Shqipëria është në një ndër momentet më të vështira të saj që nga vitet '90! Klasa politike shqiptare ka probleme serioze të trashëguara nga e kaluara, por edhe nga mungesa e përgjegjësisë në këto 30 vite! Pas, 30 vitesh ndodhemi përballë nevojës për një reformim të thellë të sistemit politik shqiptar që kusht kryesore duhet të ketë rotacionin serioz e konkret të elitave politike! Mos, mendoni se këto procese kaq shumë të rëndësishme e delikate mund të ndodhin vetëm falë forcës e vullnetit të qytetarëve pa pasur mbështetjen dhe asistencën e aleatëve tanë perëndimor si SHBA! Momenti aktual i Shqipërisë është i ngjashëm me tronditjen që pësoj në fillim të viteve '90 sistemi politik italian që shënoi edhe fundin e Republikës I!
Shumë të vërteta qarkullojnë në publik e shumë të tjera do të qarkullojnë, qytetari është e do të jetë i bombarduar mes të vërtetave dhe gënjeshtrave të përdorura me profesionalizëm nga klasa politike. Duhet një angazhim serioz i intelektualëve të vërtetë e patriotë që duhet të angazhohen pa u menduar dy herë për ta tejkaluar këtë situatë delikate Shqipëria! Lufta e shtrigave e politikës që po ndodh mes tyre për pushtet nuk duhet të jetë më pasoja mbi qytetarët dhe mbi të ardhmen e vendit! Duhet të distancohemi nga gënjeshtra e të mbrojmë të vërtetat!
Të vërtetat që vijnë nga politika në këto momente nuk janë aq të kulluara aq sa shiten e po ashtu nuk janë aq të sinqerta aq sa paraqiten! Shoqëria civile nuk duhet të qëndroj pasive përballë kësaj situate që është përfshirë tashmë klasa politike, sepse pasojat bien me faj ose jo mbi ta dhe të ardhmen e vendit! Shqipëria nuk meriton më të trajtohet si pronë private e disave dhe po ashtu as qytetarët nuk meritojnë të trajtohen si të nënshtruar pa kushte!
E kaluara nuk mund të jetë një justifikim për të ardhmen! Sot, thuajse e gjithë klasa politike është pjesë e të kaluarës dhe po na shet premtime apo aksione për të na ndërtuar të ardhmen që tashmë kemi një brez pas viteve '90 që është në gjendje ta ndërmarr vetëm e me dinjitet misionin e të ardhmes të Shqipërisë, të asaj Shqipërie që nuk e bëmë kurrë dinjitoze ashtu siç e ka merituar!