Struktura e Posaçme Antikorrupsion

Opinion

E ka rradhën frika e mëkatarëve

6 Korrik 2021, 15:00| Përditesimi: 6 Korrik 2021, 15:02

  • Share

Vetëm naivët nuk e kuptojnë dhe vetëm të verbërit nuk shohin se Shqipëria po tenton ekuilibrin e ri mes pushteteve. Me drejtësinë inekzistente deri pak kohë më parë, në rastin më të mirë dhe kliente, në rastin më të keq, dy pushtetet e tjera, ekzekutivi dhe legjislativi kanë qenë të pakontrolluar, të paqortuar dhe të pandëshkuar. Tani duket se ka ardhur koha që zullumi ngjyra-ngjyra të këputet sepse është trashur pafund. Dhe në mos i gjithi, një pjesë e tij padyshim që do të këputet.

Kjo është një nga arsyet themelore se pse SPAK-u do të vazhdojë të jetë lajm dite ditë mbas dite në këtë verë të nxehtë, që ndryshe nga më parë, po i le pa gjumë mëkatarët. Të gjithë ata që njihen dhe mund të tregohen me gisht si mëkatarë, por edhe ata që e dinë vetë se çfarë kanë bërë dhe ju duket se jua njohin të gjithë kodet e kasafortave të tyre, stivën e “dyshekëve” bankarë, adresat e pronave të fshehura, listën e emrave që marrin me qera për të fshehur bizneset sekretë, transfertat dhe çdo gjë tjetër që shërben për të humbur gjurmët e parave të grabitura.

Një kryetar bashkie të rëndësishme u arrestua të martën nën akuzë për korrupsion, zyrtarë të shtetit të lidhur me drogën, gjykatës e prokurorë dhe një numër domethënës emrash gjithmonë e më të njohur të sallonit të politikës, do të vërtetojnë aksiomën se hakmarrja e drejtësisë është një gjellë që serviret gjithmonë e ftohtë. Dhe nëse një gjë e tillë do të verifikohet (fillimisht) me dy ish-ministra, një i majtë e një i djathtë që do të provojnë ndoshta edhe qelinë, atëherë bashkë me bukën, vaksinën dhe cirkun e premtuar, maxhoranca e Ramës mund të thotë se krijesa që lindi dhe rriti jo gjithmonë me dëshirë, tani është ngritur përfundimisht në këmbë. “…flamuri i PS-së nuk mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”, thotë Rama duke shmangur partinë e tij nga implikimi me krimin dhe duke e konsideruar çdo kundravajtje penale si hesap vetjak të shkelësit në raport me ligjin.

“Eshtë koha të shqyrtojmë nëse ja vlen të shkosh në burg. Askush nuk është mbi ligjin”, paralajmëron Yuri Kim, ambasadorja e vëmendshme amerikane, në të njëjtën ditë. Sepse të dy dinë që ka ardhur vërtet dita. Tashmë të gjithë janë të qartë se që në momentin kur steka u vendos mbi majën më të lartë të tranzicionit, Doktor Berishën, kushdo tjetër nën staturën e tij do të duhet të ketë realisht frikë. Tattoo-ja amerikane për Doktor Berishën, pavarësisht se u përjetua si dramë në të djathtë dhe fillimisht si festë në të majtë, është shenja e qartë që shoqëria shqiptare ka dështuar të gjejë mekanizma frenimi, kontrolli e ndëshkimi ndaj mëkatit në politikë. Por njëlloj siç shënjoi rënien e regjimit komunist rrëzimi i monumentit të dikttatorit Hoxha, goditja e Doktorit ishte çasti që shënjoi fillimin e fundit të tranzicionit. Për Shqipërinë ai moment është po aq i rëndësishëm sa ishte zbarkimi angloamerikan për Evropën e 1944-ës. Pa amerikanët, por dhe pa mbështetjen evropiane, lufta kundër korrupsionit në Shqipëri, nuk ka asnjë shans. Dhe ky është momenti që kjo bindje do të vërtetohet.

Tani e ka rradhën frika për mëkatarët dhe vjeshta parashikohet të jetë e bujshme. Frikë nga akuza dhe nga faji i provuar, frikë nga ndëshkimi dhe nga sekuestrimi. Shiritat e verdhë me mbishkrimin “Ndal, mos kalo! Policia”, do të vendosin kufinj të rinj kohorë dhe nuk do të shenjojnë thjesht prona vanitoze të cilave ju del pronar tjetër kush. Në periferi të Tiranës apo në bregdet, në bankat e Bllokut apo dhe në banka të Perëndimit, paratë dhe pronat do të provojnë fatin e dashnoreve të fshehura: herët a vonë, do të shfaqen dhe do të bëhen të dukshme. Bashkë me ndarjen prej tyre që është gjithmonë e më e dhembshme, sa më shumë kuptohet se koha as nuk shërron dhe as nuk harron dot.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?