Eduard Zaloshnja: 2/3 vlerësojnë pozitivisht SPAK-un, 3/5 Gjykatën Kushtetuese

17 Korrik, 10:16| Përditesimi: 17 Korrik, 11:46

  • Share

Pas mbarimit të raportimeve të organeve të drejtësisë në Kuvendin e Shqipërisë, zhvillova një sondazh të shpejtë rreth tyre, duke e dërguar linkun e pyetësorit me SMS krejt të rastësishme, të shpërndara proporcionalisht në të gjithë territorin e vendit. Pasi pyetësorin e plotësuan 1100 banorë të rritur, kampionin e ripeshova statistikisht, në mënyrë që ta përfaqësonte popullsinë e rritur të këtushme sa më mirë gjeografikisht, demografikisht dhe politikisht. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor rezultoi plus/minus 3.1%.

Më poshtë vijojnë rezultatet e sondazhit.

Pyetjes “Çfarë vlerësimi keni për punën e SPAK-ut në përgjithësi?”, 2/3 e të anketuarve iu përgjigjën “Pozitiv” (50.7%) ose “Anoj pozitiv” (16.1%), ndërsa 1/3 iu përgjigjën “Negativ” (18.3%) ose “Anoj negativ” (14.9%).

Vlerësimi për punën e SPAK-ut ndryshonte sipas simpatisë që kishin të anketuarit për katër politikanët kryesorë. Kështu, mbi 4/5 e simpatizantëve të Ramës ishin në krahun pozitiv të vlerësimit. Gjithashtu, mbi 3/4 e simpatizantëve të Bashës dhe e jo-simpatizantëve ishin në krahun pozitiv të vlerësimit. Nga ana tjetër, pothuaj 9/10 e simpatizantëve të Berishës dhe të Metës ishin në krahun negativ të vlerësimit (shihni tabelën më poshtë).

Pyetjes “Çfarë vlerësimi keni për punën e Gjykatës Kushtetuese në përgjithësi?”, 3/5 e të anketuarve iu përgjigjën “Pozitiv” (50.1%) ose “Anoj pozitiv” (10.2%), ndërsa 2/5 iu përgjigjën “Negativ” (21.3%) ose “Anoj negativ” (18.4%).

SHËNIM: Nuk kishte diferenca të ndjeshme statistikisht në vlerësim sipas orientimit politik të të anketuarve.

Pyetjes “Çfarë vlerësimi keni për punën e Gjykatës së Lartë në përgjithësi?”, rreth 4/7 e të anketuarve iu përgjigjën “Pozitiv” (40.6%) ose “Anoj pozitiv” (15.5%), ndërsa rreth 3/7 iu përgjigjën “Negativ” (24.5%) ose “Anoj negativ” (19.4%).

SHËNIM: Kishte një anim të lehtë majtas politikisht në vlerësim pozitiv të të anketuarve.

Pyetjes “Çfarë vlerësimi keni për punën e prokurorive të qarqeve në përgjithësi?”, pothuaj gjysma e të anketuarve iu përgjigjën “Pozitiv” (30.8%) ose “Anoj pozitiv” (18.3%), ndërsa pjesa tjetër iu përgjigjën “Negativ” (34.5%) ose “Anoj negativ” (16.4%).

SHËNIM: Nuk kishte diferenca të ndjeshme statistikisht në vlerësim sipas orientimit politik të të anketuarve.

Pyetjes “Çfarë vlerësimi keni për punën e gjykatave të qarqeve në përgjithësi?”, vetëm 1/3 e të anketuarve iu përgjigjën “Pozitiv” (17.3%) ose “Anoj pozitiv” (16.1%), ndërsa 2/3 iu përgjigjën “Negativ” (51%) ose “Anoj negativ” (15.6%).

SHËNIM: Nuk kishte diferenca të ndjeshme statistikisht në vlerësim sipas orientimit politik të të anketuarve.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?