Ministria e Kulturës ka nisur sot në Ditën e Fëmijëve, iniciativën e re, ku bën thirrje për “Mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë”. Qëllimi i kësaj thirrje është që të nxitë edhe të mbështet edhe financiarisht krijimtarinë e autorëve, që shkruajnë letërsi për fëmijë. Teksa rendit edhe mënyrën e aplikimeve, që do të përfshijë autorët mbi 18 vjeç, të cilët do të aplikojnë nëpërmjet botuesve, përcakton edhe se financimi për këtë mbështetje i shkon drejtpërdrejtë autorit.
“Sot është ajo ditë e vitit, që jo vetëm i kushtohet fëmijëve, sepse ne prindërit ua kushtojmë çdo ditë atyre, por që edhe ne të rriturit ndihemi ndopak fëmijë. Sot, u them fëmijëve që të marrin prindërit për dore e t’i tërheqin drejt aktiviteteve të shumta, që zhvillohen nëpër kryeqytet, për të harruar edhe ata sado pak ngarkesën e së përditshmes. Në momentin që flasim, të tjerë fëmijë janë duke u argëtuar në sheshin “Skënderbej”, në Parkun Rinia, te Kalaja e Tiranës, etj. Jam e lumtur që sot kemi mundësinë të argëtohemi të gjithë së bashku me këngë, balet, animatorë, por edhe të ndaj një moment të rëndësishëm që u vlen edhe prindërve, edhe fëmijëve. Ministria e Kulturës ka menduar, që pikërisht sot, të shpallë thirrjen për mbështetjen e krijimtarisë për fëmijë, për vitin 2019”, shprehet Margariti.
Afati i aplikimit përfundon në datë 8 korrik, ndërsa shpallja e fituesve do të bëhet më 30 korrik. Vlera e financimit të Ministrisë së Kulturës për këtë thirrje është 1.000.000 (një milion lekë).Secili prej fituesve do të paguhet në vlerën prej 150.000 lekë.