Distancat e sigurisë duhet të ruhen edhe në studiot televizive shqiptare

10 Mars 2020, 10:15| Përditesimi: 10 Mars 2020, 13:59

  • Share

E vetmja mundësi për të penguar përhapjen e koronavirusit është të mbahet një distancë sigurie prej të paktën një metër mes një individi e një tjetri, pasi virusi shpërndahet nëpërmjet afërsisë mes personave. Ministria e Shëndetësisë, e cila më në fund ka vendosur të marrë masa shtrënguese (edhe pse ende të pamjaftueshme), i ka bërë thirrje popullatës që të mos frekuentojë ambiente të mbyllura dhe me shumë njerëz.

Por, ndërkohë që televizionet transmetojnë spote në përpjekje për të edukuar shqiptarët me këtë sjellje korrekte, po ato televizione shfaqin pamje studjosh plot me të ftuar e publik, të cilët, të mbyllur në hapësira të kufizuara, i bërtasin njeri-tjetrit. Mjafton që një person i vetëm, i pranishëm në ato studio, ta ketë virusin pa e ditur, që të rrezikojë të infektojë të gjithë të tjerët, të cilët, edhe ata, infektohen në një zinxhir pa fund.

Në pritje që të veprojë Ministria e Shëndetësisë me një urdhër, botuesit dhe moderatorët e talk show-eve duhet të vetërregullohen dhe të ndalojnë menjëherë praninë e publikut në studio televizive, duke kufizuar, nëse është e nevojshme, edhe numrin e të ftuarve të pranishëm, duke garantuar në këtë mënyrë mes tyre të paktën një metër distancë. Report TV e ka bërë një gjë të tillë. Shembulli i mirë duhet të fillojë nga ne, që pretendojmë t’u mësojmë të tjerëve si të sillen. Asnjë nga ne nuk ka imunitet ndaj koronavirusit, as të ashtuquajturit “VIP”-a. (c.b.)

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?