Disa sqarime të thjeshta për të shpjeguar halucinacionet e presidentit Meta për 'Grusht shteti'

29 Shkurt 2020, 23:01| Përditesimi: 29 Shkurt 2020, 23:02

  • Share

Duke qenë se këto ditë publiku po bombardohet me shumë analiza të ndërlikuara për të shpjeguar se si është e vërteta e ngërçit që është krijuar në Gjykatën Kushtetuese, mbi të cilën më pas presidenti Meta ka shpikur një “Grusht Shteti” imagjinar nga Kuvendi, qeveria dhe KED-ja, po jap në formë të përmbledhur  dhe kronologjike se si qëndron e vërteta.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i përzgjedh si kandidatura Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), i cili është një institucion kushtetues që e ka detyrë funksionale këtë gjë.

Ligji parashikon që presidenti i Republikës, tek lista që i takon atij që të zgjedhë, përzgjedh vetëm një nga tri kandidaturat që listohen në treshen e parë që përzgjedh KED-ja. Pra, presidenti është i lirë të nominojë të parin, të dytin ose të tretin, në varësi të shijeve të tij personale.

Në rast se presidenti nuk shprehet me dekret për njërin nga tri emrat e parë, atëherë ligji parashikon në mënyrë taksative që kandidatura e përgjedhur nga KED-ja si e para në listë, zgjidhet automatikisht si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Ilir Meta, refuzoi që të dekretojë brenda afatit ligjor 30 ditor emrin e zonjës Arta Vorpsi, si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Zonja Vorpsi, në parashikim të ligjit, zgjidhet automatikisht si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Meta, refuzon ta ftojë zonjën Vorpsi në presidencë, si e zgjedhur automatikisht nga ligji.

Zonja Vorpsi, me qëllim që të mos i konsiderohet se ka refuzuar të paraqitet në presidencë, qoftë kjo edhe pa ftesë të presidentit, paraqitet përpara noterit publick, ku depoziton një akt personal të vullnetit të saj se është e gatshme të pranojë detyrën e fituar në bazë të ligjit.

Presidenti Meta, në shkelje të bazës ligjore, dekreton në vend të të ligjshmes, zonjës Vorpsi, një kandidate të renditur e katërta në ligj. Ritheksoj se ligji parashikon se presidenti përzgjedh një nga tri kandidaturat të listuara të parat nga KED-ja.

Kandidatura e paligjshme e dekretuar nga presidenti Meta, e renditura e katërta në listën e KED-së, nuk ka kaluar në procesin e rivlerësimit kalimtar i njohur ndryshe si “Vettingu”. Ndërkohë që kandidatja e ligjshme, zonja Vorpsi, e ka kaluar atë proces. 

Presidenti ka një pasion të çuditshëm për të përzgjedhur kandidatura që nuk e kanë kaluar vetting-un, siç bëri më herët me një kandidat tjetër të cilin më pas e dogji ky proces.

Të ndodhur në kushtet e refuzimit të presidentit për të zbatuar ligjin, mazhoranca socialiste vendosi që të bëjë një ndryshim teknik në ligj, i cili zhbllokon ngërçin, të cilin në fakt ligji e parashikonte në formë tjetër, qysh kur përzgjidhte automatikisht kandidaturën e parë në rast se presidenti nuk dekretonte asnjë nga tri të renditurit të parët në listën e KED-së

Në ndryshimin e ri ligjor, nuk i mohohet e drejta anëtarit të zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese që të bëjë betimin përpara presidentit të Republikës. 

Ai e ka plotësisht këtë të drjetë. Vetëm se tashmë presidentit i lihet një afat 10 ditor që ta thërrasë në presidencë, të dekreturin prej presidentit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ose të përzgjedhurin automatikisht sipas ligjit të të parin të listës në rast se presidenti nuk shprehet me dekret.

Në rast se presidenti nuk e thërret brenda afatit 10 ditor, të dekretuarin prej tij, ose të përgjedhurin automatikisht sipas ligjit të të parit të listës në rast se presidenti nuk shprehet me dekret, atëherë, në përfundim të këtij afati 10 ditor, anëtari i zgjedhur i Gjykatës Kushtetuese e dërgon betimin e tij drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese.

Ja, kjo është e gjithë ajo çfarë presidenti Meta e konsideron “Grusht Shteti”. Një hall i tij personal, që lidhet me një shkarkim prej Kuvendit, por që duhet të certifikohet edhe nga Gjykata Kushtetuese, e detyron që hallin e tij personal, ta kamuflojë nën petkun e mbrojtësit të Kushtetutës.

Nga e gjithë sa parashtrova më lart, rezulton se ai që ka shkelur Kushtetutën, është presidenti Meta. Dhe, kjo shkelje ligjore e tij në përgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, është njëra prej të shumtave shkelje që nisin që nga zhdekretimi i zgjedhjeve vendore pa bazë ligjore, dekretimi më pas jashtë afateve ligjore, mosdekretimi i zgjedhjeve aty ku mungojnë kryetarët e bashkisë, refuzimi për të dekretuar ministra të caktuar, vonesa për të shkarkuar ministra të caktuar, pozicionimi haptazi si opozitar i vijës së parë në raport me njërën palë dhe përkrahja që i jep palës tjetër, e kështu me radhë.

Si përfundim, shqiptarët duhet të kuptojnë se ajo që quhet “Grusht Shteti” prej presidentit, përveç shumë anëve të tjera të interesave politike të tij dhe partive opozitare që përfaqëson, me synim bllokimin e proceseve integruese të Shqipërisë dhe të reformës në drejtësi, është edhe një luftë se cila do të bëhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Pra, do të bëhet zonja Arta Vorpsi, me një eksperiencë shumëvjeçare si Këshilltare Ligjore në Gjykatën Kushtetuese, e zgjedhur e para me pikë në listën e KED-së, që ka kaluar vetting-un dhe që e meriton atë detyrë sepse e ka fituar në parashikim të ligjit, apo që vendin e saj ta zërë paligjshmërisht e përgjedhura e presidentit Meta, një zonjë e renditur e katërta, që nuk e ka kaluar ende procesin e vetting-ut dhe që është bashkëjetuese e një funksionari shumë të lartë e të rëndësishëm në Partinë Demokratike.

Vijini në peshore çfarë përfaqëson njëra e çfarë tjetra dhe jeni të lirë, si ta ndjeni shpirtërisht, për t’i dhënë ose jo mbështetje më 2 mars për hallin e tij personal, një presidenti që me veprimet e tija e ka përdhosur shumë rëndë figurën e Kryetarit të Shtetit.

Komento

Komente

  • I teh: 01/03/2020 17:42

    Futi ne by... sto gishta

    Përgjigju
  • Burgu. te prete Kriminel...: 01/03/2020 00:03

    Burgu Ju prete i Nderuar z. President. Floriri ..haroje qe Populli te vritet per Juve....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?