Edison Ypi

Edison Ypi: Nga Frika

12 Korrik, 16:11| Përditesimi: 12 Korrik, 16:16

  • Share

Po flisja me një mik të vjetër për rrugët dhe tunelet që po ndërtohen. Kujtuam rrugët langaraqe dhe tunelet inekzistente të Diktaturës. S'lamë fjalë të mirë pa thënë e kompliment pa u bërë heronjve që po i bëjnë mrekullirat infrastrukturore të paimagjinueshme. Kaq entuziaste biseda, sa për një moment mu duk se pashë një pikë lot që mikut j'u rrokullis nga syri te faqja. Nuk u gabova. Miku e fshiu lotin me duar.

Më thotë miku mua:

-Seç kam një bindje që rrugët dhe tunelet e reja, edhe nëse vidhen, vidhen nga frika.

U shtanga. Si mund të vidhet rruga apo ura apo tuneli, apo grataçieli, nga frika ?! Nga frika mund të bëhen shumë gjëra. Për shembull mund të ikësh nga Shqipëria se ke frikë nga vështirësitë e jetës. Dhe frika të shtohet të bëhet ortek fill pasi kupton që ke bërë një budallallëk, sapo vë këmbën në Gjermani a gjetkë, por është vonë. Nga frika se mbetesh mbrapa mund të mësosh një gjuhë të huaj, mund të kapërcesh një hendek disa metra të gjërë kur nga pas po të ndjek një bish e uritur, e të tjera e të tjera. Por jo të vjedhësh autostrada dhe tunele nga frika. Kjo s'shkon. Kjo s'ka të ngjarë. Kjo është nonsens.

-E ke gabim, tha miku. Sistemi ynë i sotëm i ngritur mbi gërmadhat e Diktaturës duke dalë nga një siguri e rrejshme menjëherë në një pasiguri lebetitëse, shkakton një frikë prej së cilës nuk shpëton dot kurrsesi ndryshe, veçse duke vjedhur.

Mu errën sytë. Fryma mu mor. Zemra desh më ndali.

Jo, i thashë mikut, Morali, Edukata, Etika, Ndërgjegja, janë barriera të sigurta mos me të lënë të vjedhësh.

Posi-posi, ja priti miku, bjeri legenit ti.

Atypëraty mu kujtua diçka.

Filmi rus "Baladë për Ushtarin", që mua më pëlqen sa s'thuhet, dhe Michael Douglas thotë se është filmi më i bukur në botë, fillon me një fushë lufte ku ndeshet Ushtria e Kuqe me gjermanët. Zjarr e flakë gjithandej. Nëpër fushë enden Panzera si bisha. Një panzer gjerman ndjek një ushtar rus. Ushtari i tmerruar nuk di nga t'ja mbajë. Ik e ik, bie në një gropë. Në gropë gjen një antitank. Antitanku ishte braktisur nga frika apo sepse ai që e kishte përdorur nuk ishte frikacak, por Hero, Dëshmor që ishte vrarë, kjo s'merret vesh në film. Me guximin e frikacakut që pas një çasti i rrezikohet jeta, ushtari rrëmben antitankun godet bishën pak metra përballë. Mes zjarrit, rrapëllimave, grrahmave, bisha ngordh. Pas pak, në të njëjtën mënyrë, ushtari ngordh edhe një bishë tjetër. E thërret Komandanti ushtarin në llogore. E falenderon. Aljosha, ushtari, ja pret: Shoku komandant, nuk meritoj asnjë dekoratë. Nuk jam trim. Jam frikacak. Dy tanket i shkatërrova nga frika. Nuk meritoj asnjë dekoratë. Më jep dy ditë leje të iki në fshat të çmallem me nënën dhe ta zë me zift pikë e çatisë që rrjedh ujin e shiut.

Komandanti që s'u beson veshëve kthehet nga oficerët e lartë që e rrethojnë, dhe u thotë që ta dëgjojë edhe ushtari frikacak-trim:

Të kishim ca ushtarë të tjerë të shkatërronin  pancerët nga frika, këtë luftë do e kishim fituar me kohë.

Dhe kthehet nga djaloshi ushtar;

-Të dyja djalosh. Dekoratë, dhe dy ditë leje të çmallesh me Nënën dhe të zësh me zift vrimën e çatisë.
Filmi mori disa çmime botërore. Për interpretimin maestoz emrin e protagonistit ja vunë një ylli në qiell, e të tjera e të tjera.
Kaq për filmin, se bytha juj që keni ra n'internet si jevgu që ra në kos dhe lyu bythën, merreni me gjëra të rëndësishme, me postime, komente, lajka, s'keni kohë për gjëra të bukura.

Nga frika u bëkan pra heroizma, u merrkan dekorata, leje për të zënë vrima, si s'u vidhkan ca kilometra rrugë të qelbëta. Mu duk se miku kishte të drejtë.

-Më gjej, i them lum mikut, ndonjë gjë ta vjedh nga frika se mbeta gjith jetën me biberon në gojë.

-Mos u tall, tha miku. Ta thash dhe po ta përsëris: Në këtë vend hajdutësh, të ndershmit vjedhin nga frika. Kaq gjë nuk të falet të mos e dish. Filmi rus me ushtar frikacak që shkatërron tanke çeliku, e provon. Ajo që mua më mahnit dhe të lus të mos më lësh të vdes pa ma ftillu, është pyetja: Si ka mundësi që ky vend heroik me banorë rakipirës dhe pilafngrënës, sa më tepër vidhet, aq më i pasur bëhet ?!

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?