Maqedoni e Veriut

Drejtësia karshi nëntokës!

3 Mars, 13:43| Përditesimi: 3 Mars, 13:48

  • Share

Ndryshimet e Kodit Penal të vitit të kaluar, në horizontin e rendit juridik do t’i shpërfaqë pasojat juridike karshi veprave penale të inicuara nga ish Prokuroria Publike Speciale, gjë që në një rast pata paralajmëruar se ndryshimet negativisht do të lënë impakt edhe në gjyqësor, shkaku i asaj që e dimë se në Republikën e Maqedonisë së Veriut, tash e një kohë nuk ekziston një praktikë e dënimit të funksionarëve, të cilët janë të akuzuar për korrupsion dhe krime të ndryshme dhe epilogjet gjyqësore i karakterizon largësia e dritës!

Ulja e pragut të dënimit, do të çonte në zvarritjen e procedurave deri në parashkrimin e lëndëve gjyqësore dhe kështu asnjë funksionar nuk do ta arrinte ditën e shqiptimit të aktgjykimit dënues.

​Jo më larg se javën e kaluar, ish shefi i DSK-së, u lirua edhe nga një akuzë e iniciuar në vitin 2016 nga Prokuroria Publike Speciale për lëndën “Trezor”, ku të dyshuar u paraqitën katër persona edhe atë ish shefi i policisë sekrete, Sasho Mijallkov, eprori i Drejtorisë së Pestë në MPB, Goran Grujevski, ish ndihmës ministri në MPB, Nebojsha Stajkoviç dhe ish shefi i kabinetit të Mijallkovit, Toni Jakimovski, të cilët ishin të akuzuar për shkaktimin e dëmit të buxhetit në lartësi prej 862.045 euro për furnizimin e pajisjeve për nevojat e DSK-së.

Të akuzuarit, njashtu ishin dakordësuar të blejnë pajisje për nevojat e MPB-së nga firma britanike “Gama International”, ndërkaq, si ndërmjetësuese është përdorur firma “Finzi”. Të akuzuarit, jo vetëm që kanë furnizuar pajisje përmes firmës ndërmjetësuese, por siç u sqarua më vonë opinioni, ata kishin nënshkruar edhe dy anekse tjera me çka është paguar një dallim domethënës në çmim prej 26 milionë denarë, në favor të firmës “Finzi” dhe është nënshkruar një kontratë tjetër prej 21 milionë denarë për trajnim të shfrytëzimit të pajisjeve.

​Kjo lëndë, mbaroi me aktgjykim lirues për këta persona, fillimisht si pasojë e ndryshimeve të Kodit Penal, me çka u rikualifikua aktakuza nga Prokuroria Publike nga keqpërdorimi i autorizimit dhe pozitës zyrtare në paragrafin 1 të Kodit Penal të nenit 353, për tejkalim të kufijve të autorizimit zyrtar, sepse në këtë rast dënimet do të ishin dukshëm më të ulëta, për të përfunduar në mungesë të dëshmive nga Prokuroria.

Sipas gjyqtares, Selmani, arsyeja që e ka çuar në dhënien e aktgjykimit lirues ka të bëjë me lëshimin e veprimit të Prokurorisë, i cili nuk ka urdhëruar ekspertizë edhe pse ka pasur mundësi për atë dhese gjykata nuk mund të propozojë dëshmi, qëndrim i cili është në një vijë me avokatin mbrojtës së Mijallkovit, ndërkaq,arsyetimi i Prokurorisë ka qenë se ajo ka propozuar ekspertizë, por gjykata e ka refuzuar. Rasti në fjalë, është shembull eklatant i ping-pong efektit të veprimit dhe funksionimit të institucioneve tona, përkatësisht të prokurorisë me gjyqësorin.

​Ajo çka e karakterizon këtë rast dhe rastet e tjera është emërues i përbashkët i këtyre rasteve të cilët rëndom lëndët o parashkruhen o të akuzuarit lirohen nga akuza për mungesë të provave!

​Rastet e këtilla, edhe njëherë dëshmojnë për prezencën e ndikimit dhe oportunizmit politik në drejtësi dhe i rrënojnë të gjitha shpresat e qytetarëve se në RMV mund të ndërtohet shteti i së drejtës dhe sundimi i së drejtës, vlera themelore të përcaktuara në nenin 8 të Kushtetutës së RMV-së dhe vlera themelore të BE-së ku synon të integrohet tash e ca vite RMV-ja. Prokuroria së bashku me togat gjyqësore, me këto raste po i rrënojnë edhe më shumë këto vlera, në vend të mundësisë për të demonstruar dhe dëshmuar se edhe në RMV mund të ketë drejtësi e jo padrejtësi, klientelizëm, oportunizëm dhe korrupsion politik…

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?