Ilir Meta dhe Sali Berisha

Dosjet e Sigurimit në ‘dorën' e Berishës, paranoja e Metës dhe ‘aritmetika’ e votës

1 Gusht 2022, 18:58| Përditesimi: 1 Gusht 2022, 19:04

  • Share

Në kulmin e vapës së fundkorrikut dhe të fillimit të gushtit të këtij viti, politika shqiptare nuk ka qënë asnjëherë kaq shumë e përqëndruar në betejën mes vetes, deri në konflikt të hapur.

Ishim mësuar që dhe kur kishte zgjedhje në prill, maj apo qershor, menjëherë pas daljes së rezultateve, partitë politike, humbëse apo fituese, lëshonin deklarata të forta për një apo dy javë rresht dhe pastaj i “dorëzoheshin” pushimeve. E lajm për mediat përbënte vetëm fakti se në cilin plazh apo resort turistik, brenda apo jashtë vendit po qëndronin liderët politikë.

Nga mesi i shtatorit fillonte sezoni politik, kur palët si në opozitë ashtu dhe në pushtet garonin me njëra tjetrën se kush lëshon deklaratën më të fortë, kush është më nacionalist se tjetri, apo tashmë vonë kush është më sovranist.

Por këtë vit kanë ndodhur shumë ngjarje, të cilat kanë lënë politikën “pa gjumë” dhe mezi presin daljen e dritës së diellit, kuptohet për të konverguar dhe me orarin mediatik të punës, që del ngadalë në mëngjes, për të hedhur qëndrimet e tyre, shpeshherë të ashpra deri dhe në thyerje kodesh politike, normale, madje dhe njerëzorë në disa raste.

Ndajmë të njejtin qëndrim të gjithë se rikthimi në politikën aktive të Sali Berishës, i cili pas dëbimit të Lulzim Bashës mori drejtimin e PD dhe të Ilir Metës, i cili pas daljes nga zyra e presidencës dhe shkrirjes së LSI, mori drejtimin e partisë së re Partia e Lirisë, e ngritur mbi themelet e rrënuara të partisë së vjetër LSI, politika shqiptare është bërë më e ashpër.

“Dhëndurët” e rinj të politikës, Berisha dhe Meta, të cilët ndonëse e kanë për të disatën herë këtë rol, po tentojnë të tregojnë se rikthimi i tyre në krye të dy partive më të mëdha opozitare, është në kuadrin e dhënies së “një dimensioni të ri” kësaj politike, por dhe se tashmë opozitarizmi i butë i aplikuar nga Basha-Kryemadhi ka marrë fund, duke i lënë fushë të hapur opozitës radikale.

Vetë artikulimi publik dhe politik që Berisha dhe Meta kanë përdorur gjatë tërë kësaj kohe, ku në qendër të goditjes ka qënë mazhoranca socialiste dhe kryeministri Edi Rama, tregon se “valimi” në tenxheren politike të PD dhe Partisë së Lirisë tashmë, ka kapërcyer vlerat normale qoftë për shkak të temperaturave mbinormale që kanë qënë këtë verë, qoftë dhe për shkak të “papastërtisë” mbinormale që “ena” e quajtur opozitë ka në përbërjen e saj. Dhe pika e “vlimit” të një mase të lëngshme jo kimikisht të pastër gjithnjë është mbi normalen, pra mbi 100 gradë.

Këtë po e verteton dhe debati më i fundit që ka shpërthyer në ambientin politik shqiptar, mbi një kërkesë të Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit ndaj parlamentit të Shqipërisë, për të ndryshuar ligjin që pengonte rivlerësimin e figurës së politikanëve dhe nëse ata kanë marrë certifikatën e “pastërtisë” nga ish komisionet ad hock “Mezini” e “Bezhani”, të ngritur posaçërisht për pengimin e depërtimit të spiunëve të Sigurimit në Parlament, qeverisje apo dhe në administratë.

Në këtë kërkesë përmendej me emër dhe mbiemër Ilir Meta(j) si zyrtari më i lartë, i cili sipas këtij materiali të publikuar kishte spiunuar shokun e tij të universitetit Filip Talo, për tentativë arratisjeje, gjë që dhe kishte sjellë arrestimin e tij dhe vënies para zgjedhjes: burg apo të bëhej dhe ai bashkëpuntor Sigurimi. Ishte viti 1989, dhe Talo meqë nuk e duronte as burgun dhe as “drurin”, zgjodhi alternativën e dytë.

Nuk e gjykojmë, pasi nuk dimë të ketë marrë njeri më qafë Filip Talo, por dimë që ka qënë pjesë e administratës shtetërore ndoshta dhe drejtues i ndonjë sektori të vogël në shtet pas viteve ’90, dhe ka ushtruar detyrën e tij si çdo qytetar tjetër i Republikës.

Pikërisht dalja në skenë e dosjes së Sigurimit të Ilir Metës, nxitimi i PD dhe një grupimi në PD për të ndryshuar ligjin për dosjet sipas kërkesës së kryetares së Autoritetit, Gentiana Sula por dhe për dekomunistizimin e vendit, u shoqërua me debate të forta politike deri dhe në shkelje të etikës më elementare njerëzore, siç ishte përmendja e të vdekurve dhe të gjallëve për qëllime politike.

Ilir Meta ragoi menjëherë, ishte normal reagimi i parë i tij duke mohuar gjithçka por dhe duke sulmuar fort Autoritetin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit Genta Sula si dhe kreun e Parlamentit Lindita Nikolla, për përdorim politik nga kryeministri Edi Rama.

Deri këtu gjithçka ishte brenda normalitetit politik shqiptar, pasi Meta s’do të rrinte pa reaguar, me daljen në skenë të dosjes së tij në kërkesëm e Autoritetit drejtuar Kuvendit, me emër dhe mbiemër si ish bashkëpuntor i Sigurimit të Shtetit të kohës së diktaturës, dhe nën akuzën se kishte marrë më qafë sëpaku një bashkëstudent. Aq më tepër që moralisht por dhe ligjërisht i zerohej gjithë përfshirja politika në këto 32 vite.

Por këmbëngulja e mëtejshme e Metës dhe e mbështetësve të tij, në media apo dhe nga ata që ka mbledhur përreth, në goditjen e kundërshtarëve politikë, ku në qendër të sulmeve ishte kryeministri Edi Rama, dhe mungesa e një përpjekjeje formale për të formuluar një kërkesë tre rreshta për t’ia dërguar Autoritetit të Dosjeve që të bëjë publike dosjen e tij, ua ka mbushur akoma më shumë mendjen shqiptarëve, ndoshta dhe me të padrejtë, se ai ka qënë me të vërtetë një spiun i Sigurimit të Shtetit.

Në përgjigjen që Autoriteti i Dosjeve i ktheu Metës për akuzat ndaj këtij instituicioni, i tregohej pikërisht kjo rrugë ligjore: Të bëjë kërkesë për publikimin e dosjes së tij, ku të merrej vesh nëse ka manipulim apo është i vërtetë lajmi i dalë publikisht.

Për hir të së vërtetës janë shumë politikanë që e kanë bërë kërkesën për pastrimin e figurës së tyre politike, thjeshtë dhe vetëm pas një akuze ordinere. Rasti më i fundëm është i ish deputetit Myslim Murrizi, i cili kërkoi me shkrim dhe zyrtarisht nga Autoriteti gjithçka për dosjen e tij. Ishte i pastër sikurse pretendonte, e botoi në faqen e tij zyrtare dhe personale në rrjetin social, e botuan dhe mediat dhe tani askush nuk e artikulon më emrin e tij.

Ndërsa Meta, në vend që të bëjë kërkesë në Autoritet dhe t’i japë fund kësaj pune, ose të pastrojë veten ose ta jetojë zyrtarisht faktin se ka qënë spiun i Sigurimit të Shtetit, sulmon me një fjalor aspak korrekt drejtoreshën e Autoritetit Gentiana Sula, pikërisht njeriun  që vetë ai e mbështeti në ngjitjen e saj politike dhe zgjedhjen në këtë post që mban dhe sot.

Në vend që t’i “nxjerrë” sytë Edi Ramës me certifikatën e “pastërtisë” që do të merrte nga Autoriteti i Dosjeve, nëse do të ishte i pastër, sulmon kreun e qeverisë me akuza që janë vërtet qesharake dhe që kanë të bëjnë me disa karikatura ilustruese të revistës së policisë në “Shërbim të Popullit” revistë e cila ishte publike pas botimit dhe madje jepej të lexohej me detyrim dhe nëpër organizatat e rinisë së asaj kohe, ishte në bibliotekat përkatëse deri në fshatin më të humbur. Pra ishte gjithçka publike.

Për më tepër që njerëzit e Metës, me lejen e tij kuptohet, i përmendin dhe nënën e ndjerë të ndarë nga jeta pak vite më parë Edi Ramës, duke i bërë thirrje të mos fshihet pas fustanit të saj, apo duke e quajtur “djali i Netës”. Pasi përmendja e babait dhe ai s’jeton më, Kristaq Rama, përmes inicialesh fyese, tashmë është bërë rrugë me kohë e me vakt.

Dhe si për t’i hedhur më shumë benzinë zjarrit, ngrihet dhe Sali Berisha dhe deklaron se dosja e Ilir Metës është manipuluar. Pra Berisha e pranon se Meta është me dosje Sigurimi, por “ia kanë manipuluar pak”.

Eshtë një mbrojtje rrënuese kjo e Berishës, jo vetëm për faktin se ai është shpallur “non grata” nga SHBA familjarisht, por dhe për arsyen e thjeshtë se shumica e kundërshtarëve të Ramës, por dhe e shqiptarëve e beson Sali Berishën në lidhje me dosjet.

Sali Berisha është “baba dhe nëna” e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Pasi pastroi sa mundi dosjen e tij që kur erdhi në pushtet dhe u bë President më 1992, duke zhdukur jo vetëm bashkëpunimet por dhe dosjen e spiunëve të UDB Jugosllave, ia ka përmendur Azem Hajdari një fakt të tillë që në vitin 1995 me autoritetin e kreut të komisionit Parlamentar për Rendin dhe SHIK në atë kohë, një kopje të dosjeve të Sigurimit i futi në kasafortën e tij, dhe i ka përdorur sa ishte në pushtet por dhe kur ishte në opozitë. Fakt ky që duhet ta shohin organet ligjzbatuese, pasi Berisha e mban “çelësin” e dosjeve varur në qafë!

Ndërsa Berisha mbron Metën për dosjet e Sigurmit, deri më tani nuk ka asnjë takim mes tyre, për të bashkërenduar mbrojtjen në këtë rast përballë këtyre sulmeve, por as për të riorganizuar opozitën e përbashkët sikurse e deklarojnë në çdo podium.

Pikërisht këtu fillon dhe paranoja e Ilir Metës ndaj Sali Berishës. Duke e ditur se ai i ka dosjet një për një, madje e ka përdorur dhe vetë Metën në 30 vite kundër PS dhe vendit pikërisht përmes kësaj dosjeje, kreu i Partisë së Lirisë dyshon se Berisha është strumbullari dhe njeriu që e ka hedhur dosjen në publik, apo më saktë ka përdorur njerëz që me çdo kusht të bëhet publike dosja në fjalë. Dhe jo thjeshtë dhe vetëm për të tërhequr Partinë e Lirisë në koalicion, apo për t’i ulur kokën Ilir Metës, që e ka nisur me shumë vrull përpjekjen për t’u bërë kreu i opozitës në vend. Eshtë një kalkulim i pastër dhe i ftohtë politik, një aritmetikë e pastër votash.

Berisha, duke e ditur se si person “non grata” në SHBA, Britani por dhe i padëshirueshëm në vendet e BE nuk e sjell kurrë PD-në në pushtet, duke ditur se elektorati dhe anëtarësia e PD është bërë “bakër” në opozitë dhe bëhet dhe me dreqin vetë për të qënë në pushtet, ka frikë se duke iu përgjigjur Metës, populli i “2 marsit”, shumica anëtarë dhe mbështetës të PD, për arsye pragmatike mund të lëvizë drejt Metës. I cili sëpaku nuk është “non grata”.

Demokratët e kanë treguar më së miri se mund të kalojnë me LSI për arsye pushteti. E bënë më 2013, kur e “frynë” LSI me 16 deputetë, duke e lënë PD me 49 deputetë. Dhe është proverbiale radha para selisë së LSI të krijuar pas këtyre zgjedhjeve, ku dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD që ishin drejtorë në administratë, për të ruajtur vendet e punës e duke treguar devotshmërinë për LSI në zgjedhjet e 2013 arritën të marrin teserën e kësaj partie, duke flakur atë të PD. Po të doni emra është listë shumë e gjatë me “akrobatë” të tillë që vijuan punën, madje morën vende vende dhe teserën e PS shumë më vonë.

Kjo ndodhi në zgjedhjet e vitit 2017, kur LSI sërish mori 19 deputetë, duke e katandisur PD-në e drejtuar nga Lulzim Basha me 43 deputetë. Por që u shfry në zgjedhjet e vitit 2021 kur Basha arriti të marrë votat e PD, duke marrë si parti 59 deputetë dhe duke e katandisur LSI-në në bazat fillestare të saj, me 4 deputetë. Por ky rezultat me Kryemadhin në krye të LSI.

Berisha duke e ditur se Meta është “usta” për të marrë vota klienteliste, ku me para ku me premtime vendesh pune, e mbron nga larg, pa e afruar. Shkurt, Sali Berishës i duhet një Ilir Metë me “brekë nëpër këmbë” si aleat, i sakatosur nga akuzat për korrupsion por dhe i rrënuar nga akuza si Spiun i Sigurimit të Shtetit. I duhet një Metë i “futur në ujë” bashkë me PL-në e tij, pasi Berisha e di se opozita nuk vjen në pushtet, ndaj kërkon vetëm “primatin” e saj.

Këtë me sa duket ka kuptuar dhe Ilir Meta, duke e shtuar ndjeshëm paranojën e tij se është Berisha ai që ka luajtur me dosjen e tij të Sigurimit. Gjë që nuk e ka për herë të parë. Paranoja i është shtuar akoma më shumë, pasi që pas takimit në Azerbajxhan, ndonëse janë afër dhe të lirë nga detyrimet shtetërore, afër dhe me Vilat në Lalz, nuk janë takuar vetëm për vetëm asnjëherë.

Dhe nëse Meta si njeri që kapet shpejt nga paranoja, është i fiksuar nga fakti se është mes dy zjarresh njëri në sipërfaqe dhe tjetri i nëndheshëm, do të vijojë të përballet vetëm publikisht me kundërshtarët politikë, pa bërë asnjë përpjekje për të dërguar “tre gisht” letër si kërkesë tek Autoriteti për hapjen e dosjes së tij të Sigurimit. Dhe me këto veprime, jo vetëm që do të bindë akoma më shumë shqiptarë se ka qënë spiun Sigurimi, por dhe do të dalë shumë shpejt nga “binarët” normalë dhe do të dëgjojmë marrëzirat të tjera të nivelit më të lartë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?