Emocionet e kanë mbërthyer mësuese Fatime Cerën. Për të sot është dita e fundit me nxënësit. Jo për shkak të mbylljes së vitit shkollor, por përmbyll gjithë periudhën e mësimdhënies e tashmë do të dalë në pension. Ka mbetur e ulur në tavolinën e mësuesit dhe vetëm sodit e mallëngjyer nxënësit e saj duke u përpjekur më kot të fshehë emocionet.
“Patjetër që do të më mungojnë. Kur i shoh të mërzitur, mërzitem dhe unë.”
Janë plot 41 vite në arsim, mes nxënësve e kolegëve duke ndarë me ta momente të bukura e të trishta. Ende nuk e beson që kjo është dita e fundit mes tyre...
“E kam pas shumë pasion si punë dhe kënaqësi. Me thënë të drejtën, pak patëm vështirësi tek situata që na krijoj pandemia. Momentet e bukura janë të gjithë dhe nuk i ndaj dot, që tek veprimtaritë, aktivitetet e gjithçka. Aq sa e vështirë dhe e bukur”
Teksa kujton momente nga jeta e gjatë profesionale, mësuese Fatimes i mbushen sytë me lot, një dëshmi se ndarjet janë gjithmonë të dhimbshme dhe aspak të lehta.
‘Nuk dua lot.”
Mësuese Fatimja na thotë se në klasën e saj ka fëmijë të ish -nxënësve të saj. Eriselda është një prej tyre.
“Ajo buzëqeshja që na jepte mësuesja çdo ditë, përqafimi i saj, mësimi që na shpjegonte, çdo gjë do na mungoj”, tha ajo.
Nxënësit e tjerë mes emocioneve për ndarjen thonë se nga mësuese Fatimja do iu mungojë dashuria e dhuruar në 5 vitet e para të shkollës.