Nikoll Rica, Drejtor i Burimeve Njerëzore, në Departamentin e Shërbimeve Mbështetëse në Policinë e Shtetit doli këtë të hënë para Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, ku iu nënshtrua procesit të Vetingut. Sipas Komisionit, Rica kishte deklaruar një apartament në Tiranë, blerë në vlerën e 1 milionë e 900 mijë lekë, si burim nga shitja e një apartamenti të mëparshëm në zonën e Ali Demit, si dhe kursime familjare.
Po ashtu, Rica kishte deklaruar një garazh 95 metra katrorë blerë në vlerën e 10 mijë euro, si dhe një autoveturë blerë në vlerën e 5 mijë e 500 euro. Komisioni tha se për këto pasuri, subjekti i vlerësimit kishte kryer deklarim të saktë.
Sipas KJV, Rica kishte deklaruar edhe një sipërfaqe toke në periferi të Tiranës, të cilën e kishte shitur më herët. Lidhur me këtë pasuri, Nikoll Rica i tha Komisionit se toka është blerë nga kunata e tij dhe se si pronë në emrin e tij e kishte pasur të regjistruar vetëm një muaj.
“Shuma e parave për blerjen e tokës është paguar nga kunata dhe prej saj nuk kam përfituar asnjë të ardhur. Toka ka qenë në emrin tim vetëm një muaj dhe e kam kaluar sërish në emër të kunatës”, deklaroi Rica para Komisionit.