Albin Kurti

Opinion

Dialogu me Serbinë sipas parimeve të Albin Kurtit

1 Maj 2021, 23:00| Përditesimi: 1 Maj 2021, 23:03

  • Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vizitën e tij të parë në Bruksel paraqiti edhe platformën e bisedimeve me Serbinë. Këtë platformë ai e shpalosi të enjten para Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, ndërkohë që duke folur për dialogun me Serbinë, ai përfundimisht i bëri të ditur parimet mbi të cilat duhet të zhvillohet ky dialog:

E para –  është pranimi i realitetit. Kjo do të thotë që Kosova  nuk mund të kthehet  në kohën para pavarësisë.

E dyta –  është pranimi i së vërtetës. Serbia duhet të pranojë krimet dhe keqbërjet e saj në të kaluarën në Kosovë.

E treta –  është barazia e përfaqësuesve. Në çdo tryezë ne ulemi si të barabartë për të zgjidhur problemet ekzistuese dhe jo për të krijuar probleme të reja.

E katërta –  qytetarët duhet të jenë përfituesit fundor. Dialogu nuk mund të bëhet për ruajtjen e reputacionit ose karrierës së politikanëve në detyrë, por me përmirësimin e jetës së qytetarëve në terren.

Përpos këtyre, Kurti në fjalimin e tij përfshiu edhe disa çështje thelbësore që kanë të bëjnë me  borxhet, trashëgiminë dhe reparacionet e luftës. Sipas tij,  këto çështje ende rëndojnë mbi Serbinë si obligime, të cilat nëse zbërthehen më detajisht duken kështu:

– Përafërsisht 3 miliard euro në dëmin pasuror dhe jopasuror të pensioneve të papaguara.

– Mbi 400 milionë euro në dëmin pasuror dhe dëmin jopasuror të keqpërdorimit të rrjetit të energjisë elektrike.

– Pasuritë e Kosovës në Serbi dhe të ish-republikave të tjera të RSFJ-së, statusi i të cilave nuk është adresuar ende.

– Reparacionet e luftës të cilat duhet të përfshijnë garancitë e mos-përsëritjes, dëmshpërblimit dhe kompensimit.

Këto dhe çështje të tjera në fakt paraqesin platformën e bisedimeve me Serbinë, por edhe rrugëtreguesit nga duhet të shkojë ky proces kaq i stërzgjatur. Kryeministri Kurti tha se këto janë gjëra për të cilat duhet të flasim dhe t’i zgjidhim, dhe për të cilat qeveria e tij, siç tha ai, është plotësisht e përkushtuar.

Për ta plotësuar mozaikun e gjendjes nëpër të cilën po kalon Kosova, si rezultat i pasojave që kishte lënë pushtimi serb, kryeministri Kurti tha se deri më sot, 22 vjet pas luftës, ende janë  1632 persona të zhdukur, kurse familjet e tyre ende nuk mund të vendosin lule në varret e tyre dhe të pikëllohen në mënyrën tradicionale.

Sa i përket vizionit të tij mbi të ardhmen e Ballkanit në kuadër të BE-së, Kurti vuri në dukje se Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga vendet e BE-së dhe ne duhet të trajtohemi si anëtarë të ardhshëm, jo si fqinjë. Në këtë kontekst, ai hodhi poshtë disa ide , të cilat ai i quajti iniciativa (duke aluduar në Mini Shengenin)  që  vetëm mund të vonojnë anëtarësimin dhe për rrjedhojë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të kërkojnë të kopjojnë një BE në Ballkan, por ne, siç tha ai, duhet të rrisim bashkëpunimin tonë rajonal në mënyrë që ai ta bëjë procesin e anëtarësimit më të lehtë dhe më të shpejtë.

Për ta konkretizuar idenë e tij se si do të dukej një Ballkan sa më i prosperuar në kuadër të BE-s, kryeministri Kurti shprehu besimin se është në interes të BE-së dhe Evropës që të dalin me një Mini-Marshall, plan i cili do të shpejtonte reformat dhe anëtarësimin e plotë. Plani Marshall i ShBA-së, shpëtoi dhe ndërtoi Evropën dhe krijoi mrekulli ekonomike, dhe tani, siç u shpreh ai, është koha që BE-ja të shpëtojë dhe të ndërtojë Ballkanin Perëndimor.

Në Bruksel diplomatët dëgjuan një politikan nga Kosova shumë gjëra që ata i dinin prej përpara, por kësaj radhe nga Prishtina erdhi një artikulim më i qartë sa i përket disa temave të hapura që kanë ngelur si hije në dialogun Kosovë-Serbi, si pasojë e qëndrimeve eklektike të vet Prishtinës zyrtare në të kaluarën.

Fjalimi i Albin Kurtit para Komiteti të politikës së Jashtme të Parlamentit  Europian mund të lexohet në disa mënyra, por ajo që është thelbësorja ky fjalim i qartëson disa dilema që kanë mundur të ekzistojnë sa i përket (mos)qëndrimit të qartë të Kosovës në raport me çështjet e hapura me Serbinë.

Në të kaluarën, Beogradi e ka shfrytëzuar Kosovën si gomë shpëtimi për politikat e veta interne, por edhe si mjet shantazhi për të kërkuar ato që nuk i takonin. Provat më të sigurta të këtij shantazhi janë takimet e shpeshta boshe në Bruksel të cilat janë organizuar sa për të bërë një fotografi të përbashkët, ku buzëqeshja e politikanëve serbë kishte domethënien e një mizanskeni në teatrin absurd të ashtuquajturave  bisedime, ku Serbia trajtohej si çështje e brendshme e Kosovës, kurse Prishtina duhej të shkonte me një listë koncesionesh ndaj delegacionit serb.

Mirëpo, platforma e re e kryeministrit Kurti, jo vetëm që nuk parasheh kurrfarë liste koncesionesh ndaj Serbisë, por ajo nuk e trajton Kosovën si një çështje në dialog, por një palë e dialogut, e që duhet të kuptohet mirë para çdo raundi të ri të bisedimeve me Serbinë. Ky parim ndërlidhet me barazinë e përfaqësuesve ku në çdo tryezë palët ulen si të barabartë për të zgjidhur problemet ekzistuese dhe jo për të krijuar probleme të reja.

Pas regjimit të Millosheviqit, qeveria e re në Serbi nuk është distancuar nga Millosheviqi dhe krimet e luftës. Duke mos u distancuar nga krimet e luftës, Serbia po identifikohet më afër me to.

Ky qëndrim i kryeministrit Kurti në Bruksel hapi edhe një çështje parimore, e cila sikur ka kaluar në heshtje në instancat ndryshme të BE-së. Europa dhe sidomos Gjermania, pas përfundimi të  epokës së nacizmit kishte kaluar nëpër një proces të gjatë të denacifikimit. Merreni me mend sikur në kontestet e pazgjidhura në mes të shteteve europiane, bie fjala në mes të Gjermanisë dhe Francës menjëherë pas përfundimit ë LDB, të kishin marrë pjesë ende oficerët e Hitlerit, të cilët në emër të kauzës fashiste kishin shfarosur miliona jetë njerëzish.

Aktualisht politikanët e Kosovës janë të detyruar të kenë përballë në tryezat e bisedimeve politikanë serbë cilët dikur kishin qenë të uniformuar në fushëbetejat e përgjakshme në kuadër të  projektit të Serbisë së Madhe  dhe pjesë e makinerisë pushtuese të Millosheviqit, kurse tani në Bruksel  buzëqeshja e tyre ka  domethënien e një mizanskene në teatrin absurd të të ashtuquajturave  bisedime Beograd – Prishtinë. Dhe për të qenë ironia më e madhe ata ende nuk janë distancuar nga krimet që i kishte bërë politika e Millosheviaqit. Madje, ata në disa raste janë munduar edhe t’i fshehin gjurmët e krimit, duke i frikësuar dhe dekurajuar njerëzit që të mos i denoncojnë publikisht vendndodhjet e varrezave masive ku ende fshihen trupat e shqiptarëve të pagjetur.

Beogradi nuk është kush i Kosovës për t’u integruar në BE, për arsye se agjenda evropiane e Kosovës, si të gjitha shtetet tjera para anëtarësimit, ka prioritet kursin reformues në të gjitha segmentet e jetës institucionale, e sidomos në sistemin e drejtësisë, në luftimin krimit dhe korrupsionit dhe në nxitjen e politikave zhvillimore.

Në të kaluarën ishte fituar përshtypja tepër e gabuar sikur Kosova duhej t’i testonte  politikat e saja reformuese fillimisht në Beograd dhe  pastaj të vazhdojë procesin eurointegrues. Por, kjo qasje nuk ka mundur të kalojë edhe pa miratimin e heshtur të burokratëve në Bruksel, të cilët ende po e tolerojnë dhe nuk po e problematizojnë kushtetutën e Serbisë e cila ende Kosovën e ka pjesë integrale të sajën.

Si ka mundur Brukseli t’i qaset procesit të normalizimit të raporteve Prishtinë-Beograd, ndërkohë që gjatë gjithë kohës ka lejuar që një shtet i pavarur, siç është Kosova, t’i ekspozohet agresionit kushtetues të Serbisë. Nëse Brukseli vazhdon të tolerojë këtë agresion kushtetues të Serbisë mbi Kosovën, atëherë  shtetit i pavarur i  Kosovës, i sponsorizuar nga SHBA-të, nga burokratët e  Brukselit ende trajtohet si një projekt i papërfunduar dhe që paska nevojë ende për korrigjime e ridefinime.

Administrata e re e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, duhet pa humbur kohë të kultivojë një mirëkuptim substancial me strukturat drejtuese të BE-së, duke kërkuar me këmbëngulje  nga ato që Kosovën si shtet ta fusin në dioptrinë e partnerëve që prodhon stabilitet rajonal, e jo si një vrimë e zezë, të cilën po mundohet ta projektojë Serbia.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?