Granit Xhaka

Edhe Granit Xhaka në merkaton e verës, Roma do shërbimet e shqiptarit

4 Gusht 2018, 16:25| Përditesimi: 4 Gusht 2018, 16:27

  • Share

Granit Xhaka mund të lërë Arsenalin dhe të kalojë në kampionatin italian. Ky është lajmi që vjen nga Italia. Emri i ri për mesfushën e skuadrës së Romës është pikërisht ai i Granit Xhakës, mesfushorit shqiptar të kombëtares zvicerane, protagonist në Botërorin e Rusisë me një gol fantastik, ku bëri edhe gjestin e shqiponjës, që më pas krijoi jo pak polemika.

25-vjeçari shqiptar që luan për Zvicrën nuk është një titullar i padiskutueshëm tek Arsenali dhe drejtori sportiv i Romës, Monchi, po përpiqet ta marrë këtë lojtar me një çmim të arsyeshëm, me anë të ndihmës së disa ndërmjetësve.

Për aktivizimin në Angli ka pasur shumë kritika dhe gjasat janë që mesfushori të ndërrojë ambient. Në verën e vitit 2016, Granit Xhaka u transferua për 35 milionë euro nga Borussia Monchegladbach tek Arsenal, kur klubi gjerman e kishte marrë për vetëm 8.5 milionë euro.

Sot Xhaka vlen 40 milionë euro, por Roma kërkon ta marrë në sezonin e parë me të drejtë huazimi, ndërsa në fund të sezonit të bëjë blerjen përfundimtare, pse jo, duke përfshirë ndonjë lojtar tjetër në tratativa shkëmbimi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?