Dëshira për të bërë një nga ato shtëpizat e bukura në mes të natyrës, nga ato prej druri e xhami që bëhen rëndom në Norvegji, Suedi, Kanada, Portugali... e nuk kushtojnë më shumë se 20 mijë euro të parafabrikuara, na përplas me situata fantastiko-shkencore të realitetit shqiptar. Atë të çmimeve të truallit, të çmimeve të ndërtimit, e në fund të realitetit të kreditimit të bankave, histori të denja për klientë me të ardhura prej narkotrafiku... ose korrupsioni.
Nëse, për shembull, 5000 metra katrorë truall i ndërtueshëm në Martina Franca (Itali) bashkë me një Trullo 45 metra katrore (godinë karakteristike fshatare e Italisë së Jugut e deklaruar pasuri e UNESCO-s) kushtojnë 55 mijë euro të negociueshme (pra mesatarisht 11 euro metri katror bashke me ndertesen historike), në kodrat apo fshatrat rreth Tiranës, aty ku s'ka as ujë, as rrjet kanalizimesh e energjia elektrike (dhe asnje ndertese) kushton nga 100 deri në 200 euro për metër katror.
Përse? Fshatarët tanë janë të zgjuar. Prej vitesh e kanë nuhatur se klienti më i mirë i tokave nuk është një qytetar që do të marrë një kredi për të realizuar një ëndërr. Fshatarët as nuk hyjnë në negociatë për të ulur çmimin si kudo. Ata me durim presin, sepse një ditë, siç ka ndodhur në gjithë këto vite, do t'u trokasë në derë një prokuror, një gjykatës, një doganier apo ish-doganier, një polic apo ish-polic, një politikan apo ish politikan dhe tokën do t'ua blejë me çmimin që e kanë shitur edhe të tjerë përreth: 150 apo 200 euro për metër katrorë, edhe pse në letra do ta shënojnë vetëm 10 lekë.
E njëjta gjë pastaj kur flet për çmimin e ndërtimit. Zyrtarisht ndërtimet me dru lëvizin 250 euro deri në 300 euro për metër katror. Pra një shtëpizë 60, apo 70 metyra katrorë mendon se mund të përballohet me një kredi afatgjatë e që nuk rëndon tepër në financat familjare. Mirëpo, edhe çmimi i ndërtimit nis e bymehet sapo kërkon preventivat. Edhe gazetarët, si kategoritë e sipërpërmendura, nuk përjashtohen nga klientët prej të cilëve mund të përfitosh: Dihet, janë "të gjithë" kazan, "të gjithë" milionerë, "të gjithë" me supervila, kështu që cili është ai "budalla" që do të ndërmerrte një punë ekonomike me një gazetar. Pa e zgjatur shumë, çmimi nga 250 euro, 300, shkon si për magji te 450 euro për metër katror. Pra, një artizan prej fshatrave tona kërkon të paguhet më shumë se një studio ndërkombëtare arkitekture në Itali, Norvegji apo Hollandë!
Pastaj vijnë bankat. Nuk është i mjaftueshëm shembulli se një kredi të mëparshme e keni shlyer duke respektuar çdo këst, muaj për muaj, vit pas viti, me seriozitet e të gjitha detyrimet bankare. Bankat kërkojnë përveç tokës supergaranci, rroga e të ardhura familjarësh, shtëpi apo pasuri të tjera të marra peng. Pra, edhe bankat tona, e kanë më kollaj të financojnë me kredi të plotë deri në 300 mijë euro (shembuj nga deklarimet e pasurive të disa nëpunësve të lartë) një nëpunës shteti (gjykatës, prokuror, ministër apo ish çfarëdo) edhe pse rrogën, dihet, e kanë më të ulët, se një qytetar me të ardhura biznesi privat të suksesshëm.
Në fakt, nuk është e vështirë të marrësh të gjitha këto informacione që në shëtitjet e para përreth Tiranës, ku një faqe mali fshatarët me sinqeritet tregojnë se e ka blerë vajza e aksh politikani të lartë, një kodër të tërë, ai politikan i djathtë, kodrën përballë, ai politikan i majtë, atë vilën hollivudiane atje, filan drejtor i Aluiznit, e më tutje atje filan-fistek prokuror.
Mjafton vërtetë një shëtitje në fshatrat përreth Tiranës ku fshatarët tregojnë sesi një ish-drejtor i një ndërmarrje të rëndësishme shtetërore, që ua merrte tokat fshatarëve në këmbim të vendeve të punës, sot është një nga fermerët më të pasur në zonë.
Atëherë, fshatarët, ndërtuesit e bankat, që në Shqipëri kanë gjetur Amerikën, me paratë e të korruptuarve, përse ta vrasin mendjen e të futen në negociata për të ulur çmimet e tokave, ndërtimit apo të tjera shërbimeve që në BE e SHBA kushtojnë më lirë? Por sa mund të zgjasë ky realitet i dopuar?
Grupe trulli-sh në shitje në Itali