Nuk njeh dy marrëveshjet me Serbinë? Albin Kurti: Unë nuk kam dhënë autorizim për të firmosur

14 Shkurt 2020, 21:51| Përditesimi: 15 Shkurt 2020, 12:27

  • Share

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas firmosjes sot në Munich të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për hekurudhën dhe autostradën. Kurti thotë se zyrtarët që kanë firmosur nuk kanë marrë autorizim nga qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Kreu i ekzekutivit të Kosovës thotë më tej se në procesin e tranzicionit të qeverisjes po analizojnë të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet.

"Sot në Munich janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare.

Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së.

Për më tepër, nëse bazohemi te një verzion i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare. Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet" shkruan Kurti.

Albin Kurti nuk ishte i pranishëm në Gjermani, ndërsa marrëveshja u firmos sot sipas tij nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj, nën prezencën e ambasadorit amerikan Richard Grenell dhe presidentëve të dy shteteve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç. Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë edhe ambasadori Philip Kosnett dhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës Serbe për Kosovën Marko Gjuriç.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?