Bardha, nënë e tre fëmijëve, kishte shkuar te motra. Mendoi se do të gjente qetësi aty. Por erdhën e morën me forcë dhe e kthyen në shtëpinë ku dhunohej nga bashkëshorti. E mori familja e saj. Ajo që në vend që të ishte një oaz dashurie dhe paqeje, ishte bërë një tmerr dhune. Bardha, me 2 maj kishte mundur të merrte një urdhër mbrojtjeje, por si mund ta mbrojë ajo copë letër nga dhuna në shtëpizën e saj në lagjen në periferi të Elbasanit? U hodh sot, dy ditë më pas nga kati i tretë i pallatit të saj, duke ikur përjetë nga dhuna dhe nga ata që nuk e deshën. Policia, si të ishte një repart i specializuar psikologjik, si për të justifikuar gjestin e gruas shkroi: Fatbardha Likrama vuante nga depresioni... Ndoshta, në vendin tonë uniformat blu mund të kenë parë njerëz, gra të dhunuara të qeshin e të lumturohen ndërkohë që rrihen nga bashkëshortët? Ndoshta dikush në institucionet tona e konsideron dhunën si një mjet që nuk të con në depresion.
Banorët e lagjes, siç ndodh përherë në këto raste, i njihnin të gjithë për “zonja dhe zotërinj”. Ndërkohë, ndërsa trupi i gruas i mbuluar me çarçaf dergjej përtokë, fqinjët flisnin para mediave dhe fëmijë, djem dhe vajza me bishtaleca e kordele rozë e me pika, dëgjonin. Një nënë që hidhet nga kati i tretë në mes të lagjes, do të lerë gjurmë të pashlyeshme tek ata. Askush në lagje nuk dinte çfarë ndodhte në shtëpinë e Bardhës, ndërkohë që familjarët e gruas së gjorë po “nxiheshin nga turpi” se ishte larguar në shtëpinë e motrës apo që kishte bërë denoncim për dhunë në komisariat.
Kush u turpërua nga denoncimi i Bardhës? Kush u turpërua se ajo kërkoi mbrojtje, kush e tërhoqi nga shtëpia e motrës për ta detyruar të hidhej nga kati i tretë duke këputur në mes jetën e saj prej gruaje që i tha stop dhunës? Turpi qesharak i provincës shqiptare, ka më shumë vlerë se sa jeta e një njeriu që dëshiron vetëm të jetojë pa dhunë ekzistencën e tij.
Në vitin e 52-të një grua është në kohën e saj më të bukur; fiton lirinë pas një jetë në shërbim të fëmijëve që janë rritur, shtëpisë për ta pastruar, bashkëshortit për t’i shërbyer. Në vitin e 52-të të jetës së saj një grua ka shumë për të shijuar, në një liri e një ndërgjegje të pjekur. T’i japësh fund jetës pikërisht në këtë moshë të bukur, është një thikë e mprehtë në brinjët e shoqërisë: Sa pak kemi kuptuar, sa pak kemi bërë për mbrojtjen e gruas së periferisë. Vëteflijimi i një gruaje të dhunuar është një dhimbje e madhe, është plagë tepër e rëndë kur një nënë vendos të vetëflijohet në vitet e saj të lirisë.