Politikë

Shtyhet vendimmarrja për fletën e votimit, Celibashi kërkon 24 orë kohë për të sjellë vetëm një variant! Debate në mbledhje për kompetencat

30 Mars 2021, 07:22| Përditesimi: 30 Mars 2021, 22:32

  • Share

TIRANË- E marta pritej të shënonte përcaktimin e modelit të fletës në cilët qytetarët do të votonin më 25 prill, por pas 2 orësh, mbledhja e KQZ u mbyll pa një vendim.

Vendimi i kryekomisionerit për t'i dërguar Komisionit Rregullator 3 modele fletësh votimi dhe jo 1, bëri që anëtarët e Rregullatorit dhe përfaqësuesit e opozitës, t'i jepnin 24 orë kohë Celibashit për të propozuar vetëm një model  të fletës së votimit.

Debat gjatë mbledhjes së Komisionit Rregullator shkaktoi edhe pretendimi i përfaqësuesit të Partisë Socialiste, Eridian Salinji, i cili tha se miratimi i fletës së votimit nuk është kompetencë e Rregullatorit, por vetëm i kryekomisionerit shtetëror të Zgjedhjeve.

Pjesë e diskutimeve ishin edhe përfaqësuesit e partive të reja, të cilët kërkuan që pavarësisht se kush do e merrte vendimin, Celibashi apo rregullatori, të bazoheshin në sondazhin e KQZ, ku janë pyetur qytetarët se cilën model flete votimi do të dëshironin, dhe më shumë se 70% e tyre kanë preferuar atë, ku kandidatët identifikohen përmes emrit dhe jo numrit të renditjes në listat e partive.

Modelet e fleteve te votimit

 

Ora 19:49
Mbyllet mbledhja e Komisionit Rregullator pa asnjë vendimmarrje për fletën e votimit, Celibashit 24 orë kohë për të sjellë vetëm 1 variant

 

Përfundon pa një vendimmarrje mbledhja e Komisionit Rregullator, pa një vendimmarrje. Kryekomisionerit Ilirjan Celibashi iu la kohë 24 orë për të sjellë vetëm një propozim.

Ora 19:12
Debate në mbledhjen e Komisionit Rregullator për fletën e votimit, PS: Kompetencë për ta vendosur e ka Celibashi, ju çohuni nga tavolina

 

Debate në mbledhjen e Komisionit Rregullator për miratimin e fletës së votimit.

Eridian Salianji, përfaqësues i PS: Komisioni nuk e ka kompetencë, duhet të vendosë kryekomisioneri fletën e votimit. Ne nuk kemi përse bëjmë me shkrim kërkesë, ne flasim në momentin që shqyrtohet akti i fletës së votimit. Ju duhet të çoheni nga aty (rregullatori) dhe të ulet Celibashi, të vazhdojmë mbledhjen derisa të vendoset fleta

Ora 18:52
Celibashi: S'kam paraqitur një variant për fletën e votimit, por tre! Anëtarja e Komisionit Regullator: E dukshme se cilën fletë duan shqiptarët, ta marrim parasysh

 

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi është shprehur se nuk i ka paraqitur një fletë votimi të caktuar, por 3 variante

"Projekt akti i cili ka për qëllim miratimin e fletës së votimit, numri i kandidatëve në çdo qark është i ndryshëm, kemi vlerësuar që vendimmarrja të jetë e veçantë për secilin qark.

Nuk kam paraqitur një propozim konkret sesi do jetë fleta e votimit, por kam paraqitur 3 variante sipas të cilit mund të jetë fleta e votimit, në 2 prej tyre është me emër, mbiemër kandidati dhe në një variant të tretë, përmbajtja e fletës së votimit është pa emra, kandidatët janë me numrat e renditjes në lista", tha Celibashi.

Megjithatë, kjo është kundërshtuar nga Anëtarja e Komisionit Regullator, Helga Vukaj. Ajo tha se nga sondazhi në Facebook, i hapur në Facebook të KQZ, shqiptarët kanë votuar më së shumti fletën e votimit me emra.

"Më në fund erdhëm edhe te akti më i rëndësishëm, miratimi i fletës së votimit, i cili është në kompetencën e Komisionit Rregullator si akt ligjor, por në kuadrin kur propozuesi është zoti Celibashi dhe ka paraqitur 3 variante, unë kam paqartësinë e ndarjes që duhet t'i bëjmë, akti paraqitet 1 dhe i vetëm dhe prurja në 3 versione na bën të paqartë se cili është vendimi i komisionerit, ndaj ai duhet të na paraqesë 1 version. Mirëpres sondazhin në KQZ dhe është e dukshme se cilën fletë duan shqiptarët, e cila mund të na orientojë për një vendim", tha Vukaj. 

Ora 18:41
Do miratohet përmbajtja e fletës së votimit për 25 prillit, nis mbledhja e Komisionit Rregullator

 

Ka nisur mbledhja e Komisionit Rregullator për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?