Ashtu si katër vite më parë Italia vijon të shohë makthe. Kjo pasi kampionët e Europës nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 0-0 kundër Irlandës së Veriut në ndeshjen e fundit kualifikuese të Botërorit, duke humbur vendin e parë në favor të Zvicrës, që nga ana tjetër fitoi 4-0 kundër Bullgarisë për të prerë direkt një biletë për ‘Katar 2022’.
Trishtim te Italia që shkon në ‘play-off’ dhe rrezikon seriozisht që ashtu si katër vite më parë të mbesë jashtë Botërorit. Në përfundim të barazimit me Irlandën e Veriut trajneri Mancini ‘qan’ gabimet e bërë rrugës, ndërsa shprehet i bindur se do të shkojnë në Botëror dhe ‘ndoshta do ta fitojnë atë’. Ndeshjet e ‘play-off’ do të luhen në mars dhe kush kombëtare synon t’ia dalë duhet me patjetër të eliminojë dy kundërshtarë.
Ndërkohë në grupin I ku bën pjesë edhe Shqipëria, Anglia ka shpërtalluar me rezultatin 0-10 San Marinon. Në këtë ndeshje mbi të tjerët shkëlqeu Harry Kane që realizoi katër gola, duke shkuar në kuotën e 12 realizimeve në kualifikueset e Botërorit dhe duke marrë titullin e golashënuesit në dëm të Depayt me 11 gola.
Ndeshja tjetër e grupit I mes Polonisë dhe Hungarisë është mbyllur me rezultatin 1-2.