“Bëje botën portokalli” është ekspozita e hapur në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” ku 15 artistë durrsakë u bënë bashkë për një kauzë të rëndësishme.
“Ekspozita prezanton veprat e 15 artistëve, të cilët sot e bën këtë kauzë akoma më të rëndësishëm duke sjellë para nesh artin e tyre”, tha Alketa Tragaj, kuratore e ekspozitës.
Tablotë e punuara në teknika të ndryshme, por që në qendër të tyre kishin gruan dhe ku dominonte ngjyra portokalli, përcillnin mesazhin e fortë se një shoqëri është më e mirë dhe më e emancipuar kur nuk ekziston dhuna ndaj grave.
“Përmes kësaj ekspozite ne synojmë të rrisim ndërgjegjësimin dhe të drejtën e grave dhe vajzave për të jetuar të sigurta dhe të kontribuojnë kundër dhunës”, tha Alketa Tragaj, kuratore e ekspozitës.
Duke marrë shkas nga lëvizja shumë e njohur vitet e fundit, nënkryetarja e prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Clarisse Pásztory mori pjesë duke i dhënë rëndësi motos se gjithsecilit prej nesh duhet të jetë tashmë “jo unë” dhe jo vetëm në 16 ditë, por në 365 ditë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datë 10 dhjetor duke u përpjekur të përcjellë mesazhet kësaj radhe nëpërmjet ngjyrave dhe figurave.