Kreu i PD-së Lulzim Basha, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi

Dimensionet e përballjes PS-PD në dy qarqet e mëdha, si 'kërcet' shmangia e opozitës për t’u përballur me Ramën në Durrës

10 Mars 2021, 11:36| Përditesimi: 10 Mars 2021, 11:40

  • Share

Gati gjysmën e Parlamentit shqiptar e mbushin dy qarqet kryesore të vendit: Tiranë- Durrës, me gjithsej 52 deputetë.

Ndaj edhe beteja politike në kryeqytet dhe në qarkun bregdetar, pritet të zërë “pjesën e luanit” të fushatës zgjedhore të 25 prillit.

Reflektimi i parë që vjen në këtë fillim beteje është shmangia që kupola e opozitës ka bërë përballë Edi Ramës në Qarkun Durrës, kur pak kohë më parë i shpallën “betejë për jetë a vdekje”.

Qarku i tronditur më shumë nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s dhe karta politike e rindërtimit dhe shërimit të plagëve të katastrofës natyrore, është parë nga PD-ja si një “patate e nxehtë”, ku sipas gjasave, nuk kanë pasur vullnetin ta kthejnë në betejë politike.

Siç në fakt e ka bërë Edi Rama, i cili pikërisht tek reagimi i qeverisë ndaj dy goditjeve natyrore, siç ishte tërmeti dhe pandemia e Covid 19, ka përqendruar ajkën e betejës elektorale të 25 prillit.

Ndërkaq, ajo që bie në sy tek problemi më i rëndësishëm që ka vendi sot, por edhe bota; pra pandemia e koronavirusit, nuk duket të jetë një armë politike e opozitës.

PD-ja e Lulzim Bashës, edhe pse që në fillim të pandemisë sulmoi Qeverinë, duke nxjerrë disa plane me pika të ndryshme në kohë, sot nuk ka fokusuar elektoralisht këtë betejë në listat për deputetë.

Ndryshe nga Edi Rama, që ka thirrur një nga mjekët e vijës së parë në listën për Tiranën, siç është Najada Çomo, PD nuk ka kandiduar asnjë nga ekspertët e saj, që pushtuan panelet prej një viti.

Eksperti i PD-së për shëndetësinë Gazmend Koduzi, i cili ka dalë në selinë blu, por edhe në panele gjithë këto kohë, nuk figuron në listën e skuadrës që opozita ka paraqitur përballë qytetarëve.

Ndërkaq, mungojnë edhe inxhinierë apo ekspertë të ndërtimit, të cilët gjithashtu përballën argumentet e tyre gjatë debateve pas katastrofës së tërmetit të 2019-s.

Një nga emrat e njohur të fushës së ndërtimit, Gazmend Oketa, i cili është një politikan i njohur në PD, si në Durrës, ashtu edhe në nivel kombëtar, pasi ka qenë ministër i PD-së, nuk u kandidua në qarkun e tij.

Ndërkaq, lista e PD-së, si në Tiranë, por edhe në Durrës është më shumë lineare sesa një përballje që të përfaqësojë një strategji apo temë politike.

Në Tiranë, në krye të listës Basha ka vendosur aleatët e vegjël, madje edhe dubluar, duke shmangur ato emra që kreu i PD-së i vendosi si promotorë të politikës së re opozitare.

Kështu, eksperti i ekonomisë ku Basha përqendroi arsenalin e programit, kryesisht për planin fiskal dhe atë ekonomik, Dorian Teliti, është i 24-ti në listën e Tiranës, kurse sekretari për çështjet ligjore i vendosur së fundmi, Çlirim Gjata, u vendos i 22-ti.

Pra Basha nuk ka vendosur në ballë as njerëzit me të cilët ka “gatuar” programin që e shpalli në disa puntata, ndërkohë nuk ka ofruar asnjë prurje të re nga shoqëria, si dhe rikthime që kanë ndodhur në PD.

Panoramë krejt e ndryshme tek mazhoranca, e cila edhe pse do mandatin e tretë, ku kjo përbën një ambicje të pandodhur këto 20 vjet, ka një fabul të qartë politike, që e ka të fokusuar edhe në skuadrën përfaqësuese.

Vetë Edi Rama është realisht kreu i listës së Durrësit, edhe pse nuk është vendosur në krye, duke i dhënë këtij qarku një përfaqësim të lartë politik.

Ka rikthyer Lefter Kokën, ish-ministrin e tij e ish-kryebashkiakun e PS-së, i cili u largua nga LSI sapo kjo e fundit dogji mandatet e deputetëve.

Pjesa tjetër e listës është fabul politike, ku ka rikandiduar një pjesë deputetësh të qarkut.

Ndërsa në Tiranë, ku është edhe logjika qendrore politike e vendit, mazhoranca doli me dy prurje të reja siç janë Luljeta Bozo dhe Najada Çomo, protagonistet publike të tërmetit dhe pandemisë.

E më pas, përveç korpusit kryesor politik të deputetëve socialistë, ka marrë edhe emra nga ish-opozita parlamentare, që realisht ishte partnerja që siguroi mos dështimin e sistemit nga ikja “minë me sahat” e PD-së dhe LSI-së.

Fabul, e cila sipas të gjitha gjasave do të jetë baza e debatit elektoral deri më 25 prill.

Ku padyshim, nismën dhe primatin e debatit në publik do ta mbajë ai grup politik që ka një ide dhe fokus në fushatë.

Është thjesht real politikë, natyrisht e përgatitur, e përpunuar…

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?