Akti ekstrem dhe i paprecedentë i opozitës shqiptare, për të hequr dorë nga mandatet e përfaqësimit në Parlament, është rrethuar me mister dhe hije të forta dyshimi. Menjëherë pas vendimit të Këshillit Kombëtar të PD për djegien e mandateve, deputetët e PD-LSI kanë nisur të firmosin dokumentin e lënien së mandatit. Por, dokumenti i firmosur nga deputetët e Partisë Demokratike nuk ka një datë. Në deklaratat e dorëheqjes, të firmosura nga Lulzim Basha, Sali Berisha dhe deputetët e tjerë demokratë, me përjashtim të Myslim Murrizit dhe Rudina Hajdarit, mungon data, çka mund të përbëjë shkak që akti i dorëheqjes të jetë i pavlefshëm.
Ndonëse kreu i demokratëve Lulzim Basha, teksa publikoi aktin e dorëheqjes si deputet, shkroi se “Nuk ka kthim prapa”, mungesa e datës në shkresën drejtuar Kuvendit, ngre dyshime të forta, për krijimin e një shtegu, për të ruajtur mandatet. Ndërkaq, deklarata e dorëheqjes së ish-kryeministrit Sali Berishës, i shton më tej dyshimet. Në shkresën e firmosur nga Sali Berisha, përpos mungesës së datës, janë përdorur dy stilolapsa të ndryshëm si dhe dy shkrime të ndryshme. Këto janë elemente të mjaftueshme që Berisha të mohojë apo të kërkojë pavlefshmërinë e kësaj shkrese. Misteri shtohet më tej në kushtet kur data e shënuar në deklaratën e firmosur nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, është e pakuptueshme. Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një pakujdesi apo gjithçka është e qëllimshme.
Nuk firmosin tre deputetë
Tre deputetë të opozitës, dy të Partisë Demokratike dhe një i LSI-së nuk kanë firmosur djegien e mandatit të deputetit. Në radhët e PD nuk kanë firmosur heqjen dorë nga mandati deputetë Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi. Zonja Hajdari ka artikuluar prej disa javësh kritika të forta për mënyrën se si Lulzim Basha po e drejton PD. Ndërkohë që nga LSI-ja e kanë firmosur të gjithë, përveç deputetit Lefter Koka, i cili pritej që të mos e nënshkruante, pasi u shpreh zyrtarisht kundër vendimit të opozitës. Koka ka deklaruar se nuk do ta djegë mandatin e tij, ndërsa ka theksuar se ky vendim nuk është i LSI, por një aventurë e Sali Berishës, i cili po tërheq zvarrë LSI, ashtu siç po tërheq Bashën.
Dokumenti i dorëheqjes
Në dokumentin e dorëheqjes renditen arsyet e këtij vendimi, nëpërmjet të cili deputetët demokratë i paraqesin kuvendit dorëheqje nga posti i tyre. “Duke pasur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare, ku ndodhet vendi për shkak: Të asgjësimit të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës; Të kapjes së kësaj Qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore të publikuara nga mediat ndërkombëtare; Të kapjes së kësaj Qeverie në afera flagrante korruptive kriminale; Të eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë; Të paralizës së shtetit, shtypjes sistematike, dhunimit të të drejtave themelore të të njeriut dhe lirive të shqiptarëve duke përfshirë të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës; Duke mbajtur në konsideratë se për këto shkaqe është krijuar një situatë e paprecedentë e krizës ekonomike, emigracionit masiv kombëtar dhe gjendjes katastrofale të mjerimit social; Duke mbështetur plotësisht vendimin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një Qeveria tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare”, thuhet në tekstin e dorëheqjes.
Vendimi i Këshillit Kombëtar
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike votoi dje unanimisht pro djegies së mandateve. Anëtarët e forumit më të rëndësishëm, vendimmarrës së PD kanë mbështetur propozimin e kryetarit Lulzim Basha për djegien e mandateve, si formë presioni për të detyruar shumicën të pranojë qeveri kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme. Vendimi i Këshillit Kombëtar vjen pas vendimeve të Kryesisë dhe grupit parlamentar demokrat për djegien e mandateve. Vendimi është marrë me votim të hapur për shkak të mundësisë së rrjedhjes së votave dhe përçarjes. Ky akt në një farë mënyre është edhe një përgjigje e kryetarit të opozitës Lulzim Basha pas deklaratës së fortë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila u bëri thirrje deputetëve të PD-LSI të refuzojnë skenarin e djegies së mandateve. Gjithashtu, vendimi është një përgjigje edhe ndaj reagimeve të ashpra të Brukselit, OSBE, Gjermanisë dhe Italisë kundër skenarit të djegies së mandateve.
Dyshimi
Në deklaratat e dorëheqjes, të firmosura nga Lulzim Basha, Sali Berisha dhe deputetët e tjerë demokratë, mungon data, çka mund të përbëjë shkak që akti i dorëheqjes të jetë i pavlefshëm.
Gabimi
Misteri shtohet në kushtet kur data e shënuar në deklaratën e firmosur nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, është e pakuptueshme. Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një pakujdesi apo gjithçka është e qëllimshme.
O zot kur do vije ajo dite t'i shohim pas hekurave keta bastarde qe kapardisen maje plehut e jane nje zero per nga niveli intelektual.
PërgjigjuShqiptare nuk duan me qe ata te rimarrin mandatet sepse keta Jane bandite dhe e Kane vendin me burg shyqyr qe erdhi kjo dite qe keta te japin llogari per zullumet qe Kane bere
PërgjigjuNe takimet e dite-nates keto marifete kane diskutuar halete. Vertet per tu habitur qe keta vrastare e kriminele na dorezojne mandatet , se medemek u vjen keq per popullin.Jo ore jo se ujku qimen e nderron por vesin se harron. Ah SPAK e Vetting cna bere!! I mbushen poturet dhe po perpeliten si pula kur i pret koken.U bete gazi i botes o te paudhe!
Përgjigju