Dokumenti/ Strukturë e re me kompetenca të fuqishme për kontrollin e policisë, gardës dhe organeve të tjera të sigurisë

28 Shkurt 2020, 18:10| Përditesimi: 28 Shkurt 2020, 19:45

  • Share

Krahas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, në kuadër të aksionit anti-krim, qeveria ka planifikuar shndërrimin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme, më parë SHKB, në një strukturë të fuqishme dhe me kompetenca të reja, për të goditur krimin dhe korrupsionin jo vetëm në radhët e policisë, por edhe më gjerë. Në një dokument për zhvillimin e SHÇBA për periudhën 2020-2024, parashikohet hartimi i një projektligji të ri për SHÇBA, e cila do të shndërrohet në një strukturë e ngjashme me njësitë e mbikëqyrjes policore të vendeve të BE-së. Sipas dokumentit, struktura e riorganizuar do të kontrollojë ligjshmërinë e veprimtarisë edhe të strukturave të tjera në varësi të Ministrisë së Brendshme. Aktualisht, SHÇBA ka si objekt, ruajtje e integritetit, parandalimin e shkeljeve të ligjit, zbulimi dhe hetimi i veprave penale, të kryera nga punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe strukturës së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin. 

Ligji i ri për SHÇBA do të harmonizohet me ligjin për SPAK, ligjin për Policinë e Shtetit, për policinë gjyqësore, administratën publike dhe nëpunësin civil, ndërsa do të reflektohen rekomandimet e bëra nga PAMECA dhe ICITAP si dhe një studim për korrupsionin në Policinë e Shtetit. Nisma e re do të shtojë numrin punonjësve të SHÇBA, të cilët do të pajisen me Certifikatë të Sigurimit të Personelit nga DSIK. Punonjësit do t’i nënshtrohen trajnimeve specifike. Do ndryshohet edhe procesi i rekrutimeve me gradë dhe punonjësve civilë të shërbimit. Po ashtu do të hartohet një organigramë e re. Do të rishikohet i gjithë kuadri ligjor, përfshi udhëzime, rregullore dhe urdhra që rregullojnë veprimtarinë e shërbimit në fushën informativo - gjurmuese, procedurale, inspektimit dhe trajtimit të ankesave.

Struktura e re do të ngarkohet me detyrën për zhvillimin e hetimeve proaktive, me aplikimin e formave dhe metodave të veprimtarisë inteligjente, për parandalimin, zbulimin dhe evidentimin e veprave penale të punonjësve të të gjitha strukturave në kompetencë. Hetimet proaktive nga do të zhvillohen për zbulimin e vlerave penale të korrupsionit pasiv/aktiv, shpërdorimit të detyrës, ndërtimeve pa leje, trafiqeve, veprimeve arbitrare, krimit të organizuar dhe kultivimit të narkotikeve. Gjithashtu, sipas dokumentit, struktura e re e mbikëqyrjes policore duhet të rrisë çeljen e hetimeve proaktive për shpërdorim detyre për strukturat e Krimit Ekonomik-Financiar, Antidrogës/Lëndëve Narkotike dhe të zinxhirit komandues të këtyre strukturave në Drejtoritë Vendore të Policisë.

( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?