Jen Easterly

Drejtuesja e sigurisë kibernetike: Armiqtë e SHBA-së, asnjë mundësi të ndryshojnë rezultatet e zgjedhjeve

4 Tetor, 09:38| Përditesimi: 4 Tetor, 09:42

  • Share

Gati një muaj nga dita e zgjedhjeve, drejtuesja e agjencisë kombëtare të sigurisë kibernetike thotë se amerikanët duhet të ndihen të sigurt në rezultatin e zgjedhjeve.

"Zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore dhe lokale kanë bërë aq shumë përparim në sigurimin e votës, numërimit dhe infrastrukturës zgjedhore, saqë sistemi është më i fuqishëm se kurrë", tha Jen Easterly, drejtoresha e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës së Shteteve të Bashkuara. “Nuk ka asnjë mënyrë që Rusia, Irani apo ndonjë kundërshtar tjetër i huaj, të jetë në gjendje të ndryshojë rezultatet”, tha ajo.

"Vendet apo individët keqdashës, edhe nëse do të përpiqeshin, nuk do të kishin mundësi të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve", tha zonja Easterly për agjencinë e lajmeve 'Associated Press' në një intervistë të mërkurën.

Deklarata e zonjës Easterly për besimin e saj në procesin zgjedhor vjen pasi zyrtarët e inteligjencës kanë paralajmëruar për përshkallëzimin e përpjekjeve të kundërshtarëve të huaj për të ndikuar tek votuesit, për të thelluar ndarjet partiake dhe për të minuar besimin në zgjedhjet amerikane.

Komentet e saj janë në kundërshtim me dyshimet që miliona amerikanë, veçanërisht republikanët, kanë për procesin zgjedhor, që pas votimeve të vitit 2020, kur ish-presidenti Donald Trump refuzoi të pranonte humbjen. Ai i ka vazhduar pretendimet e rreme për manipulim të votave, duke krijuar terrenin për të pretenduar se zgjedhjet do të ishin vjedhur nëse ai do të humbiste përsëri këtë nëntor.

Zonja Easterly preku një sërë shqetësimesh të lidhura me zgjedhjet, duke përfshirë dezinformimin, rolin e agjencisë së saj në bashkëpunim me kompanitë e rrjeteve sociale dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj punonjësve të zgjedhjeve, gjatë intervistës 40-minutëshe.

Në Shtetet e Bashkuara tanimë po dërgohen fletëvotime me postë dhe në disa shtete ka filluar edhe votimi i hershëm nëpër qendrat e votimit. Ajo gjithashtu tha se agjencia e saj është në kontakt me zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë rajonet e juglindjes që janë dëmtuar nga uragani Helene. Ajo i lavdëroi punëtorët për punën e madhe ndërsa përpiqen të sigurojnë që votuesit të jenë në gjendje të hedhin votën e tyre pavarësisht dëmeve.

Duke e pranuar se besimi i shumë amerikanëve në zgjedhje "është tronditur", zonja Easterly nënvizoi se sa të përgatitur janë zyrtarët zgjedhorë për emergjenca, gabime të thjeshta dhe sulme dhe sa të motivuar janë ata për të mbrojtur votat e amerikanëve.

Zyrtarët e zgjedhjeve kanë punuar vitet e fundit për të rritur mbrojtjen e sigurisë kibernetike rreth sistemeve të votimit të vendit. Ata bëjnë testime të rregullta për të identifikuar dobësitë e mundshme. Zyrtarët testojnë gjithashtu pajisjet e votimit përpara zgjedhjeve për t'u siguruar që ato funksionojnë siç duhet.

Zonja Easterly vuri në dukje shtresat e sigurisë dhe transparencës, siç është regjistrimi në letër i votave në më shumë se 97% të zonave të votimit, si metodë që do të ndihmojë në verifikimin e rezultateve.

"Ka mundësi që diçka të shkojë keq. Mund të ketë një stuhi tjetër. Mund të ketë një sulm kibernetik", tha ajo. "Këto ndërprerje do të kenë ndikim, por jo në votat që hidhen ose votat që po numërohen".

Gjatë muajve të fundit zyrtarët amerikanë kanë ngritur akuza penale, kanë venë sanksione dhe kanë paralajmëruar publikisht se kundërshtarët e huaj po shtojnë përpjekjet e tyre për të ndikuar tek votuesit në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Administrata e Presidentit Joe Biden muajin e kaluar zbuloi dhjetëra faqe interneti të rreme të drejtuara nga Kremlini dhe akuzoi dy punonjës të medias shtetërore ruse si pjesë e një skeme për të financuar fshehurazi disa influencues konservatorë të rrjeteve sociale. Javën e kaluar, tre operativë iranianë u akuzuan për sulm kibernetik ndaj ekipit të fushatës zgjedhore të kandidatit republikan për president, Donald Trump.

Agjencitë e inteligjencës dhe kompanitë e teknologjisë kanë zbuluar individë rusë dhe iranianë që përdorin faqe interneti të rreme dhe profile në rrjetet sociale për të përhapur dezinformata, për të nxitur ndarjen dhe për të ndikuar te votuesit amerikanë. Irani dhe Rusia janë përpjekur të ndikojnë edhe në zgjedhjet e kaluara në Shtetet e Bashkuara përmes dezinformimit dhe sulmeve kibernetike në internet. Zonja Easterly vuri në dukje se Kina gjithashtu ishte "shumë e interesuar" për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2024.

Përtej fushatave të ndikimit, ajo tha se agjencia e saj nuk kishte zbuluar ndonjë aktivitet që synonte minimin e sistemit zgjedhor.

"Ne nuk kemi parë një aktivitet të veçantë kibernetik për të ndërhyrë në infrastrukturën ose proceset aktuale zgjedhore", tha ajo.

Përhapja e dezinformatave zgjedhore është bërë një shqetësim serioz. Një prej pasojave të tyre, që zonja Easterly e cilësoi si një shqetësim në rritje, janë kërcënimet kundër zyrtarëve zgjedhorë të të dyja partive dhe, në disa raste, familjeve të tyre. Këto kërcënime sipas saj, shpesh marrin si shkas pretendimet e rreme për zgjedhjet e vitit 2020.

"Zyrtarët e zgjedhjeve nuk janë burokratë pa fytyrë", tha zonja Easterly. "Ata janë njerëz që i shohim në komunitet çdo ditë. Ata nuk po e bëjnë këtë për pagesë. Ata nuk po e bëjnë për lavdi. Ata po e bëjnë këtë sepse besojnë në procesin e demokracisë."

Senatori amerikan Mark Warner, demokrat nga Virxhinia, që drejton Komisionin e Inteligjencës së Senatit, javën e kaluar i shkroi një letër zonjës Easterly duke i kërkuar agjencisë të ndërmerrte hapa të mëtejshëm kundër dezinformimit, duke përfshirë koordinimin me platformat e rrjeteve sociale për të luftuar pretendimet e rreme.

Gjatë intervistës, zonja Easterly e pranoi se mjedisi informatik është kaotik dhe i vështirë, duke shtuar se agjencia e saj punon me zyrtarët e zgjedhjeve për të përhapur informacionin e saktë. Megjithatë, ajo gjithashtu e bëri të qartë se agjencia e saj nuk monitoron faqet e rrjeteve sociale e as nuk përpiqet të kontrollojë përmbajtjen e tyre.

"Ky nuk është roli ynë", tha ajo.

Kandidati republikan për nënpresident JD Vance gjatë debatit televiziv me rivalin e tij demokrat Tim Walz, të martën, e akuzoi qeverinë federale për "censurë".

Zonja Easterly e mbrojti fuqishëm agjencinë e saj, të njohur si CISA.

“CISA nuk censuron, nuk ka censuruar kurrë”, tha ajo. "Akuzat kundër CISA-s janë të mbushura me pasaktësi faktike."

CISA, së bashku me agjencitë e tjera federale, ishte pjesë e një padie të ngritur nga shtetet e udhëhequra nga republikanët duke pretenduar se qeveria federale kishte ushtruar "trysni të pandërprerë" për të detyruar ndryshime në përmbajtjen e publikimeve në platformat e rrjeteve sociale. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara më pas vendosi se shtetet nuk kishin të drejtë ligjore për të paditur.

Zonja Easterly i inkurajoi votuesit që nuk janë në dijeni se si zhvillohen zgjedhjet, të kontaktojnë zyrën lokale dhe madje të dalin vullnetarë për të shërbyer si punonjës të qendrës së votimit, në mënyrë që të kuptojnë procesin dhe masat mbrojtëse tanimë të vendosura. Ajo paralajmëroi gjithashtu se kundërshtarët e huaj pothuajse me siguri do të kërkojnë të përfitojnë nga procesi i numërimit të votave pas ditës së zgjedhjeve si një mënyrë për të minuar besimin në rezultat. Ajo u bëri thirrje votuesve të jenë të durueshëm, duke theksuar se mund të duhen disa ditë që të përcaktohet fituesi i zgjedhjeve për president.

"Ne duhet të bashkohemi si amerikanë për të mbrojtur dhe ruajtur atë që është më e çmuar", tha ajo.

“Ky është themeli i demokracisë sonë, zgjedhje të drejta, të lira dhe të sigurta”./VOA

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?