E nis ditën herët në mëngjes, pasi mezi pret të shkojë në vendin e tij të punës, aty ku gjen relaksin dhe ajrin e pastër. Profesionin e kopshtarit e trashëgoi tek i biri, por Kujtim Karaj ndjen keqardhje që të rinjtë nuk kanë të njëjtin interes.
“Këto moshat e reja janë të paduruara, nuk e kanë me pasion. Djali im po, e ka me pasion dhe është ekspert përsa i përket pjesës së gjelbërimit. Kështu që e falenderoj dhe atë që e ka marrë këtë zanat”, shprehet Kujtimi për emisionin “Një nga ne” në Report Tv.
Punon tek Liqeni Artificial i Tiranës, aty ku ka lënë dhe një gjurmë të tijën për 60-vjetor. Vendosi të mbillte një jasemin, për të cilin kujdeset si ta ketë fëmijë. Të njëjtin përkushtim dhe kujdes ka me të gjithë bimësinë në Liqenin e Tiranës.
“Lulet janë si puna e një fëmije, e ushqen keq, del i dobët. Ndërsa po e ushqeve mirë, normal që do jetë i shëndetshëm”, thotë mes të tjerash Kujtimi.
Ka investuar 40 vite në këtë profesion, por nuk do ta ndryshonte kurrë, pasi e mban gjallë dhe e bën të ndihet energjik.
“Jam shumë i kënaqur me punën, me jetën, me gjithçka që bëj. Nuk do ta ndryshoja këtë profesion sepse më ndryshon gjithçka në trupin tim. Është profesion që të kënaq shpirtin. Kush do, le ta provojë sesa energji do të kenë me këtë profesion”, shprehet kopshtari nga Tirana.
Për tu njohur më shumë me shumëllojshmërinë e luleve, kujdesin që kërkon secila dhe hilet e profesionit të kopshtarit, ndiqni emisionin e plotë.