Kultura

Edicioni i 15 i Festivalit të Filmit në Pogradec, në garë 44 filma të restauruar dhe dokumentarë

17 Shtator, 18:58| Përditesimi: 17 Shtator, 19:27

  • Share

Qyteti i Pogradecit është kthyer për të 15-in vit radhazi në skenën kryesore të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë. Publiku do të ketë mundësi të ndjekë mbi 50 filma nga vende të ndryshme të Ballkanit, falas, në dy ambiente të posaçme: në kinemanë e qytetit, dhe odeonin buzë liqenit.

***

Mbrëmja e parë e Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë u çel me filmin bullgar “Because I love bad weather”, ndërsa atmosfera u gjallërua nga performanca e grupit “Niki’band”. Emocionet i përcolli solisti Niki Zaimi.

Ideatorët e festivalit, Eno Milkani dhe Gerta Qurku, tregojnë për rrugëtimin e gjatë të këtij aktiviteti kulturor.

“Ka pasur një prurje më të mirë dokumentarësh. Dokumentarët mesa duket janë bërë shumë në trend për faktin që bëhen më kollaj se filmi i gjatë, kërkojnë më pak para për t’u realizuar dhe temat që propozojnë janë shumë interesante”, thotë Eno Milkani.

“Prezentë do të jenë autorët në Pogradec dhe jemi shumë të gëzuar që ja kemi mbërritur në të vërtetë sepse ka qenë një rrugëtim goxha i gjatë, 15 vite nuk janë pak”, shprehet Gerta Qurku.  

Për 4 netë me radhë, në Odeon shfaqen filma shqiptarë të restauruar, ndërsa çmimi kryesor i festivalit mban emrin e një prej themeluesve të tij, Fatos Baxhaku. Po ashtu, këtë vit janë përfshirë në garë 44 filma, krahas pjesëmarrjes së rritur nga vende të ndryshme të rajonit.

Festivali i këtij viti është i larmishëm në zhanre, duke sjellë filma me metrazh të gjatë e të shkurtër, dokumentarë, animacione dhe filma eksperimentalë me producente shqiptare dhe të huaj.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?