt është makina? E imja, iu përgjigja. Për këtë më thanë duhet të paguash 100 DM. Shkunda pak xhepat dhe ua dhashë i detyruar. Pas pak erdhën dy të tjerë, të cilët nuk përshëndetën fare dhe mu drejtuan: Ju duhet të paguani para që po qëndroni këtu.

 Unë i pyeta: Sa duhen ? Sa të keni- më thanë. Në xhepin tim kishin mbetur 70 DM, por ata ishin të pakënaqur me këtë shumë, prandaj kërkuan dhe sende të tjera të kushtueshme për të plotësuar kërkesën e tyre. Banditët serbë nuk u mjaftaun me kaq por vazhduan kështu grabitjen e stolive të arit nga gratë tona dhe paratë që atyre u gjendeshin. Përfundimisht vetëm familjes time iu grabitën nga këto grupe 1200 DM dhe floririn e nuses që kisha martuar dy muaj më parë.

Gjatë kësaj plaçkitje e terrori forcat serbe vranë në sytë tanë katër persona, ata ishin djem të rinj, vetëm përse nuk patën të holla për t’ju dhënë atyre.  Përballë çdo kundërshtimi ishte gryka e automatikut në fyt. Në të dalë të sheshit të Bellanicës mora në makinën time për ta ndihmuar familjen e Metë Avdisë. Bashkëshortja e tij, Bulla, kishte patur mjaft para me vete, për të cilat unë nuk kisha dijeni.

Dikush nga turma sugjeroi që të mos udhëtonim gjatë natës, sepse rreziku ishte më i madh. Nata sa kishte nisur. Të shtënat dëgjoheshin nga të gjitha drejtimet. Ne të rriturit nuk mund të flinim, ndërsa fëmijët që i kishtë marrë gjumi, herë pas here zgjoheshin në jermni, sepse ëndërronin skenat rrëqethëse të përjetuara gjatë ditës. Natën dëgjonim klithma marramendëse të njerëzve që thereshin, masakroheshin e më pas vriteshin.

Nga bashkudhëtarët e mi mësova se janë masakruar e vrarë të paktën 100 veta (gra, burra e fëmijë). Po nga ata kam mësuar se janë çarë në bark gra shtatzëna, me bajoneta armësh. Ngjarje të tilla rrëqethëse që ndoshta shihen vetëm në filma banditeske, kanë ndodhur në Sheshin e Bellanicës, në datat 1 e 2 prill 1999.

Të premten kolona vazhdonte rrugën në drejtim të Shqipërisë. Përsëri gjatë rrugës ndaloheshim nga policët e tërbuar serbë, të cilët me egërsinë e tyre përpiqeshin ta shqyenin popullatën me dhëmbë. Në çdo rast guximi për t’i shikuar në sy ata, pasojat ishin serioze për jetën e personit.

Në rrugë më ndalën policë serbë, të cilët më pyesnin: Sa anëtarë keni në traktor? -U thashë 24. Pra duhet të paguani 500 DM, thanë ata. Unë nuk disponojë më para, prandaj iu drejtova Bulles, e cila më dha ato para dhe mundëm të kalojmë. Më tej ishte vendosur një lloj “dogane” në të cilën kërkoheshin për çdo automjet 100 DM. Meqenëse Bullja nuk kishte para të imta, u detyruam të paguanim 1000 DM, prej të cilave nuk morëm kusur.

Në hyrje të Malishevës parakaluan disa mjete të rënda luftarake (tanke dhe praga). Para Kuvendit Komunal kolona u ndal. Të gjithëve policët serbë u kërkonin para sa të kishin. Po qe se nuk kishe, vriteshe. Unë u dhashë 1000 DM, edhe këto m’i dha Bullja. Nuk kaluam as 20 metra para frutores së Tafil Mazrekut doli policia tjetër dhe mua m’u drejtua me nxitim. -Nxirri të gjitha paratë që disponon. E theu xhamin e traktorit me tytë të automatikut. Edhe këtij i dhëmë 1000 DM. Fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes qanin nga frika se policia serbe sillej vërdallë ndaj nesh, si të ishin të çmendur. Ata që nuk kishin para binin viktima të kësaj policie të tërbuar. Dolën në kryq të Malishevës.

Na u dha urdhër të shkojmë në drejtim të Rahovecit. Kur kaluam pranë oborrit të gjimnazit, vërejta mbi 2000 traktora. U rrëqetha nga ky parking i madh i këtyre makinave. Mendova se të gjithë duhet të parkohen këtu. Mu dridhte trupi si thupra në ujë. Ngisja traktorin duke vështruar përreth si i çmendur. Kur u afrua kolona e refugjatëve afër oborrit të gjimnazit, përsëri u dëgjua një urdhër tjetër në gjuhen serbe: “Vozite na pravac prema Prizreno” (në shqip do të thotë: Ngisni makinat në drejtim të Prizrenit”).

Kur hymë në Dragobi pamë disa çudira të tjera. Asfalti ishte i mbushur me qeleshe të bardha. Kush kishte qeleshe në kokë torturohej nga policia. Ne ishim të detyruar t’i shkelnim qeleshet me makina. Ai makinist që nuk shkelte mbi to, vritej.

Gjatë rrugës kemi parë disa kufoma në skajet e rrugës. Në hyrje të fshatit Ostrozub, një traktor para meje, i mbushur me njerëz i ka ndodhur më e keqja. E kam parë më sytë e mi kur një ushtar serb ka hyrë në rimorkio dhe i ka shqyer barkun një gruaje. Pastaj kryekomandanti i tij e ka kapur për fyti dhe e ka nxjerrë jashtë si qenin. Se ç’farë ndodhi më tej me atë grua askush nuk e di, sepse asnjë makinë nuk lejohej të ndalej. Në dalje të fshatit na ndalën përsëri.

Tani kërkonin letërnjoftimet. I dhamë dhe na i grisën. Për turp flamurin tonë kombëtar e kishin shtrirë përtokë. Na u dha urdhër ta shkelnim atë me makina. Ai që nuk e shkel do të vritej menjëherë, komplet me familjen e tij. Në vendin e quajtur “Zhdrella”, në rrëzë të maleve të Zatriqit na ndalon ushtria serbe. Këto kërkonin djelmoshat mbi 18 vjeç. Për fat këto djelmosha më herët i kishim lënë në UÇK. Unë në rimorkio kisha pesë djem nën 10 vjeç. Tek unë kontrolluan rimirkion por nuk gjetën gjë. U lëshuam Zhdrellës teposhtë gjer tek vendi i quajtur  Çarevc.

Aty pamë katër makina të përmbysura, sepse kishin udhëtuar natën. Duke ikur nga policia serbe u janë prishur frenat e makinave dhe janë rrëzuar. Pikërisht këtu mësuam se një 16 vjeçar kishte humbur jetën. Ishte nga Semetishti, por emrin nuk e mësuam dot. Në hyrje të Rahovecit afër karburantit “Jahaj” na ndalën katër ushtarë serb, të cilët e kishin zënë rrugën për trup. Ata këndonin këngën: “Kote Kazhe-Kote Llazhe daje Serbija Malla” që do të thoshte: “Kush thotë dhe kush rrenë që Serbija është e vogël”. Njëri prej tyre ka hapur zjarr në afërsi vetëm 10 metra larg trupit im. U thye xhami dhe pasqyra e kabinës. Aty shpëtova për qime të flokut. Jo larg atij vendi që shpëtuam na doli policia tjetër.

Distanca midis tyre ishte vetëm 1000 metra. Njëri prej këtyre policëve mu drejtua mua, (si duket më njihte) dhe më tha: “Ti si uço”, ti je mësues ! Iu përgjigja se po. Nuk desha të gënjej. Tani ai filloi të më provokonte duke më thënë: Ju i keni mësuar nxënësit që të dalin në demostrata me dy gishta lart dhe keni kërkuar demokraci, pastaj keni kërkuar me e pasë ushtrinë e juaj (UÇK), e shumë fjalë të tjera kërcënuese.

Unë e shikova me ironi dhe i thashë: Unë jam mësues, fëmijët-nxënësit i kam mësuar sipas plan-programit arsimor të Republikës së Kosovës. Në Jugosllavinë tuaj është aprovuar ligji për qevetisjen e shtetit me pluralizëm politik, domethënë sistemi shumëpartiak. E na i përkasim dhe e duam demokracinë. Ku dëgjoi fjalët “Republikë e Kosovës” dhe “Demokraci” mi ka dhënë mbi 10 grushta kokës dhe më dënoj 1000 DM (i gjeta tek gratë që udhëtonin me mua). Nga 1000 DM ua kanë marrë të gjithë pronarëve të tjerë të makinave pas meje. Grushtat i mora si peshqesh për fjalët që ndërrova me policin. Të zhgënjyer vazhduam rrugën për Prizren.

Në mes të Piramës dhe Krushës së Vogël u ndalëm për pushim te një pikë karburanti që quhet “Fatoni”. Aty kishte ujë. U freskuam pak derisa dhe makinat u ftohën. E ndeza një cigare dhe rrija me ca shokë. Erdhi një polic i Rahovecit, por tash kishte vënë maskën në kokë. I kontrolloj të gjithë pasagjerët derisa më gjeti mua. Mu drejtua dhe më tha. Shpejt duhet me mi dhanë 500 DM. Unë u qesha dhe i thashë: Kah t’i marr ato marka që nuk i kam. Të gjitha m’i ka marrë policia dhe ushtria serbe. Tani kam vetëm rrobat e trupit. Atëherë më urdhëroi të dal në anën tjetër të rrugës që t’më vriste.

Unë nuk pranova të dal sepse e dija mirë që do t’më vriste. Ai me atë qëllim kishte ardhur nga Rahoveci. Edhe pse kishte vënë maskën e njihnim nga e folura. Urdhri tjetër shkrepi të futesha në makinën e tij. Dhe këtë e kundërshtova dhe iu drejtova me këto fjalë: Unë nuk u bindem urdhrave tuaja, as nuk futem në makinën tuaj dhe as nuk dal përtej rruge.

Po qe se doni t’më vrisnin para familjes sime, dhe në prani të gjithë shokëve të mi (që ishin mbi 5 mijë) dhe fillova të eci në drejtim të makinës sime që ishte larg 50 metra. Unë ecja në këmbë rreth makinave, ata, policët ecnin ngadalë me makinën e tyre në anën e kundërt të rrugës me dyer të hapura të makinës. Mendonin t’më fusnin me dhunë në makinë. U ula në makinën time dhe rashë në kujtesë: Ç’ka kërkojnë këta prej meje? Jetën apo monedha? Si duket vetëm jetën.

U afrua njëri prej policëve tek kabina e makinës dhe më tha: Çe vidish ko sam ja” që në shqip do të thotë: “Do ta shohësh kush jam unë” , dhe ikën. Nuk i pashë ata më. Kam patur frikë se po më zënë pritë në Piranë, Landrovicë, Dushanovë dhe Prizren, apo po e lënë ndonjë porosi në doganë. Për këtë Zoti më shpëtoi jetën. Rrugën Prizren-Qafë Morinë e kemi kaluar 24 orë, domethënë çdo kilometër rrugë një orë. Rrugën e përshkruar nuk kemi patur maltrajtime. Vetëm në Vërmicë për çdo traktor ushtarët serbë kanë marrë nga 100 DM. Në doganë kërkonin dokumente personale. Mua më grisën pasaportën.

Tani ishte ora 17.25, e datës 4 prill 1999. Hymë në tokën e shtetit shqiptar. Fillova të marr frymë shlirë. Doganierët në pritën shumë mirë, ata ishin vëllezërit tanë të një gjaku. Na dhënë një kartelë si dokument identifikimi me datën e hyrjes, ca batanije dhe ushqim. Këtë natë e kaluam në Morinë. Të nesërmen më 5 prill 1999 vajtëm në Kukës. U vendosëm në oborrin e shkollës fillore “Riza Spahiu”. Aty qëndruam deri me 9 prill. Atë ditë kontaktova me një oficer të ushtrisë, në sheshin para Prefekturës së Kukësit. Ai më tha se ata refugjatë që dëshirojnë të largohen nga ky vend mund ti bartim ne me makinat tona ushtarake gjer në Burrel.

U pajtova me këtë. I kompletova anëtarët e familjes sime dhe të dashamirësve të mi, morëm makinën dhe erdhëm në Burrel. Këtu u vendosëm në Pallatin e Sporteve. Matjanët u treguan shumë mikpritës dhe na afruan ndihmë. Në rend të parë u ndihmuam nga kryetari i bashkisë Jarosllav Alla, Aqif Klosi, Nuredin Çupi dhe Shefqet Bici. Në anën tjetër u mirëpritëm nga vendasit jo qeveritar, ku nuk mund të lë pa përmendur, Sulejman Toçi, Qerim Hoshi, Rasim Vata, Hasan Pasha, Isuf Xhetani, e shumë të tjerë. Pas 11 ditësh familja ime është vendosur në familjen e Qerim Hoshi, me dëshirën e këtij të fundit”.

E.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Emini: 13/11/2020 17:36

    Tille krime e masakra anti njerzore te ushtrise serbe ne fund te shekullit 20 duhet denoje Gjykata nderkombetare penale e Hages dhe te mosmerret me shpifje e sajesa te klaneve shoviniste Serbe,ku edhe sot i bejen presjone shtetit kosoves dhe nderkombetareve per fillimin e luftes.Fakt ky qe duhet ndeshkuar nga kjo gjykate nderkombetare qe gjykon krimet e luftes,por dhe ata qe bejne thirrje per lufte.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?