Selia e PD

Opinion

Dy mundësi kemi ne si demokratë, sepse të tretë nuk ka!

17 Shtator 2021, 20:00| Përditesimi: 17 Shtator 2021, 20:02

  • Share

Demokratët janë qytetarë që kanë vendosur gjithmonë të parën lirinë, kanë ëndërruar Evropën e kanë mbështetur pa rezerva SHBA. PD nuk ishte iniciativë e një pakice e nuk mund të ishte shërbim i asnjë pakice, por, ajo ishte pasojë e frymës të popullit shqiptar, që ishte robëruar për më shumë se 40 vjet nën diktatin e regjimit më të egër, që kishte njohur kontinenti.

Në proceset e viteve '90, sigurisht, ka edhe heronj, disa të gjallë e disa, tashmë, nuk jetojnë, të cilët,  me protagonizmin e tyre e lindën PD dhe e mbajtën misionin e saj në momentet më të vështira të tranzicionit. Fryma e shqiptarëve për liri e demokraci, në fillim të viteve' 90, ishte aq e madhe sa, edhe nëse nuk do të kritikohej PD, me vrullin e tyre do të kishin krijuar,padyshim, një   të ngjashme për të plotësuar jetën e tyre me demokraci dhe për të ngopur mushkëritë e tyre me oksigjenin e lirisë.

Proceset e '90, i favorizuan disa personazhe për të bërë protagonizëm dhe për të filluar një karrierë të ndritur politike. Megjithatë, në fillim, ata e justifikuan angazhimin e tyre me përkushtim e shërbim ndaj demokratëve, por ashtu siç ndodh me një të uritur që, pasi ngopet shumë me ushqim, fillon ta urrej atë për dhimbjen e stomakut, ashtu edhe këtë nismëtarët e lirisë në fillim të viteve'90, menjëherë, pasi e përvetësuan atë, filluan ta urrenin atë si diçka të tepërt, që binte ndesh me egon e tyre për pushtet të përhershëm. Kështu, erdhën si kundërshtar të diktaturës e diktatorit, por filluan ta imitonin atë, duke e konsideruar pushtetin të përhershëm. Teoria e tyre ishte, se nuk largohemi nga politika, për sa kohë na votojnë qytetarët! 

Kështu, në SHBA erdhi Bushi dhe u largua, erdhi Klinton dhe u largua, erdhi Ë. Bush dhe u largua, erdhi Obama dhe u largua, erdhi Trump dhe e largua dhe tashmë ka ardhur Biden. Me të drejtë që SHBA ndërruan 7 presidentë, ndërsa ne vazhdojmë po me protagonistët e viteve '90. Madje, aq shumë normale ju duket, sa këta tanët, që janë që në' 90 në pushtet, thonë me krenari se i kanë takuar të gjithë këta president? Po mirë, kaq normale duket kjo? Po nuk ka mundësi të tjera Shqipëria? Nuk ishin pikërisht ngjarjet e '90 dhe eksperienca e regjimit që na mësuan, se duhet të luftojmë mitet, sepse na kthehen në bumerang. Të vish në emër të lirisë është krejt normale, por ta përvetësosh atë si e vetmja shpresë kjo nuk është gjë tjetër, por një shëmbëlltyrë e një diktatori.

Nëse i marrim një nga një presidentët e fundit të SHBA, secili prej tyre kishte plotë arsye të qëndronte në pushtet deri në vdekje, por, kjo nuk mund të ndodh, sepse demokracia amerikane lindi si protestë kundër mbretërisë dhe çdo forme të ngjashme të pushtetit të përhershëm e me trashëgimi. Pse kaq e varfër është Shqipëria për figura, sa të kemi shpresë vetëm tek 70 vjeçarët? Dikush që ka lindur në vitet '90, sot është 30 vjeç e s' ka asnjë lidhje me personazhet politike të asaj periudhe. Koha është progres e nuk pranon regresin. Çdo kohë ka personazhet dhe ngjarjet e veta e rrallë ndodh të ketë përsëritje ose, thuajse, asnjëherë nuk ndodh! Ngjarjet bëhen nga heronjtë, por këta të fundit nuk kanë asnjë mundësi e asnjë të drejtë të monopolizojnë kohën! A mund ta pranojmë ne demokratët se njerëzit janë të pazëvendësueshëm? Po si mund ta pranojmë ne një gjë të tillë, që u ngritëm kundër faronit dhe e rrëzuam atë! Nëse ne, demokratët, pranojmë përjetësinë, atëherë duhet të pranonim përjetësinë e diktatorit dhe regjimin e tij!

Çelësi i demokracisë është rotacioni i ngjarjeve dhe elitave edhe kur janë të suksesshëm, sepse dashuria e marrja peng nga privilegjet i kthen në dëshirën e iluzionit të përjetësisë. Historia të jep një mundësi në jetë dhe nuk të jep një të dytë. Ngjarjet të promovojnë vetëm njëherë dhe një herë të dytë ka. Çdo hero ka edhe një moment të dytë heroik më të rëndësishëm, se atë të prodhuar nga ngjarjet, e kjo lidhet me faktin e vendimit të tij për t’u larguar nga vëmendja e për t’u kthyer një shembull heshtje për brezat e tjerë. Teoria, se unë largohem vetëm votë ne realitetin shqiptar është njësoj sikur Musolini apo Hitleri të deklaronin, se “largohemi me votë”! Sistemi i partive dhe po ashtu krejt politika në Shqipëri është prodhim i njerëzve që jetojnë me përjetësinë dhe me iluzionin, se si ata s'ka dhe se janë të pazëvendësueshëm! Kjo teori i ka bërë të pazëvendësueshëm! Kjo është një kosto e madhe për demokracinë e Shqipërisë dhe për vendet, si SHBA që nuk pranojnë modele të tilla dhe Shqipërinë e konsiderojnë vend me prioritet në rajon e më gjerë. Sa shanse ka një president amerikan, që zgjidhet sot, të pranoj si të pazëvendësueshëm një lider shqiptar, që i ka njohur personalisht 7 paraardhësit e tij? Kaq mjafton të kuptojmë se çfarë po ndodh me SHBA dhe disa ish drejtues të PD! Jetëgjatësia, thuajse, deri në përjetësi në pushtet sjellë shumë probleme, si: korrupsion, lidhje me aferat e korrupsionit për të bërë kompromise në emër të egos për pushtet, sjellë konsumim e po ashtu rrit mundësinë për të bërë gabime me kosto të rënda për vendin dhe qytetarët! Mjafton të mësojmë nga historia, për t'i marrë të vërteta këto! Nuk ka mësues më të madh, se sa historia, sidomos për ne, shqiptarët!

Ne, demokratët, kemi dy mundësi sot:
1. Me dëshpërim të rikthehemi tek idhujt e historisë për t’u dhënë atyre përjetësi pushteti deri në lajthitje.
2. Të shikojmë përpara proceset, të forcojmë demokracinë dhe të rinovojmë veten.

E para, nuk na çon në asnjë vend, por na orienton drejt greminës së diktatit e diktaturës që e kemi provuar për 40 nën regjimit komunist. Opsioni i dytë, e ndihmon PD në rinovim dhe i jep asaj mundësinë reale te jete një alternativë qeverisje me sfidat e kohës!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?