Durrës, Emirjana Sako betohet dhe merr detyrën e kryebashkiakes! PS e PD bashkojnë votat të zgjedhin nënkryetaren e këshillit

21 Qershor 2023, 14:22| Përditesimi: 21 Qershor 2023, 14:40

  • Share

DURRES - Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjana Sako bëri sot betimin para këshilltarëve bashkiakë për të nisur zyrtarisht mandatin e dytë të drejtimin e bashkisë së  Durrësit për një tjetër mandat 4 vjeçar.

Ndërkohë pas 4 vitesh, opozita rikthehet të bëhet pjesë e parlamentit të qytetit me 13 anëtarë të dalë nga koalicioni “Bashkë fitojmë” dhe 5 anëtarë nga PD.

Pjesa e mbetur e mandateve u shkon partive të vogla, respektivisht 3 mandate për Partinë Agrare Ambientaliste, 1 mandat Partia Socialdemokrate dhe 1 mandat për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. 

Ani Dyrmishi është rizgjedhur në krye të Këshillit Bashkiak Durrës.

Në total kanë votuar të 49 anëtarët që ishin të pranishëm dhe 40 vota kanë shkuar për Dyrmishin, ndërsa 9 të tjera ishin të pavlefshme.

Për Dyrmishin kanë votuar edhe anëtarë të opozitës, pasi 18 prej tyre janë nga radhët opozitare (13 nga Bashkë Fitojmë dhe 5 nga PD). Dyrmishi ka mbajtur detyrën e kreut të Këshillit Bashkiak edhe në mandatin e fundit.

Surprizë ishte bashkimi i votave të PS me Partinë Demokratike për zgjedhjen e një prej nënkryetarëve të Këshillit bashkiak Durrës që do të përfaqësonin opozitën, duke i dhënë kështu këtë post Edlira Devollit.

Ndërkohë nënkryetare tjetër e Këshillit është zgjedhur Alneida Rroshi nga radhët e PS-së.

Në garë për zëvendëskryetar ishin 5 kandidatët: Nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” Ardian Muka i cili mori 7 vota dhe Edlira Shemsi e cila mori 9 vota.

Nga Partia Demokratike Edlira Devolli mori 32 vota

Nga Partia Socialiste Alneida Rroshi mori 35 vota dhe Silvana Agasi 2 vota

Në përfundim të mbledhjes u zgjodhën dhe anëtarët e Këshillit të Qarkut, nga të cilët koalicioni “Bashkë Fitojmë” nuk pranoi të propozonte asnjë emër duke u tërhequr nga procesi.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?