Dreka mes deputetëve demokratë

Dreka e funditvitit, dreka e gabuar, dreka e turpit

29 Dhjetor 2022, 11:18| Përditesimi: 29 Dhjetor 2022, 12:28

  • Share

Ka ardhur koha t'i jepet fund spektaklit banal që luhet brenda PD-së.  Një vit të tërë rrihemi, shahemi, anatemohemi, shtyhemi, pështyhemi, ndahemi, zihemi, përbuzemi, turpërohemi, urrehemi, ndërsehemi, demaskohemi, si Alibashë, pengje të Ramës, tradhtarë, të korruptuar, të shitur, të blerë, armiq të demokracisë etj, nga  Sali Berisha dhe mbështetsit e tij, ndëra pala tjetër, kjo e PD e ka quajtur atë "foltore, non grata, berishizëm, trekëndëshi i Bermudës, politikë e vjetër, punistë, ramizistë, të pashpresë, të refuzuar nga perëndimi, leninistë", etj, dhe... dhe.... dhe..... befasisht, shikon që ata pra, që dhe dy ditë më parë desh na u vranë e desh na u prenë me njëri tjetrin, jo në një skutë do si do, por mu në mes të sallës së Kuvendit, i shikon në një foto duke ngritur dolli sikur asgjë nga këto që sapo citova të mos kishin ndodhur kurrë në sytë e gjithë botës.

Jorida, Gazi e të tjerët që i shkuan Saliut në drekë, në mos janë në lojë, treguan që janë naivë. Por, urojmë që të paktën, pas kësaj të mos quhen më Alibashë, pengje të Ramës, të shitur edhe nëse nga nesër do vazhdojnë të mos jenë sërish me non gratën. Afërmendsh, kjo që ka ndodhur në fermën e kafshëve shtëpiake të burrit të nderuar Rexhep Uka, në mos naivitet i deputetëve të PD, do mbahet mend në historinë politike si një akt diletant politik. Miopi e shkallës më të lartë. Mungesë e inteligjencës dhe intuitës politike. Mosnjohje e thellë e taktikave të Sali Berishës, mjeshtrit të kulisave, kurtheve dhe intrigave ballkanike.

Do uroja sinqerisht, që në mos të gjithë deputetëve që ishin në drekë me Berishën, që i rezistuan deri sot në mëngjes sulmeve dhe presionit të jashtëzakonshëm të makinerisë berishiste duke i qëndruar përballë, disave prej tyre, historia shqiptare, por edhe partnerët ndërkombëtarë, të mos ua kujtojnë drekën e sotme të gabuar si luga e çorbës që hëngrën në fermën e kafshëve të Rexhepit në fundvitin e 2022-it. Sepse në sy të tyre, Sali Berisha, i pozicionuar në mes të sofrës si Jezusi në "darkën e fundit",  i njoftoi shqiptarët për një fillim të ri të grupit të tij parlamentar.

Ashtu qoftë! Dhe ashtu u bëftë! Ndaj sot është pikërisht dita që të ndahet njëherë e mirë shapi nga sheqeri. Boll më me pirueta deputetësh të hallakatur që s'dinë ku janë, s'dinë pse janë aty ku janë, s'dinë kush janë, dhe ku do shkojnë.  Gjithsecili duhet të pozicionohet qartë me veten, me mbështetësit e tij në zonat elektorale, me qeverinë Amerikane, Britanike, BE-në,  partitë popullore dhe me mbarë opinionin publik. E lavdërueshme është e vërteta që nuk fsheh gënjeshtrën! Ndaj boll më! Deputetët duhet të pozicionohen qartë dhe përfundimisht. O me PD dhe Amerikën, o me foltoren dhe non gratën. Neutralët janë në të drejtën e tyre për të qenë të tillë, por ata nuk ka pse të llogariten herë me PD, dhe herë të foltores.

Sepse siç thotë Nathaniel Hawthorne jemi në kushtet kur "Askush nuk mund të mbajë për shumë kohë, një fytyrë në privatësi, e një tjetër në publik, duke harruar pastaj se cila është fytyra e vërtetë."   Ne këtu dallohemi nga foltoria dhe non grata e pasuesit e tij. Ne nuk anatemojmë askënd. Ne nuk i paragjykojmë, as i shajmë, as i urrejmë ata që zgjodhën t'i bashkoheshin Atij që një vit më parë e përjashtuan nga partia për nxitjen e dhunës më 8 janar 2022. Ne nuk i quajmë pengje të non gratës as ata që iu bashkuan pas 6 marsit, as ata që shkuan pas tij në verën e nxehtë, as ata që shkuan gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar bashkishë. Ne nuk do anatemojmë, shajmë a urrejmë as ata që mund t'i jenë bashkëngjitur sot në fermën e Xhepit, Non Gratës  dhe foltores. Përkundrazi, i mirëkuptojmë.

Ne nuk shajmë sepse e dimë që njeriu në politikë veç idealit ka dhe interesa. Ka dhe halle. Bën llogari karrierën personale. Ndoshta, ka dhe relacione private. Tek e fundit, lëvizja është zgjedhje. Dhe zgjedhja, është zgjidhje. Ama, zgjedhja është akt. Këtë nuk duhet ta harojë askush prej tyre. Aktin, deputeti duhet ta mendojë mirë para se ta kryej në raport me pasojat që mund të prodhojë. Për shembull. Shtrohet pyetja. Akshët që do t'i bashkangjiten foltores (nëse do ketë vërtet të tillë), a janë të gatshëm të ballafaqohen me faktin që Non Gratën anglo-amerikano-evropiane ta bëjnë me grup parlamentar vitin e ardhshëm?!

A i llogarisin pasojat që do ketë PD në terma afatmesëm dhe afatgjatë nëse ajo bie tërësisht në duart e Non Gratës së refuzuar përjetësisht nga perëndimi?! Kaq. Asgjë më shumë nuk duhet të llogarisin në mendjen e tyre para se sa të hedhin hapin final. Me qëllim që ai të mos jetë hapi i tyre fatal. Në cilësinë e anëtarit të kryesisë së PD, i lejoj vetes t'i them kujtdo që nuk e ka gjetur ende rrugën e vet, KUSH TË DOJË, TË RRIJË! KUSH TË MUNDË, TË RRIJË NË PD, dhe të jetë aktiv. Kush nuk mund dhe kush nuk do, të ikë!

Duke ikur, na ndihmon shumë. Nuk të urrejmë, të falënderojmë Është emergjencë që nga ana e Enkelejd Alibeaj të mblidhet kryesia e PD. Ajo duhet bërë funksionale dhe të prodhojë politikë në mjedise të reja të marra me qera, për aq kohë sa selia qëndrore është uzurpuar forcërisht nga Sali Berisha. Ne, lipset të organizohemi, të komunikojmë politikisht me opinionin publik, të shpalosim platformën tonë, t'u ofrojmë shqiptarëve politikën ndryshe me një ekip pa mëkatet e korrupsionit të së shkuarës si një lëvizje me vokacion të qartë demokratik dhe properëndimor.

Pra, sot pas kësaj dreke të gabuar, është pikërisht koha ta ndajmë kush është me ne dhe kush me foltoren. Kush nuk është qartësisht me ne, nuk ka pse të kosiderohet si yni, por, dale se ashtu e ka një hall. Jo më!  Duhet me qenë të qartë. Kush nuk e di se ku do mbërrijë, nuk ka pse niset në atë rrugë. Ne e dimë ku do shkojmë. Ndarja nga e shkuara, është imediate. Ndaj fokusi ynë do jenë qytetarët shqiptarë, jo foltorja me besnikët e vet. Ata janë duke konsumuar kohën e tyre deri sa të shkojë në fundin e saj të paracaktuar.

Ps:  (Ti japim Çezarit atë që i takon. Nga të gjithë ata që ishin në atë sallë vetëm dy vetë ishin në vendin e duhur; Sali Berisha dhe Rexhep Uka.Njëri politikan dhe tjetri biznesmen. Berisha bëri lajmin për militantët dhe opinionin publik. Të tjerët dolën dhe përgënjeshtruan Berishën.... Xhepi fitoi paratë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?