Dosja në SPAK/ Emrat e 10 zyrtarëve të Shëndetësisë të kallëzuar nga KLSH për koncesionin e laboratorëve me vlerë mbi 100 milionë euro, ja kush i merr paratë

27 Janar 2022, 16:41| Përditesimi: 27 Janar 2022, 18:57

  • Share

Report Tv ka identifikuar grupin e zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët u kallëzuan dje në SPAK nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për koncesionin të laboratorëve të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes, si dhe për tenderin e blerjes së monitorëve për pacientët me Covid. Sipas burimeve, është kallëzuar në SPAK për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera Raimond Cimbi, ish-drejtor i Drejtorisë së Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili ka qenë kryetar i komisionit të dhënies së koncesionit, i cili sipas KLSH është i paligjshëm. 

Janë kallëzuar edhe 6 anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit, konkretisht Silva Novi, përgjegjëse e sektorit të Standardeve dhe Protokolleve Spitalore në ministri, Leonora Horanlliu, përgjegjëse e sektorit të Programimit dhe Monitorimit Buxhetit në FSDKSH, Ariola Krymi, mjeke koordinatore në Laboratorin Biokimik në QSUT, Anjeza Alliu, përgjegjëse e sektorit të Prokurimeve, Gazmir Vehbi ekonomist në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve si dhe Armila Ali ekonomiste në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve.

Është kallëzuar në SPAK për shkelje të barazisë në tendera gjithashtu drejtorja e Drejtorisë së Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit në Ministrinë e Shëndetësisë Flutura Beqo, e cila ishte kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave, si dhe dy anëtarët e KVO Oltion Dhono, drejtor i Qendrës Kombëtare teknike Bio Mjekësore dhe Olsi Akshia, përgjegjës i sektorit të Ankesave dhe Administrative dhe Gjyqësore.

Koncesioni i laboratorëve nisi që në 2015 dhe u finalizua në prill të vitit 2019 me vlerë rreth 104 milionë euro. Kontrata u firmos në 24 prill 2019 mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe konsorciumit të kompanive Labopharma me 41%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium. Pronar me 100 % të aksioneve të Labopharma është biznesmeni shqiptar Janis Karathano. Edhe pas AB Laboratory Solutions B.V, AB Laboratory Solutions B.V, themeluar  në vitit 2007 në Holandë, qëndron sërisht zyrtarisht Janis Karathano. AB Laboratory Solutions B.V e regjistruar në Holandë është në pronësi të kompanisë Pegasus. Pronar me 100 % i kompanisë Pegasus është Janis Karathano, me të cilën ka fituar tendera me vlerë miliona euro në shëndetësi. Pra, kompaninë e Janis Karathano, “Labopharma” në Tiranë dhe AB Laboratory Solutions B.V në Hagë, zotërojnë 75 për qind të konsorciumit. Për të plotësuar kriteret, Janis Karathano ka futur në lojë edhe kompaninë franceze Exalab, e cila ka 25 % të të konsorciumit.

Shkeljet sipas KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se komisioni i dhënies së koncesionit të laboratorëve ka refuzuar të pranojë kundërshtimin e Koorporatës Ndërkombëtare të Investimeve (IFC), pjesë e Bankës Botërore, për këtë koncesion. Koorporata Ndërkombëtare të Investimeve kishte kërkuar skualifikimin e grupit të kompanive fituese, pasi njëra kompani shqiptare ishte në ndjekje penale në Spanjë, ndërsa kompania tjetër nuk kishte përqindjen e nevojshme të së drejtës së votës në kompaninë mëmë të saj. KLSH ka arritur në konkluzionin se komisioni duhej të kishte skualifikuar bashkimin e operatorëve, ndryshe nga qëndrimi i Ministrisë që ka pranuar ofertën dhe i ka shpallur fituese.

Komisioni pranë Ministrisë së Shëndetësisë pretendon se informacioni për hetimin ndaj kompanisë shqiptare në Spanjë, nuk është i vërtetë. Në këto rrethana, Komisioni ka shpallur fitues bashkimin e tre kompanive. 

Komento

Komente

  • E kush denohet mbi nje vit?!!: 27/01/2022 18:52

    Neni 258 Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike (Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; ndryshuar me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021) Kryerja nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik i veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, kur tenderi ose ankandi publik është deri në vlerën 800.000 lekë ose ekuivalencën në monedhë të huaj, dënohet me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, kur kryhet në tender ose ankande publike me vlerë mbi 800.000 lekë ose ekuivalencën në monedhë të huaj, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

    Përgjigju
    • Juristi: 27/01/2022 21:04

      Shume e drejte publikimi i nenit 258, tpakten ato bufat gjyqtare ta msojne sepse 80% e tyre kodi penal i duket si hieroglif egjiptian. Cuditerisht neper vendime gjykatash humb termi "ne bashkepunim" qe ligjerisht dhe penalisht do te perkthehej ne 1/3 plus denimit. Nese marrim parasysh se shumat qe flasim i tejkalojne me mijera here ate limitin e 800 mije lekshit atehere duhet te vendoset denimi maksimal sepse spo flasim per pare xhepi. Pra per ta bere me te thjeshte 5 vjet te nenit 258 plus 1/3 meqe kemi te bejme per nje veper penale e kryer ne bashkepunim, perafersisht jemi tek 6 vjet e gjysem. Denimi i shkurtuar zbret automatikisht 1/3, jemi tek 4.3 muaj, ndonje zbritje per personat e pa denuar me pare, ja 1 vit, ceshtja mbyllet me 3 vjet perafersisht. Tek ne cudia eshte qe per kto afera denohen 1 vit sic ndodhi me te akuzuarit per tenderin e uniformave te policise. Paradoksi eshte se nje fakir fukara qe ka bere nje lidhje te paligjshme energjie per te ngrohur fmijet dhe ti gatuaje nje vakt te nxehte, nga ku demi ndaj shtetit shkon diku te 100-150mije lek TE VJETRA, denohet me 2 vjet burg dhe i ben deri diten e fundit, kurse kto shushunjat qe vendosin mbi tenderat denohen me 1 vit, dhe ne burg nuk shkojne kurre. Cudia tjeter eshte qe kto tendera dhe iniciativa ngulmuese per PPP e shendetsise ishte e hienes Beqja, i perfolur per korrupsion galopant, por qe askund nuk merret i pandehur

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?