Ilir Meta, Sali Berisha, SPAK

Dosjet e ‘rënda’, pafuqia e SPAK dhe emergjenca për prokurorë e gjyqtarë të huaj

9 Shtator 2022, 19:07| Përditesimi: 9 Shtator 2022, 19:10

  • Share

Në Shqipëri të gjithë ankohen se ende nuk po shihen rezultatet konkrete të drejtësisë së re në hetimin dhe gjykimin niveleve të larta të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në perceptimin e shqiptarëve dhënia fund e pandëshkueshmërisë në këtë vend, nuk mund të tejkalohet me hetimin dhe gjykimin e dosjeve të lehta, pa i dhënë fund dilemave se kush janë shkaktarët e ngjarjeve të rënda që kanë tronditur Shqipërinë në këto 32 vite, kanë vrarë njerëz, kanë vjedhur paratë e shqiptarëve dhe janë talluar me qytetarët e këtij vendi.

Dhe autorët e kryerjes së këtyre veprave, direkt me urdhër apo dhe indirekt, kanë emra, madje janë dhe në nivelet më të larta të politikës. Duke shitur dhe moral e duke dhënë “leksione” se si mund të ndërtohet demokracia në këtë vend, ndonëse u punuan qindin shqiptarëve, si mund të luftohet korrupsioni, ndonëse e vodhën deri në detaje arkën e shtetit dhe se dhanë shembullin se si nuk mund të bëhet drejtësi në Shqipëri, teksa e shantazhuan deri në asfiksi këtë drejtësi, asfiksi që vijon të jetë prezente dhe tek anëtarët e institucioneve të drejtësisë së re. Ka “non grata” nga SHBA për politikanë të këtij kalibri, apo dhe izolim total për të tjerë. Pra është fakt!

Që të jemi më konkretë dhe të mos e hallakasim lexuesin me teori, këto 32 vite kanë prodhuar krime të tmerrshme vetëm për faj të politikës dhe qeverisjes së këtij vendi. Për pasojë janë nisur por nuk janë bitisur asnjëherë dosje të rënda në ngarkim të zullumqarëve politikë dhe ekzekutivë të lartë, dhe asnjë prej tyre s’ka ‘parakaluar’ me batanie në dorë dhe rroba me ‘vija’ veshur para gardianëve të burgut.

Eshtë lehtë sot të flasësh për tragjedinë e marsit 1997, të shkruash madje dhe libra me kujtime e të furnizosh rëndshëm mediat e të gjitha llojeve me lajme të cilat të gjithë i kanë ditur, ndërkohë që i ke pasur në dorë të gjitha faktet e provat që do dërgonin para drejtësisë ish Presidentin Sali Berisha, ish kreun i SHIK-ut Bashkim Gazidede, ndoshta dhe ish ministrin e Mbrojtjes Safet Zhulali për rënien ne shtetit në 3 ditë e rrezikun e shpërthimit të të parës luftë civile në Shqipëri.

Nëse komisioni i dy “Spartakëve”, Ngjela dhe Braho do të kishin bërë mirë punën e tyre, atëherë shkaktarët e tragjedisë së marsit 1997 do të ishin prapa dyerve të burgut. Madje do të ishin gjallë dhe Gazidede, Zhulali e shumë të tjerë, pasi do të ishin rrëfyer dhe pas rrëfimit nuk do të merrej njeri me ta për t’ua mbyllur gojën në mënyrë misterioze përjetësisht.

Dhe Braho e Ngjela pas këtij kontributi në shërbim të shqiptarëve kishin të gjithë të drejtën e Zotit të botonin fashikujt e dosjes së rëndë të tragjedisë së vitit 1997, në formë libri kujtimesh apo dhe intervistash për mediat shqiptare. Do ishin më të besueshëm, pasi faktet zyrtare do i vishnin dhe me të pathëna.

Po kështu dhe për grushtin e dështuar të shtetit të 14 shtatorit të vitit 1998, kur vetë aktorët e kësaj iniciative për përmbysjen e qeverisjes me dhunë pranuan se kishin marrë detyrat përkatëse, njëri për të mbikqyrur sulmin ndaj Kryeministrisë e RTSH, të tjerë për të mbajtur nën kontroll Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes, Presidencën e deri Bankën e Kursimeve në atë kohë, sot është shitur dhe është nën emër tjetër. Vetëm prokurorët dhe gjyqtarët nuk e shihnin faktin, nuk dëgjonin deklaratat e këtyre aktorëve të grushtit të dështuar të shtetit në mes të sallës, dhe dhanë pafajësi për ta. Por dhe politika heshti në atë kohë. Ishte koha e “delfinëve” të rinj politikë!

Kështu dhe me ngjarjet e tjera, duke nisur me shpërthimin e Gërdecit ku humbën jetën 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, për shkak të biznesit të vdekjes së ngritur nga djali i ish kryeministrit Sali Berisha. Kjo dosje asnjëherë nuk u hap. Por dhe tani që bëhet sikur hapet, zvarritet nga një institucion drejtësie në tjetrin dhe askush nuk e prek me dorë.

Djali 7 vjeçar Erison Durdaj që u vra nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve të Shkelzen Berishës në oborrin e shtëpisë së vet sot duhej të ishte 21 vjeç, ndërsa nëna e tij Zamira nuk do të ishte zemërplasur dhe e pangushëlluar deri në fund te jetës, bashkë me familjen, duke u endur dyerve të institucioneve të drejtësisë për të kërkuar drejtësi.

Kjo ngjarje “prodhoi” dhe një “aksident” automobilistik me pasojë vdekjen në “gjueti” të denoncuesit të aferës së Gërdecit biznesmenit Kosta Trebicka, një azil politik të ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral Luan Hoxha që iku nga frika, por dhe një film në Hollivud “Qentë e Luftës”.

Drejtësia e re as që i qaset kësaj dosjeje, SPAK nuk e ka marrë në dorë ende hetimin e këtij krimi shtetëror, madje as nuk guxon t’i zërë me gojë emrin Sali Berishës, ish kryeministrit të asaj kohe, pa dijeninë dhe lejen e të cilit as në banjë nuk shkonin zyrtarët e shtetit gjatë 8 viteve të mandatit të tij qeverisës. Heshtje totale, ndonëse faktet janë sheshit.

Po kështu me aferën e Rrugës së Kombit, ku nën qeverisjen e Berishës dhe me ndihmën e Bashës u zhdukën nga arka e shtetit plot 230 milionë euro, shifër e nxjerrë nga auditimi i KLSH që drejtohej nga një njeri i asaj qeverisjeje, dhee rruga ka kapur deri më tani mbi 1.5 miliardë euro shpenzime, që vijojnë të rriten. Për vetëm 66 km rrugë po flasim, jo autostradë.

Nuk ështe hetuar tamam as vrasja e 4 demonstruesve të opozitës nga Garda e Republikës, në mes të Bulevardit përballë Kryeministrisë më 21 janar 2021. Jo vetëm që u pengua drejtësia të hetojë, jo vetëm që u manipuluan provat dhe zhdukën kamerat, por gjykata e dominuar nga Berisha dhe Meta nuk mori parasysh as ekspertizën e FBI për armët që kishin qëlluar dhe që i përkisnin drejtuesve më të lartë të Gardës së Republikës. Dhe Garda nuk vepron kurrë pa urdhër, sipas zinxhirit komandues që fillonte nga Berisha, që ishte në godinën e kryeministrisë, vijonte me ish ministrin e Brendshëm Lulzim Basha e deri tek gardisti më i fundit.

Jo vetëm që gjithçka u manipulua hapur, por vetë kryeministri i asaj kohe Sali Berisha publikisht ka deklaruar më se njëherë se kishte vënë snajperë në tarracën e kryeministrisë, për të vrarë dhe ish kreun e opozitës Edi Rama, por dhe për të vrarë jo 4 por 4 mijë protestues nëse tentonin të hynin brenda gardhit të kryeministrisë. Gardh që aktualisht nuk ekziston më.

SPAK, megjithëse e ka gjithë mundësinë e rihapjes së kësaj dosjeje, vrasja e Aleks Nikës është pa autor dhe ka prova të reja që mund të siglojnë rikthimin e kësaj ngjarjeje për hetim, as që e ka marrë mundimin t’ia hapë kapakët. Madje as ta pyesë Berishën për deklaratat kërcënuese por dhe pohuese për krimin e realizuar më 21 janar, nuk ka guxuar.

Po kështu është heshtur për hetimin e dosjes së “bllokut” e ryshfetit 700 mijë euro të Ilir Metës, për aferën CEZ-DIA që zhduku gati 500 milionë euro nga buxheti i shtetit me të akuzuar Berishën e Metën, asokohe kryeministër dhe zv.kryeministër. As që janë pyetur, ndonëse kjo dosje ka shkaktuar një të burgosur si Kastriot Ismailaj, një të arratisur si ish kreu i LRI-së, dhe dyshohet dhe dy viktima, ish ambasadorin tonë në Pragë Qazim Tepshi dhe ish drejtorin juridik të METE, Zamir Stefani.

SPAK nuk ka pyetur askënd deri më tani. Madje as Nuel Kalajn sekserin e Berishës që zhduku plot 7 milionë euro me një dorë, e që organizon çdo fundjavë aktivitete bamirësie në Tiranë dhe Prishtinë. Ndoshta SPAK ka planet e veta, por deri më tani ne s’kemi parë gjë. Dhëntë zoti të jemi të gabuar në konstatimin tonë, pasi e mbështesim SPAK-un.

Mund të flasim dhe për dosje të tjera, që nga ato të lobimit me para ruse të Bashës në SHBA dhe po ato të lobimit të Metës po në SHBA, të cilat njëra u mbyll me procedurë ndërsa tjetra thjeshtë me sa duket ka një tymnajë pasi asgjë nuk do të arrihet. Ose dhe për abuzime të tjera, pa bërë dallime për anësi politike, të cilat ose kanë dështuar ose janë në prag të dështimit.

Ndërkohë që për afër 200 prokurorët dhe gjyqtarët që kanë mbetur në vetting për pasuri të pajustifikuar apo për kriteret e tjera, të cilët i kanë të kopsitura dosjet, as që kemi dëgjuar të jetë dërguar ndonjëri para drejtësisë së re për të marrë atë që meritojnë.

Të akuzon drejtësinë e re është shumë e lehtë, madje shqiptarët kanë të gjithë drejtën e Zotit të jenë të pakënaqur, pasi i dhanë një mbështetje të fortë dhe po ia japin sërish pa limit. Po ashtu dhe partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE e mbështesin SPAK dhe gjykatën e Posaçme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend.

Por një gjë nuk bëhet dot: Këllçet nuk investohen, s’dhurohen dhe as nuk transferohen. Ato i ke ose nuk i ke. Deri më tani është treguar se drejtësia e re s’ka as zemër e as këllçe për t’i rënë në kokë krimit, korrupsionit e zullumqarëve. Pikërisht “nënës” e “babës” së këtyre veprave penale.

Ajo që mendojmë ne, dhe që e kanë aplikuar dhe në disa vende të tjera rrotull nesh, si Rumania, Kroacia e deri tek Maqedonia e Veriut, është thirrja e një kontigjenti gjyqtarësh dhe prokurorësh të huaj, kryesisht nga SHBA, BE dhe Britania e Madhe, të cilët në përbërje të trupës hetuese dhe gjykuese shqiptare të hetojnë dhe japin vendim për dosjet e rënda të korrupsionit dhe krimit në Shqipëri. Të mos shpenzohen më para për një pjesë të këtij kontigjenti të drejtësisë së re që me “brekë nëpër këmbë” mezi kaluan Vettingun dhe që ende nuk e kanë këputur “kordonin” me bamirësit e tyre politikë që i bënë me lekë dhe vila në Lalz.

Ish kreu i Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, në fillesën e kësaj reforme ka pohuar asokohe se në kuadrin e draft-strategjisë që po hartohej, në ndryshimet kushtetuese që propozohen, është hedhur ideja e përfshirjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve të huaj. “Do ketë prokurorë të huaj që do të përfshihen në hetimin e çështjeve në Shqipëri. Ka një çështje që ka të bëjë me përfshirjen e Brukselit në procesin e zbatimit të vendimmarrjes.

Do të jetë në proces vendimmarrës, pra pjesë e institucioneve vendimmarrëse shqiptare. Do të ketë prokurorë të huaj që do të jenë pjesë e hetimit dhe ka një diskutim deri në ç’masë do të përfshihen. Në parim Brukseli është shprehur plotësisht dakord për produktin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë”, ka pohuar Xhafaj në atë kohë.

E mbështetën në këtë ide dhe dhomat e avokatisë, duke kërkuar që të bëhen ndryshime të tilla kushtetuese, që një numër i caktuar gjyqtarësh dhe prokurorësh të huaj, të punojnë edhe te ne. Ndërkohë që në BE ka një ligj, ku çdo qytetar i një vendi anëtar i BE, mund të punojë në administratën publike, të kujdo vendi tjetër anëtar ose kandidat, nëse zotëron disa kritere bazë, sikurse gjuha e vendit ku dëshiron të punojë. Kjo nismë nuk e dimë ku mbeti dhe pse mbeti!

Pavarësisht se pranimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të huaj, që të punojnë në Shqipëri, në institucionet e drejtësisë, s’duhej parë me frikë e spekticizëm, por duhet parë si domosdoshmëri, të rifitimit të besimit te drejtësia jonë. Por dhe do të shuheshin kontestimet politike.

Sikurse specialistët e huaj dhanë asistencë shkencore dhe teknike në hartimin e reformës në drejtësi, në Vetting por dhe në të gjithë sektorët në Shqipëri, ashtu duhet që të bëhen ndryshime kushtetuese që të pranohen dhe gjyqtarë e prokurorë të huaj, sepse vetëm ata do të mundësojnë rifitimin e besimit të luftës kundër korrupsionit, pasi politika do ta ketë të pamundur që këtyre gjyqtarëve e prokurorëve të huaj, t’u imponojë ndërhyrje apo t’ua gjejë “anën”.

Madje dhe mazhoranca socialiste dhe me sa dimë dhe opozita aktuale, ajo e përgjegjeshmja dhe jo ajo “non grata” apo që “kap amerikanët për veshi” nuk janë kundër hetimit dhe gjykimit me prokurorë e gjyqtarë të huaj të të gjithë dosjeve të rënda. Pasi opozita made kërkon dhe hetim ndërkombëtar në disa raste, për akuzat e artikuluara ndaj qeveritarëve të sotëm.

Teksa janë të gjithë dakord, është më se e nevojshme që të bëhen ndryshime në Kushtetutë ku në përbërje të prokurorive e gjykatave shqiptare, sidomos në SPAK, BKH dhe Gjykatën e Posaçme që heton dhe gjykon krimet antikorrupsion të zyrtarëve të lartë, të përfshihen prokurorë dhe gjyqtarë nga SHBA, BE dhe Britania e Madhe.

Të paktën derisa drejtësia e re shqiptare ta marrë veten, të jetë “çliruar” nga ndikimi i “dinozaurëve” të politikës. Eshtë emergjencë, ndryshe do të mbetemi në vend numëro, por dhe do shkelet mbi mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe të shqiptarëve në tërësi. Dhe kjo është një tragjedi për të ardhmen tonë.

S.C/ReportTv.al
Komento

Komente

  • kazani: 10/09/2022 10:10

    Drejtësia shqiptare përbëhet nga shqiptarë, normale. Por të gjithë janë pjellë e një shoqërie dhe mentaliteti që herët a vonë të infekton. Sistemi "i ri" mund të jetë ngritur me qëllimet më të mira. Por përbëhet nga "djali", "vajza", i "xhaxhait","hallës" a "dajës" së dikujt që njeh dikë. Edhe në vënde të tjera ekziston kjo dukuri, por nëse atje të mësojnë që është e gabuar që në çerdhe, këtu të përbuzin nëse nuk e përdor që në djep.

    Përgjigju
  • Pupi: 09/09/2022 21:53

    Sa i squte ky Jakimi. E ka te papame Merua. Ti marrim qe cke me te nga jashte prokurore e gjyqtare. Nga Bangladeshi them une. Ose Turqenia. Ore, po sikur ta marrim edhe opoziten psh nga Burundi??? Ore ju te kuqte, mos e doni psh nje Rame apo Veliaj nga Afrika apo Kina...

    Përgjigju
  • Grsal: 09/09/2022 20:16

    Ah sa shume te drejte keni. U lodhem se prituri.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?