Hasije Izeti: Lagjia e re e Gjirokastrës u ndërtua mbi eshtrat e të burgosurve të regjimit

3 Korrik 2018, 14:14| Përditesimi: 4 Korrik 2018, 12:32

  • Share

Unë jam Hasie Mehmet Izeti, nga Konispoli, e datëlindjes 1934. Babai im është arrestuar në vitin 1946 dhe është dënuar në vitin 1947, me 8 vite burg, 8 vite internim dhe me sekuestrim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme. Edhe plaçkat e shtëpisë na i mbyllën në një dhomë.

   Hasije Izeti

Hasija është vajza e vetme e Mehmet Izetit, një prej shumë të dënuarve të vitit 1946-1947 në Konispol.  Si një prej zonave kufitare më të nxehta në vend, regjimi i Enver Hoxhës i kishte sytë ditë e natë në atë qytezë kufitare. Menjëherë pas mbarimit të Luftës, strukturat pararëndëse të Sigurimti të Shtetit kishin përpiluar lista të gjata me emra tregtarësh, pronarë, apo eksponentë të ndryshëm që ata dyshonin se mund të ishin kontingjent i agjenturave. Gjatë vitit 1946 janë shënuar një varg procesesh të bujshme në zonën e Konispolit duke nisur me arrestimet e grupit çam, grupin e ballistëve, grupi minoritetit, etj... Shumë shpejt në dyert e Konispolit do të dëgjoheshin pothuajse çdo natë lajme arrestimesh me akuza që ngjanin aq shumë, e që nuk ndryshonin pothuaj një germë nga rasti në rast. Në ato lagje të Konispolit ku ishin pritur qindra çamë të larguar nga masakrat e Zervës, familja e Mehmet Izetit ishte treguar e pakursyer në bujari. Hasija kujton rrëfimet e nënës së saj për ardhjen e çamëve në Konispol dhe ndihmën që u kishin ofruar...

 Në vitin 1945, kur erdhën çamët, nëna ime u liroi dyqanet e shtëpitë. 4 shtëpi që kishim, i mbushi me çamë. Edhe dyqanet ishin të gjithë me nga dy kate. U mbushën plot.

 Hasije Izeti

Por, shpejt, në familjen e këtij bamirësi do të pllakosnin fatkeqësitë. Në vazhdën e arrestimeve të 1946 në Konispol, një natë do të trokiste dera e Mehmet Izetit, e prej asaj nate, bashkëshortja Dize dhe katër fëmijët e tij nuk do ta shihnin më kurrë babanë e tyre Hasija nuk e mban mend natën e arrestimit të babait. As në burg nuk mundi ta vizitonte asnjëherë derisa ai vdiq nën tortura e uri. 
Por hasija kujton shumë mirë  atmosferën në shtëpi pas natës së arrestimit sidomos vuajtjet që përjetonte nëna e saj çdo ditë.

Na e morën edhe nënën në mes të natës, e internuan në Delvinë...

Në fillim të vitit 1947,  në Konispol pritej të vinte një komisioni hetimor i OKB-së, për të verifikuar nëse kishte implikime të qeverisë shqiptare në luftën civile greke. Komisioni mbërriti në qytetin kufitar të Shqipërisë në shkurt të vitit 1947. Ndërkohë qeveria shqiptare i kishte marrë të gjithë masat e nevojshme që ata mos gjenin asgjë komprometuese. Pas arrestimeve të bëra në fund të vitit 1946, nevojiteshin ende disa spastrime nga qyteti. Familjarët e të dënuarve u morën një mesnatë nga shtëpitë e tyre dhe i internuan në Delvinë, në mënyrë që ata të mos kishin mundësi të komunikonin apo tu dorëzonin ndonjë letër anëtarëve të komisionit hetimor të OKB-së. Hasija thotë se nënën ia morën 2 po 3 ditë para se të vinte në Konispol  ky komision hetimor.   

Do të vinte një komision anglez nga Greqia në Shqipëri. Në fakt erdhi. Nënën time e mori Gjolek Alia që ta internonte para 2-3 ditëve të ardhjes së komisionit. E mori në mes të natës dhe e çoi në Delvinë. Ne ulëritëm aq shumë sa u ngrit e gjithë lagjja në këmbë. Tek unë erdhi tezja ime, për të qëndruar me ne.

Hasije Izeti

Hasija qan kur flet për nënën e saj. Ka një histori të veçantë lidhjeje me të. Ajo që kur ishte foshnjë ishte rritur nga tezja e saj Shane Zejno. Atë njihte si nënë. Me të kishte krijuar një lidhje të fortë nënë e bijë. Në shtëpinë e nënës biologjike Hasija do të kthehej përfundimisht në vitin 1947, kur babai do të shkonte në burg. Atëherë do të niste një jetë të re, nën peshën e persekutimit por edhe në një marrëdhënie të dyzuar mes dy nënave. E megjithëkëtë, kur do të shihte si do të vuante gjithë jetën, nëna e saj biologjike, me të shoqin e vdekur në burg dhe katër fëmijët jetimë, Hasija do të ligështohej e s’do ti mjaftonin kurrë fjalët për ta ngushëlluar....  

Hasija e kujton kështu kthimin e nënës nga Delvina, pas internimit të shkurtër:

Në Delvinë nënën e dërguan bashkë me dy persona të tjerë. Atje ishte një shok i dajës tim, Ramadan Zejnos, i cili ishte vrarë në luftë. I thanë që kanë marrë të motrën e Ramadan Zejnos për ta internuar. Të nesërmen, pasi kishte ikur komisioni dhe gjendja ishte qetësuar, e merr nënën time bashkë me ata dy personat e tjerë dhe të shoqëruar nga shoferi i tij, i sjell deri afër një ure, ura e Bogazit, që të mos merrej vesh se i kishte sjellë ai. Pastaj të tre ata erdhën në këmbë nga Bogazi deri në Konispol. Unë po rrija nën një fik dhe e pashë. I thirra tezes po vjen Dizja, ashtu i thërrisja në emër se nënë i thërrisja tezes që më kishte rritur.. Ato kohë pastaj nuk e ngacmoi më Gjoleka nënën time.

Hasije Izeti

Nëna u shndërrua në skelet, 25 kg njeri... 

Nëna e saj do ta përballonte e vetme gjithë peshën e familjes e mbi të edhe persekutimin e pandërprerë të regjimit. Gjithmonë do tia kujtonin se ajo ishte gruaja e armikut të popullit, edhe pse njëkohësisht ajo ishte edhe motra e një dëshmori që kish dhënë jetën në Luftën Antifashiste....

Më vonë nënën time nuk e internuan (nuk e larguan nga Kanosipoli) për hir të të atit të saj, që ishte patriot dhe për hir të vëllait të saj, që ishte dëshmor. Por për të vuajtur ka vuajtur shumë, saqë u katandis në një njeri që peshonte 20-25 kg. Më dhimbsej shumë kur e shikoja që vuante. Nëna punonte në arat e botës, mblidhte ullinj, korrte grurë e punë të tjera të ndryshme. Më dhimbsej shumë kur e shikoja që lodhej aq shumë.

Hasije Izeti

I vijuan provokimet e torturat edhe me vëllezërit e mi...

Kudo që shkonim na e përmendnin. Nuk kishte fjalë tjetër. Nënës sime asnjëherë nuk i thoshin e motra e Ramadan Zejnos, por vetëm e shoqja e armikut. Vëllai im i madh punoi në Delvinë, ishte shumë i zgjuar dhe shumë i zoti si për llogari ashtu edhe për pikturë. U bë një nga dekoruesit më të mirë në të gjithë republikën. Ndërsa vëllanë e vogël që ishte mësues e hoqën nga arsimi dhe e dëbuan edhe nga Konispoli. Kur e diskutuan këtë problem në mbledhje, sekretar i byrosë ishte Ali Maliqi nga Konispoli dhe ai numëroi “krimet” e babait dhe për këto arsye vëllai im, si i biri i “armikut” nuk e meritonte të punonte në arsim. Vëllai im kishte mbaruar universitetin për Pedagogji në Elbasan, por e kishte ndjekur duke punuar. Dy vëllezërit e mëdhenj, Dautin dhe Izetin, hetuesia i ka torturuar vazhdimisht. Ishte një hetues, Mehmet Tepelena, një njeri shpirtkeq që zinte nga ligësia, një kriminel. E torturonte jashtë mase Izetin. E merrte kur errej dhe nuk dihej se ku e çonte. Edhe vetë vëllai im nuk e dinte se ku e çonte. Pastaj e linte vetëm që të kthehej në shtëpi. Një herë, pas mesit të natës e kanë sjellë në shtëpi se vëllai nuk mundej. Një herë më tregoi se si e torturonte Mehmet Tepelena. Komandant i repartit ushtarak ishte Rexhep Valbona, nga Tropoja, që rrinte në shtëpinë tonë. Ai e dinte situatën e vëllait dhe e porositi që të mos firmoste asnjë lloj letre që do t’i vinin përpara, të mos fliste, të mos pranonte asgjë se pastaj s’do të mund ta shpëtonte nga burgu. Shumë rrallë mund të ketë njerëz që të bëjnë atë që bëri Rexhep Valbona, që rrezikoi veten me atë veprim, pasi ishte komandanti i repartit më të madh kufitar të vendit..

Hasije Izeti

Si e mësova vdekjen e babait...

Hasija nuk do ta harrojë kurrë ditën kur mori vesh se i ati kishte vdekur në burg. Nuk do të harrojë sidomos rrethanat si e mori këtë lajm dhe më tej gjithë përpjekjet për të mësuar fatin e tij tragjik, që kishte lënë shenja dhune në jetët e të gjithëve në familje...

Vdekjen e babait e kam mësuar kur shkova te puna e vëllait tim të dytë. Ai ishte bashkë me Ali Goxhanë. Aliut i kishte thënë oficeri i gjendjes civile, që Mehmet Izeti ka vdekur. Kishte ardhur vërtetimi nga Gjirokastra për ta çregjistruar. Ky oficeri ishte komunist dhe i kishte thënë Aliut që vetë nuk do shkonte t’ia thoshte familjes. Ali Goxhai ia tha vëllait tim. Kur shkova e gjeta vëllanë përmbys mbi tavolinë. U ula. Asnjëri nuk fliste. Pas një kohe më thotë vëllai që babai kishte vdekur. Shkuam të dy në shtëpi dha ia thamë nënës. Drejtori i burgut i dërgoi një letër nënës që ajo të paraqitej në burg. Shkoi nëna dhe i kërkoi që t’i tregonin vendin se ku e kishin varrosur babanë, por drejtori nuk ia tregoi i tha “kam urdhër mos të ta tregoj.

Hasije Izeti

Siç rrëfen Hasija, “vite më pas, kur u rrita, kam shkuar në kalanë e Gjirokastrës dhe kam parë vendet se ku janë mbajtur të burgosurit. Atje ishte një grua e moshuar dhe ajo më tregoi dhomat e të burgo  surve të gjallë, dhomat ku bëheshin torturat dhe më hapi dyert e këtyre. Ato ishin si kubé, që kullonin ujë. Kishin dy hekura lart ku lidheshin duart dhe dy hekura poshtë ku lidheshin këmbët. I linin aty me ditë e net të tëra nënë torturë, që vdiqën pastaj aty......

Hasija tregon se një i burgosur, bashkëvuajtës me babanë e saj, i kishte treguar se i ati kishte dhënë shpirt në duart e tij. Ai ishte shndërruar në një skelet, vetëm kockat dhe lëkura.  I torturuar për vdekje, mbase, pikërisht  në ato dhomat e torturës që e bija i kishte parë vite më vonë në burgun e kalasë.  Sipas dëshmive të ish-bashkëvuajtësit, babai i Hasies kishte mbyllur sytë përgjithmonë në atë burg të tmerrshëm. Ai kishte parë edhe momentin kur e kishin marrë trupin e tij dhe e kishin çuar në dhomën e  morgut...dhe për fatin e mëtejshëm të tij nuk dinte më, askush, asgjë... Hasija mkujton se pas përmbysjes së rejgimit komunist, kishte shkuar në Ministrinë e Drejtësisë për tu interesuar për varrin e babait të saj. 

Atje me dhanë dokumentet e babait në një zarf. Me ato dokumente duhej të shkoja në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës sepse atje ndodheshin të gjitha dokumentet e babait, që nga dita e dënimit deri në ditën e vdekjes. Kur shkova në shtëpi gjeta vëllanë që ishte arsimtar në Mirditë. Ai më mori zarfin me dokumentet dhe të nesërmen u nis për në Gjirokastër. Atje, bashkë me shefin e policisë, shkuan në Gjykatën Ushtarake dhe kishin gjetur dosjen e babait. Në vendimin e gjykatës, babai dënohej si “armik i popullit, i partisë”, “simpatizant i Haki Rushitit” etj. Në dosjen e babait tim janë gjetur 4 deklarata, të tri grave dhe të një burri, bashkëfshatarë të tij që dëshmonin se ai ishte dënuar në Greqi. Ai burri më vonë i kishte treguar të birit se e kishin detyruar të zgjidhte ose partinë e Enver Hoxhës ose Mehmet Izetin, prandaj kishte dëshmuar kundër Mehmetit. Të gjitha këto i zbuluam pas përmbysjes së regjimit komunist.

Hasije Izeti

Në kërkim të varrit të babait...

Një vërtetim i lëshuar nga drejtoria e përgjithshme e burgjeve, të cilin familja arriti ta marrë vetëm pas rënies së diktaturës, zbulon se Mehmet Izeti kishte vdekur në burgun e Gjirokastrës me 30 gusht 1952. Familjarët nuk gjetën nëpër dosje e dokumente asnjë të dhënë tjetër që mudn ti ndihmonte të gjenin varrin e babait.  

Kur vëllai im shkoi në Gjirokastër u interesua kudo, duke pyetur shumë njerëz që e kishin njohur babanë ose që kishin qenë edhe ata të burgosur. Asnjë nuk dinte se ku i kishin hedhur trupat e të burgosurve që kishin vdekur në kalanë e Gjirokastrës. Një person që kishte punuar në burgun e kalasë i kishte sugjeruar vëllait që të gjente ndonjë nga punonjësit e varrezave sepse ata i kishin varrosur të burgosurit. Vëllai gjeti një nga varrmihësit dhe e pyeti ku mund ti gjenim ehstrat e babait.  Ai i tregoi se kur shkonin për të marrë trupat e të burgosurve të vdekur, punonjësit e burgut i nxirrnin trupat nga morgu, i thyenin në mes, në dysh, me lopatë, i fusnin nëpër thasë plastmasi të zinj dhe pastaj ua jepnin punonjësve të varrezave. Urdhri ishte që ku të gjenin një tokë të butë, të hapnin një gropë dhe t’i fusnin. I ka treguar gjithashtu se, kur do të bëhej lagjja e re në Gjirokastër në kohën e monizmit, kur traktorët punonin tokën, më shumë dilnin kocka njerëzish se sa dhé. Atje kanë qenë eshtrat e të burgosurve, të cilat nuk dihet se ku janë hedhur bashkë me materialet e tjera inerte. Kështu që nuk kemi gjetur asgjë, jo vetëm neve, por asnjë nga Konispoli nuk ka gjetur eshtrat e të afërmve të vdekur në burgun e kalasë.

Hasije Izeti

Nëna e  saj, Dizja, nuk mundi të jetonte gjatë. Ajo vdiq e dëshpëruar, në shtator të vitit 1971. Hasija e kujton me dhimbje lamtumirën e saj. E katandisur një skelet për së gjalli, me dhimbje therëse në njërën këmbë dhe krejt e pafuqishme, ajo i mbylli sytë  me shpresën se do të gjente paqe në botën e përtejme. Por edhe në lamtumirën e fundit komunistët do të bënin çmos ta pengonin ceremoninë e varrimit të saj. Një urrejtje deri në varr! Më tej në gjithë vitet që pasuan, fëmijët e nënë Dizes, do të jetonin me shpresën se një ditë të paktën do ti gjenin eshtrat e babait, si për të plotësuar amanetin e nënës së tyre, por edhe për ti ndërtuar një varr, ku të mund ta qanin.
Në këtë udhëtim shprese, tashmë ka mbetur vetëm Hasija. Por ajo ëhstë e bindur që s’ka për t’i gjetur më kurrë eshtrat e babait të saj. 


Familja e Hasije Izetit

Në emisionin Dosja K, Hasija sjell edhe dëshmi të tjera të vyera për persekutimin e  familjes së saj por edhe atmosferën e rëndë të survejimit gjatë gjithë viteve të diktaturës në Konispol, një prej pikave më të nxehta  kufitare, ku Sigurimi i shtetit vigjëlonte natë e ditë. 

 Do të vinte një komision anglez nga Greqia në Shqipëri. Në fakt erdhi. Nënën time e mori Gjolek Alia që ta internonte para 2-3 ditëve të ardhjes së komisionit. Kishin frikë se nëna mund tu jepte atyre ndonjë letër apo informacion.  E mori në mes të natës nënën dhe e çoi në Delvinë. Ne ulëritëm aq shumë sa u ngrit e gjithë lagjja në këmbë. Mbetëm vetëm, pa nënën e pa babanë. Pastaj erdhi tezja ime, për të qëndruar me ne.

Hasije Izeti

Sot Hasije Izeti, jeton me pengun që nuk mundi kurrë të gjente eshtrat e babait të saj Mehmet Izeti, por edhe për faktin se nuk gjeti asnjë mbështetje që ti bënte të paktën një varr simbolik ku të mund ta qante atin e saj të pafat. Mehmet Izeti vdiq në burgun e Gjirokastrës i uritur, i sëmurë dhe i torturuar me 30 gusht 1952. Dëshmia e plotë e Hasije Izetit zbulohet sonte në emisionin “Dosja K” të gazetares Admirina Peçi, në Report tv, në ora 20:55. 



Babai dhe nëna e Hasije Izetit

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?