Përveç hallit mbi hall të Doktorit, Basha këto ditë po shpagon edhe hallet e deputetëve me njëri-tjetrin.
Belindi ikën tek Doktori se Luli sot vërtet e bëri deputet, por nesër i kanë thënë se Ervinin do ta bëjë ministër.
Luani ikën tek Foltorja se Luli e bëri dy herë deputet, por Enkelejdin, me të cilin ai nuk shkon, Basha e bëri nënkryetar partie.
Albana vërtet ka qenë deputete, kryetare komisioni, vazhdon te jetë kryetare gruaje që nuk mban mend as vetë kur i ka mbaruar mandati etj., por Luli e prishi në fund, sepse bëri Taulandën anëtare kryesie dhe kjo nuk mund t’i falet kurrë.
Të gjithë sa më lart nuk arritën që këto 8 vjet të na sillnin ca të rinj në PD. Atje ku korridoret duhet të gumëzhinin nga energjia rinore ka vetëm kulisa dhe 30 e kusur vjeçarë që duan të hyjnë në garë apo të ruajnë drejtimin e FRPD-së.
Të gjithë këta statutuorët që karrierën e kanë ndërtuar mbi humorin e kryetarit e kanë të qartë se dhe e ardhmja apo fundi do t’i vijë po nga humori… ose inati i kryetarit. Sepse nëse del jashtë selisë dhe statutit e nuk ke asnjë zanat apo s’të merr njeri në punë, s’ke ç’bën tjetër veç të lutesh që humori i kryetarit t’u ndriçojë karrierën.
Nuk po përmend ata të tjerët, që kanë dalë nga zyra e Doktorit me premtimin se do të jenë në vend të Lulit, pas garës së lirë, të hapur dhe të ndershme, ku do të kandidojë edhe vet Doktori.
E kështu me radhë halle mbi halle këto hallet e deputetëve të PD-së.
Imagjino se në çfarë halli të madh duhet të jenë demokratët kur shohin këto hallet e mëdha të deputetëve të tyre!