(Analizë në kuadrin e një cikli paraprak analizash elektorale për 12 qarqet e Shqipërisë)
Qysh kur në Shqipëri u adoptua sistemi zgjedhor rajonal (ku në secilin qark zhvillohet garë më vete), PS-ja është luhatur mes 9 dhe 10 mandateve parlamentare në Qarkun Fier, të cilit i kanë takuar 16 mandate gjithsej deri më sot. Kështu, më 2009 dhe 2013 ajo mori 9 mandate parlamentare në qark, më 2017 mori 10 mandate, dhe më 2021 mori përsëri 9.
Por shumë ujë ka kaluar në Lumin Seman qysh atëherë. Kështu, numri i shtetasve që figurojnë në regjistrin e Gjendjes Civile të qarkut është pakësuar në krahasim me qarqet e tjera.
Si rezultat, gjasat janë të mëdha që Qarku Fier të mbetet me 15 mandate parlamentare, nga 16 që kishte deri më 2021. Gjithashtu, LSI-ja, e cila ka qenë e fortë në këtë qark në zgjedhjet paraardhëse, është dobësuar kohët e fundit, ndërsa PDIU-ja duket se do të futet në zgjedhje në bashkëpunim me PS-në.
Në zgjedhjet lokale të 2023-shit, 6 kandidatët për kryebashkiakë të PS-së morën 63% të votave gjithsej në qark. Një rezultat me rritje të ndjeshme ky në krahasim me 2021-shin, kur kandidatët për deputetë të PS-së morën vetëm 52.7% të votave në qark. Të mos harrojmë që në ato zgjedhje PS-ja mori 8,412 vota më shumë seç i duheshin matematikisht për 9 mandatet që siguroi në Qarkun e Fierit.
Duke analizuar të dhënat e 580 qendrave të votimit në Qarkun Fier në zgjedhjet e 4 vjetëve të fundit, rezulton se PS-ja është më afër 10 mandateve, sesa 9 mandateve në qark.
SHËNIM: Në qoftë se PDIU-ja (e cila ka përkrahje të qëndrueshme në Qarkun Fier) futet në koalicion me PS-në, rritet probabiliteti që PS-ja t’i arrijë 10 mandatet në qark.