Sali Berisha

Doktori paska mbledhur Këshillin Kombëtar të organizatës së tij...

4 Gusht 2023, 21:59| Përditesimi: 4 Gusht 2023, 22:00

  • Share

Doktori paska mbledhur Këshillin Kombëtar të organizatës së tij, ose, më saktë me thënë, atë “institucion” që ka dalë nga “vota e lirë” e demokratëve dhe në përbërje të tij ka mbi njëzet pjesëtarë nga qarku më i vogël i Shqipërisë dhe kryesisht nga një qytezë e vogël periferike, katër prej të cilëve kanë lidhje të ngushtë gjaku me vetë Doktorin, tetë prej tyre janë kushërinj të parë, ndërsa tetë të tjerë kanë lidhje të afërt farefisnie me njëri-tjetrin... Përveç tyre, kjo organizatë që paska thirrur sot Doktori, në përbërje të saj ka ish-drejtues të lartë të policisë së shtetit, që janë përfolur për korrupsion dhe për kontrabandë të naftës, drejtues të lartë tatimesh dhe doganash, drejtor drejtorish, njerëz që përveç vegjetimit dhe përfitimit, nuk janë shquar dhe nuk mbahen mend për asnjë gjë tjetër, apo të tjerë që kanë abuzuar me pushtetin dhe që për shkakun e tyre PD-ja dhe demokratët vijojnë opozitën e gjatë....

Dhe, pasi i paska mbledhur, u paska thënë: “Ne nuk do t’i njohim kurrë zgjedhjet e 14 majit!”

Domethënë, ky Doktor që para zgjedhjeve dilte studio më studio, mëngjes e mbrëmje dhe thoshte që do të fitojmë çdo bashki të Shqipërisë, paska mbledhur Këshillin Kombëtar të organizatës së tij farefisnore dhe krahinore dhe u paska thënë: “Me Edi Ramën nuk mund të ketë kurrë zgjedhje!”

Pra, e thënë ndryshe, Doktori, që kishte premtuar se do t’i sillte demokratët për dy muaj në pushtet, jo vetëm që nuk ka mundësi për t’i sjellë as pas dy vjetësh, por, siç edhe gjasat po duken, nuk do ketë mundesi edhe sikur Perëndia t’i japë edhe njëzet e dy vite ymër.

Me pak fjalë, këta njerëzit e Doktorit, që kanë marrë sot pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të organizatës së Doktorit, dhe që një pjesë e tyre kandiduan në zgjedhjet e 14 majit, të cilët para zgjedhjeve në takimet informale që bënin me njerëzit në të katër anët e Shqipërisë, veç të tjerash, u premtonin se do të fitonin, se, veç votës së demokratëve, kishin edhe votën e të fortëve të zonave respektive, sepse ata ishin prishaqejfur me Ramën, e paskan dëgjuar me vëmendje Doktorin dhe, teksa Doktori ka këputur këto mbroçkulla, ata kanë tundur kokën në shenjë miratimi të fjalëve të tij.

Pra, Doktori që kishte sanksionuar në “Statutin” e organizatës së tij se ai që humbte zgjedhjet lokale do kërkonte votëbesim në Këshill Kombëtar, jo vetëm që nuk e ka çuar ndër mend një gjë të tillë, por edhe pjesëtarët e Këshillit Kombëtar fisnor dhe krahinor të organizatës së tij, nuk e kanë çuar ndër mend se mund t’ia shtinin ndër mend Doktorit.

E thënë ndryshe, Doktori i paska thirrur pjesëtarët e atij që ai e quan Këshillin Kombëtar të organizatës së tij, për t’i thënë atë që u ka thënë për tridhjetë vite me radhë sa herë që i ka humbur zgjedhjet: “Zgjedhjet na i vodhën...! Nuk do t’i njohim zgjedhjet...! Protesta në të gjithë Shqipërinë!” (KUJDES: Doktori e ka shitur lojën përsa kohë që nuk po organizon protesta të fuqishme për të rrëzuar regjimin Rama!!!)

Mbledhja e sotme e Doktorit, të kujton historinë e njohur me Nastradinin, i cili i thirri një ditë njerëzit dhe u tha: “E dini përse ju kam thirrur?” – “Jo!”- i thanë ata. – “Po mirë, - u tha, - kur nuk e dini përse ju kam thirrur, s’kam ç’u them, ikni...” Pas disa kohësh i thirri sërish. Burrat e fshatit vendosën që këtë herë t’i thoshin se e dinë përse i ka thirrur. Sërish e njëjta pyetje: E dini përse ju kam thirrur?” – “Po, e dimë përse na ke thirrur!” – “Meqenëse e dini, - u tha Nastradini, - shumë mirë që e dini, ikni në shtëpi se s’kam çfarë t’ju them...” Qëndroi disa kohë rehat dhe sërish e njëjta punë. Këtë radhë një pjesë e burrave vendosën t’i thoshin që e dinë, ndërsa pjesa tjetër që s’e dinë përse i kishte thirrur. E njëjta pyetje: “E dini përse ju kam thirrur?” Disa u përgjigjën: “Po, e dimë përse na ke thirrur!”, ndërsa disa të tjerë: “Jo, s’e dimë...!” “Shumë mirë, tha Nastradini, - ata që e dinë t’ua thonë atyre që s’e dinë, ndërsa ata që s’e dinë ta mësojnë prej atyre që e dinë!” Kështu edhe kjo puna prej tridhjetë vjetësh me Doktorin tonë!

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 05/08/2023 00:29

    Ne fakt ti Namik je me afer me barcaleten e Nastradinit. Qe rrekesh e ben davane e Sales e ha buken e Rames. Jeni bere kaq te shplare ne hipokrizine tuaj saqe edhe me budallai e kupton se nuk jeni gje tjeter vecse nje shtojce e turpshme e metamorfozes enveristo-ramiste.

    Përgjigju
  • xxx: 04/08/2023 23:51

    Mos ja qani hallin doktor Berishes.Sa te jete ne koalicion me Nard Ndoken fitoren e ka te sigurte.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?