Mëngjesin e sotëm 3 banesa janë përfshirë nga flakët në fshatin Pendavinj të Bashkisë Maliq. Ende grupi hetimor për këtë ngjarje nuk konkluzion mbi shkaqet e zjarrit, por ajo që dyshohet ka të bëjë përdorimin e mjeteve të ngrohjes në një prej banesa. 2 prej banesave janë djegur pothuaj plotësisht dhe kanë dëme të shumta materiale, ndërsa banesa e tretë është djegur gjysma.
Njëri prej banorëve në banesën e dytë të djegur Ilia Malaveci, tha se flakët nisën nga banesa e fqinjëve ku jetonte një person invalid dhe djali i tij i cili është me ‘arrest shtëpie’.
Menjëherë sipas tij, ata ndërhynë për të nxjerrë nga banesa kryefamiljarin invalid, më pas flakët u përhapën me shpejtësi dhe në banesën e Malavecit. Zjarri i madh përfshiu edhe një banesë të tretë, në të cilin pronarët ndodheshin në emigracion, ku edhe në këtë banesë janë regjistruar dëme materiale.
Ilia Malaveci thotë se banesa e tij është tashmë e pajetueshme dhe familja e tij është mes katër rrugëve, në një moment kur edhe stina e dimrit ka hyrë.
Kreu i Bashkisë Maliq Gëzim Topçiu teksa pa nga afër banesat e djegura, pohoi se ato nuk garantojnë mundësinë për të jetuar dhe tha se do të merren masa të shpejta për strehimin social të banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi.
Grupi hetimor i policisë, ndodhet në terren për të identifikuar shkaqet e zjarrit dhe më pas do të kryhet edhe një vlerësim i dëmeve të shkaktuara nga zjarri nga i cili 2 familje mbetën mes katër rrugësh në stinën e dimrit.