Është pak e vështirë të kuptosh se der iku do të shkojë aksioni politik i Partisë Demokratike. Një gjë veçse kuptohet mirë, se do të vazhdojë për javë me radhë sepse i tillë është barrikadimi i palëve dhe paqartësia totale e qëllimeve të tyre afatgjatë.
Sa i përket atyre afatshkurtër, kuptohen lehtë: Basha jashtë për Berishën; Berisha jo brenda për Bashën. A mund të jetë vallë kaq banale?!
Për fat të keq, të dy zyrtarët kryesorë të Partisë Demokratike kanë vrarë diçka më të madhe edhe sesa vetë shpresën, që futet deri me sferën e nënvetëdijes. Në këtë formacion nuk ka më mundësi për alternativa, nëse nuk je në hullinë e këtij binomi, që e ka ngërthyer për gryke Partinë Demokratike dhe e mban të shtrënguar në interesa, që vishen me parimet demokratike!!!
Le të tregojmë një paralelizëm, që mbase duket sikur nuk shkon shumë me këtë gjendje. Një autor pothuaj i harruar frëng i ka lënë njerëzimit një nga librat më të bukur epokalë. Autori i saj François Rabelais e quajti atë “Gargantua”, në fakt janë pesë vëllime syresh.
Në kohën tonë është ribotuar dhe është ekranizuar, por ascila nga krijimet artistike nuk ia ka vjelë dot mendimin dhe idenë priftit frëng.
Ky libër në fund përfundon me ndërtimin e një abacie, të quajtur Telema. Referimi është i jashtëzakonshëm dhe ne e kemi huazuar si argument nga Zygmunt Bauman në esenë e tij “Liria”, ardhur dhe në shqip.
Telema përfaqëson më shumë se çdo gjë tjetër vendin e jetës së begatë, ku pasuria konsiderohet i vetmi virtyt moral dhe ku lumturia përbën urdhërimin kryesor, cilëson eseisti i njohur, dhe ku të shijuarit është mjeshtëria më e rëndësishme, argëtimi është arti i epërm.
Një situatë që ngjan si dy pika uji me situatën ku po kalon vendi ynë dhe me perceptimin e frikshëm të informalitetit që e ka kapur për gryke, përpos disa rrogave që nuk e përligjin asfare modelin e zhvillimit të vendit por që e justifikojnë bajagi mirë ikjen masive.
Dhe, Telema jonë ka një gjë më plus të gjithë këtij eliksiri që nuk mbaron për një pakicë. Ajo është e rrethuar nga mure të trasha.
Dhe, brenda tyre nuk të shqetëson askush ose të pyet sesi është vënë pasuria, si bëhet begatia dhe si argëtohen njerëzit apo pse je aty! Ky është një çmim që vjen me trashësinë e mureve për të cilat paguhet me heshtje. Dhe, nga ana tjetër, askush nuk të kërkon të shohësh më tutje. Ata që janë aty janë të paprekshëm.
Në argumentin tonë brenda këtyre mureve ka kohë që është begatia e zyrtarëve të PD-së, të djeshëm dhe të sotëm, e cila nuk lë të shikosh më tutje. Nuk të lë të shikosh gjendjen e vendit dhe mjerimin e PD-së. Nga ana tjetër duhet të luftosh për t’i mbajtur të tilla mure të forta nga njerëzit, që kanë marrë flamurin e ndarë të PD-së duke brohoritur emrin e Bashës dhe Berishës. Ata janë përtej, brenda janë vetëm pak: ata që vjelin pushtet.
Gargantua e zgjidhi me pagrykësinë e tij, që në historinë e më pastajme u trashëgua me atë ku një sërë personazhesh të njohur u munduan të arrijnë me anë të saj, objektiva të pa imagjinuar. E megjithatë, të gjithë mbetën para dyerve të historisë, kur nuk ditën të dalin nga këto mure.
Basha dhe Berisha me gjithë natyralist janë njëri brenda dhe tjetri jashtë Selisë së PD, janë brenda mureve, ku nuk shohin më larg se interesi i tyre. Berisha e dëmtoi historinë e tij dhe asnjëherë nuk ngriti dot një korpus nderi për të ruajtur atë trashëgimi më shumë të krijuar nga shpura e tij sesa nga ndjesia e vërtetë.
Nguti i tij është pjesë e asaj, që ai nuk i përket dot historisë por thjesht periferisë së saj. Ashtu si Basha, i etiketuar si pengu nga Berisha, nuk kuptoi dhe nuk do të kuptojë se partia nuk mbahet dot me zor dhe me blinde tek dera. Fatkeqe mbetet pjesa tjetër e PD-së, që janë vendosur pas tyre dhe brohorasin paradoksin, ku e humbur është Partia Demokratike, bash ajo që ata duan kinse të reformojnë. (Javanews)
E humbur Pd-ja,mire e thua,por duhej te ndodhte keshtu. Duhet sepse u krijua keq,u krijua e shtrember. Jo se Ps-ja eshte me e mire,por ndofta me e vlefshmja ne keto momente. Kur sheh ca fytyra te reja(qesh)qe fuqimisht mbeshtesin Saline edhe pse te edukuar perendimit,mendja te shkone edhe me keq.Pd-ja e re,apo ajo qe mund te mbetet ne fund duhet te ndryshoje emrin.Dhe pa dyshim nuk duhet te respektoje te kaluaren dhe me se shumti Berishin dhe kultin e tij te gjakut per te qene ne krye,te vrasjeve dhe vdekjes per interesat e tij personale.Pd-ja e re,apo ajo qe do te mbetet duhet ta rithemeloje te ardhmen bazuar mbi ide te reja,forcerisht te ndryshme nga idete e kaluara personale berishiane.Askush nuk duhet ta kujtoje ate kohe. Amnesi per ate kohe,sepse u krijua nga nje lider mashtrues,qe pervetesoi pushtetin dhe ngriti nje kult te se kaluares,ate te komunistit te veshur me nje rrobe blue.
Përgjigju