Tatuazhi mbi trupin e djalit vrasës të oficerit dëshmor të policisë na e provoi sërish se në çfarë gjendje e kemi sot një pjesë të rinisë, ku nuk afrohet dot shteti. “Unë dua të bëhem killer” epigrami i tatuazhuar në trupin e djalit, që përfundoi po njësoj si viktima fatkeqe e tij, na përshfaqi cinizmin e kohës sonë por më shumë se kaq modelin e një pjese jo të pakët të rinisë. Më i hidhur ende është konstatimi sepse Shqipëria jonë ashtu si çdo vend, 20-30 vite më vonë, do të ketë pikërisht në fasha të saj shoqërore pikërisht imazhin e këtij brezi. Jo më kot, policia e shtetit në referimet e saj nxjerr se: kriminaliteti në vend ka pësuar rritje në 5 vitet e fundit, ku krimet e kryera nga të rinjtë e fashës 17-25 vjeç janë rritur me rreth 30 për qind, sidomos në vitin pandemik. Po se pse habitemi vallë, kur shikojmë modelet dhe makinat e shtrenjta që i ngasin çunakë dhe vajza fare të njoma që lenë zhurmat e llahtarshme pas vetes, kjo na bën vërtetë disi qesharakë?! Kjo është shoqëria që kemi ngritur, me mungesë totale të check and balance dhe mbi të gjitha me nivele të paimagjinueshme informaliteti.
Aristoteli, mësuesi i madh i njerëzimit, shprehej në kohën e vet se: “Shprehitë e mira të formuara qysh në rini do bëjnë diferencën”. Dhe, realisht është inercia e atyre trandjeve të shoqërisë shqiptare, në tre dekadat e fundit që po japin impaktin e hidhur ngado. Dhe, jo thjesht për shthurjen e motivimit të rinisë por edhe humbjen e besimit të tyre ndaj vendit prej këtyre politikanëve, që sidomos pas Marrëveshjes të vitit 2008, Rama-Berisha, e kanë prishur politikën normale të vendit tonë. Paradoksi vazhdon kur mendon se: vetë pjesëtarë të rinisë, shfrytëzohen si butafori në daljet e kryetarëve që i kanë gati me tapi partitë, duke lejuar të përdoren deri turpshëm prej tyre. Po cili mund t’i japë rinisë vizion ndryshe apo shpresë, kur partitë janë të zhytur në sherrnajën e zakonshme të mbijetesës në politikë duke krijuar debate artificiale? Tashti për tashti kjo duket e largët, pasi edhe vetë përfaqësuesit e rinisë në politikë janë thjesht zgjatime të kryetarëve të partive së sotme me mendime gati po kaq të prapambetura sesa edhe “të vjetrit” e partive të tyre.
Pak ditë më vonë, gjithçka është harruar tashmë për djalin vrasës, që mezi e morën edhe në morg, referuar medias (një tjetër çështje që nxori shkatërrimin e familjes sonë, pjesë e shumë e problemeve sociale në vend), pasi ngjarja e hidhur dhe i gjithë varrimi tejet protokollar i dëshmorit të radhës erdhi në ditët kur Shqipëria është mbarsur sërish me tymnajën e politikës së “Foltores” së ish-liderit të PD-së. Shqiptarët e kanë mendjen më shumë te sherri i radhës Berisha- Basha dhe çfarë do të nxjerrin nga goja të dy respektivisht ndaj njëri-tjetrit, fakt që nuk i ka zhgënjyer me bëmat alla-Berisha. Më i qetësuar në këtë sherr, po gjendet kryeministri i vendit, Edi Rama që po plotëson miljet në ajër me qëndrimet jashtë vendit dhe në lehtësinë e madhe, që po i falin mbarëvajtjes së mandatit të tij të tretë, kinse kundërshtarët e vet.
Por a është vetëm kjo situatë e dhimbshme më e hidhura për rininë, apo edhe braktisja nga politika? Jo. Shqipëria është e para ndërmjet katër vendeve në Ballkan që kanë ritmin më galopant të plakjes në kontinent…Shtesa natyrore e popullsisë shqiptare ka shënuar nivelin më të ulët historik duke iu afruar zeros, pasi në 2020 rezultoi të ishte 470 lindje më shumë se vdekje dhe që tashmë e rrit moshën tonë mesatare deri në 37.6 vjeç nga 37.2 vjeç që referohej në 2019.
Sapo dalin këto të dhëna, që janë vërtet trandëse, harrohen pasi Shqipëria i ngulet sërish debatit shterp politik. Ashtu ndodhi edhe me raportin e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë “Rinia në Shqipëri”, duke iu referuar të dhënave prej takimeve me të rinj në 12 qarqe të vendit, ku u përfshinë 1210 persona, e i cili gjeti se: “niveli i papunësisë tek të rinjtë mbetet në nivele shumë të larta, nivel ky që varion nga 20.9 % në vitin 2019, sipas INSTAT në 32.8% sipas ILO-s (Organizata Botërore e Punës), ndërkohë që sipas Anketës Kombëtare “Rinia në Shqipëri 2019”, 73% e të rinjve të intervistuar e adresuan faktin si problemin e tyre më shqetësues”.
Më shqetësues është fakti se tashmë rinia është shkëputur edhe nga grupi gri i menefregizmit ndaj politikës dhe ka një mungesë totale të besimit ndaj çdo vlere. “Në nivel kombëtar, 62% e të rinjve nuk kanë besim tek partitë politike shqiptare, ndërsa rreth 57% e tyre e vlerësojnë me zero pikë punën e pushtetit vendor”, thuhet në të njëjtin raport.
Paradoksi nuk mbaron këtu, pasi tashmë të rinjtë pranojnë të përdoren vetëdijshëm edhe si dekor. Berisha i ka pas vetes të rinjtë në “turin e Foltores” së tij; LSI i mban me vete dhe bën turne të gjata në Jal; ashtu si Partia Socialiste i drejtohet pafund , përmes politikanëve të saj, të ardhmes dhe politikave rinore. Por shqiptarët e rinj vazhdojnë ikin e ikin, ashtu si po bëjnë të gjithë në Ballkan dhe më gjerë se politikat që i rrethojnë jo vetëm nuk janë miqësore por ua kanë ngritur më sipër kuotën e murit, si metaforë të mungesës së shpresës. Çfarë mund t’i thuash të rinjve në rrethe kur shikojnë individët e pushtetit lokal krejt të pazotë për të ndryshuar fatet por më shumë se kaq, që pasurohen në kurriz të komuniteteve dhe nuk dinë të gjenerojnë punë për brezat e rinj? Si ka mundësi që tashmë mund të bëhen dhe lejohen projekte dhe nga vetë pushteti lokal me organizmat e huaja dhe në stafet e pushtetet lokale ke gjithnjë e më shumë të pazotë? Si ka mundësi që në emër të rinisë flitet kaq shumë dhe partitë janë të ngulfatura me të njëjtit njerëz, që nuk dinë të thonë asgjë?
Nga kjo zbrazëti, shtuar edhe me modelet false që po ngre rinia, Shqipëria rrezikon të rrudhet e të plaket duke na lënë një vend jo thjesht pa shpresë por edhe tejet të vockëluar. Ajo pjesë e madhe e rinisë që nuk përball luksin e një pjese të bashkëmoshatarëve pasuruar frikshëm dhe jashtë çdo kontrolli në sy të administratës së korruptuar e pushtetarëve të pazotë dhe sidomos abuzivë, shtuar me humbjen totale të besimit, vetëm ikën e zhduket nga vendi. Madje, duke marrë dhe familjet me vete. Ashtu si e vërente me kujdes shkrimtarja e njohur kroate Slavenka Drakuliq në një artikull për “The Irish Times”: “Për më tepër, sot të rinjtë nuk largohen vetëm, por marrin familjen e tyre; një tregues i qartë i synimit të tyre për të mos u kthyer. Edhe motivet e tyre kanë ndryshuar: sipas hulumtimeve dhe sondazheve të ndryshme, arsyet e largimit nuk janë më ekskluzivisht ekonomike, por edhe sociale, të tilla si korrupsioni, padrejtësia dhe mungesa e shpresës për një të ardhme më të mirë”.
Situata rinore e vendit tonë ose më saktë e atyre që rrinë përbëhet nga pak ata të rinj, që ndjekin Berishën, Ramën dhe Bashën, e të cilët u qëndrojnë pas si statuja memece, duke mos thënë asgjë, kurse më agresivët duke iu bashkuar koreve për të mbajtur atë apo atë qëndrim partive. E gjitha, thotë atë që në fund të gjithë e kuptojnë: Shqipëria është gjithnjë e më pak vendi i të rinjve të vet të vërtetë, që nëse nuk gjejnë një punë thjesht ikin.
Dhe, nuk kishte epilog më të dhimbshëm se ajo me vrasësin e ri të dëshmorit. Ndërsa ky i fundit la një familje jetime, me shpresa të prera në mes; vrasësit pothuaj mezi iu përgjigjën edhe për veprimin funebër. Dhe, sërish me Drakuliç: “Në fund, nuk është aq e vështirë të kuptosh: njerëzit do të qëndronin nëse do të shihnin një të ardhme për veten dhe fëmijët e tyre. Por kjo është gjëja e fundit që japin qeveritë. Në vend të kësaj gënjeshtrat dhe premtimet e tyre boshe ushqejnë mosbesimin tek elita politike – e cila nga ana tjetër bëhet një arsye tjetër për të emigruar”. Kjo e ardhme mungon sepse vendi është mbushur me modelet krejtësisht boshe dhe pa jetë të të rinjve, jo pak prej të cilëve syresh, ngjiten në luks prej krimit, para syve indiferentë të korrupsionit. Ashtu, si po mbijetojnë qoftë edhe me humbjen e besimit, një pjesë e atyre të rinjve jo të pakët në vend, që presin shenjën në start…për ta braktisur vendin. (Homo Albanicus)