Dule: S'kemi vendosur
ende për koalicionet

17 Prill 2012, 14:43| Përditesimi:

  • Share
Kryetari i PBDNJ Vangjel Dule shprehet i pavendosur në lidhje me pozicionimin e partisë që ai drejton në një nga blloqet më të mëdha politike apo në bllokun e partive të qendrës bashkë me Topin, Ndokën e parti të tjera të vogla që mund t'i bashkangjiten këtij blloku politik nëse krijohet. Teksa vijon të "luajë" mes kërkesave të dy partive të mëdha, PS dhe PD për të shkëputur sa më shumë garanci që në sfidën elektorale të mos humbë në mënyrë fiktive asnjë votë të tij, Dule e lë në ajër pozicionimin në koalicione, duke u deklaruar dhe opozitar por dhe duke sulmuar partinë më të madhe në qeverisje për përpjekje përfituese në kurriz të partive të vogla, përmes reformës zgjedhore. Interesimit të gazetës sonë, pas ftesës së PD përmes ish-kryetarit Tritan Shehu se mezi e pret PBDNJ në koalicionin e djathtë politik, Dule ka qënë lakonik në përgjigjien e tij. "Ne do të shohin interesat e partisë sonë në lidhje me krjimin e koalicioneve me forca e tjera politike. Dhe interesi i partisë sonë është që të garantojmë përputhjen e votës sonë me mandatet. Njëherësh PBDNJ do të jetë në koalicion me atë forcë politike apo grup forcash politike, që do të na japin më shumë garanci për realizimin e ëndrrës së hershme qytetarëve shqiptarë, atë të realizimit të shpejtë të integrimit në BE. Pasi po dështojmë shumë herë radhazi", tha Dule. Teksa ka komentuar interesimin tonë për marrëdhëniet me PS e Ramën, Dule ka pranuar se ka pasur probleme mes PBDNJ dhe PS për çështje parimore dhe që kanë të bëjnë me opozitarizmin në Shqipëri. Sipas tij, ka pasur shumë elementë të bashkëpunimit të tyre në nivel politik dhe parlamentar, madje dhe aksione të përbashkëta politike, duke përfshirë dhe këtë të fundit, atë të mosvotimit të kandidatit të mazhorancës për anëtar të KLD, Elis Cefa, por njëherësh ka pasur për të dhe ngërçe në marrëdhëniet mes tyre, duke shënuar kuota të ulta bashkëpunimi. "Jemi duke parë të gjitha opsionet e mundshme të bashkëpunimit por dhe alternativat për të bashkëpunuar. Ne shikojmë alternativën tonë, e cila do jetë e përafrueshme me ato forca politike që kanë një qëndrim përafrues dhe të përbashkët, në kuadrin më të gjerë të mundshëm të koalicionit paraelektoral të pritshëm", është shprehur Dule. Por kreu i PBDNJ është deklaruar me tone të forta ndaj veprimit parlamentar të mazhorancës javën e kaluar teksa u votua Elis Cefa si anëtar i KLD, veprim që e bëri Dulen të bashkohej sërish me opozitën e majtë dhe të largohej nga salla pa votuar për asnjë kandidat. Njëherësh e cilëson një "provë gjenerale" dhe një precedent të rrezikshëm që mund të përsëritet në sfidën presidenciale në muajin korrik të këtij viti kur Topit i përfundon mandati dhe zgjidhet presidenti i ri. Për të, ky precedent i tillë i rrezikshëm hedh hije dyshimi për një përsëritje të mundshme dhe kur të votohet Presidenti i ri. "Devijimi kushtetues, në sytë e të gjithë shqiptarëve për zgjedhjen e anëtarit të KLD përbën një precedent shumë të rrezikshëm, që për fatkeqësinë tonë mbeti jashtë vëmendjes së të gjithëve për rrezikshmërinë që sjell përsëritja e tij. Në një shoqëri normale dhe me shpirt reagues duhej të kishte sjellë alarm një gjë e tillë, por këtu në Shqipëri fenomene të tilla të rrezikshme kanë kaluar dhe po kalojnë pa rënë në sy dhe pa u bërë objekt reagimi", thotë Dule. I cili është shumë i shqetësuar se një fenomen i tillë mund të ripërsëritet kur të startojë dita e zgjedhjet se kreut të ri të shtetit, që mund ta çojë vendin drejt një krize të re. "Nuk kemi garanci që i njëjti fenomen s'mund të përsëritet dhe me zgjedhjen e Presidentit të Republikës në korrik të këtij viti", shpreh shqetësimin e tij, Dule. Ndërkohë që kreu i PBDNJ s'ka lënë në heshtje atë që e shqetëson më shumë, reformën zgjedhore dhe për më tepër ka ripërsëritur sërish akuzat ndaj dy partive më të mëdha në vend se kur vjen puna për të punuar në kurriz të partive të vogla, bashkëpunimi i tyre është perfekt. "Shqiptarët me sa duket dhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm do t'i drejtohen kutive të votimit pa asnjë garanci se vota e tyre nuk do të preket. PS dhe PD, besnike të filozofisë së tyre janë gjithmonë dakord atëherë kur kanë mundësinë ligjore të kufizojnë hapësirat e përfaqësimit për partitë e vogla, duke përdorur komisionin e reformës zgjedhore për interesat e tyre jetike dhe në kurriz të partive të nivelit të dytë. Nëse sistemi zgjedhor s'do ishte penalizues për partitë e vogla pa koalicion, PBDNJ do kandidonte më vete në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2013, siç ka kandiduar gjithnjë në gjithë ballafaqimet elektorale", Dule. Duke treguar pavendosmërinë e tij për koalicionet.

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?