Pas vitit 1988 në SHBA, kandidatët presidencialë demokratë kanë marrë më shumë vota në rang kombëtar se sa ata republikanë (me përjashtim të vitit 2004), por në 3 nga 8 zgjedhjet e fundit presidenciale, kanë qenë këta të fundit që e kanë fituar mandatin presidencial. Kjo ka ndodhur sepse, sipas kushtetutës amerikane, mandatin presidencial nuk e fiton kandidati me më shumë vota në rang kombëtar, por ai që ka më shumë elektorë të tij në Kolegjin Elektoral.
Kolegji Elektoral përcaktohet nga zgjedhjet presidenciale çdo 4 vjet në SHBA, dhe përbëhet nga 538 elektorë të 50 shteteve të federatës amerikane (numri i elektorëve për secilin shtet varet nga popullsia e çdo shteti). Në shtetet ku fiton një kandidat demokrat, caktohen elektorë të përzgjedhur prej tij. Ndërsa në ato ku fiton një kandidat republikan, caktohen elektorë të përzgjedhur prej tij*. Për t’u shpallur fitues, njëri nga kandidatët në garë duhet të ketë të paktën 270 elektorë që votojnë për të.
Kështu, në vitin 1992, kandidati demokrat grumbulloi 5.8 milionë vota më shumë se kandidati republikan në rang kombëtar, ndërkohë që siguroi plot 370 elektorë në Kolegjin Elektoral (nga 270 që i duheshin për mandatin presidencial).
Në vitin 1996, kandidati demokrat grumbulloi 8.2 milionë vota më shumë se kandidati republikan në rang kombëtar, ndërkohë që siguroi plot 379 elektorë në Kolegjin Elektoral (nga 270 që i duheshin për mandatin presidencial).
Në vitin 2000, kandidati demokrat grumbulloi 544 mijë vota më shumë se kandidati republikan në rang kombëtar, ndërkohë që siguroi vetëm 266 elektorë në Kolegjin Elektoral (nga 270 që i duheshin për mandatin presidencial).
Në vitin 2004, kandidati demokrat grumbulloi 3 milionë vota më pak se kandidati republikan në rang kombëtar, dhe siguroi vetëm 251 elektorë në Kolegjin Elektoral (nga 270 që i duheshin për mandatin presidencial).
Në vitin 2008, kandidati demokrat grumbulloi 9.6 milionë vota më shumë se kandidati republikan në rang kombëtar, ndërkohë që siguroi plot 365 elektorë në Kolegjin Elektoral (nga 270 që i duheshin për mandatin presidencial).
Në vitin 2012, kandidati demokrat grumbulloi pothuaj 5 milionë vota më shumë se kandidati republikan në rang kombëtar, ndërkohë që siguroi plot 332 elektorë në Kolegjin Elektoral (nga 270 që i duheshin për mandatin presidencial).
Në vitin 2016, kandidatja demokrate grumbulloi 2.9 milionë vota më shumë se kandidati republikan në rang kombëtar, ndërkohë që siguroi vetëm 227 elektorë në Kolegjin Elektoral (nga 270 që i duheshin për mandatin presidencial).
Në vitin 2020, kandidati demokrat grumbulloi 7 milionë vota më shumë se kandidati republikan në rang kombëtar, ndërkohë që siguroi plot 306 elektorë në Kolegjin Elektoral (nga 270 që i duheshin për mandatin presidencial).
Aktualisht harta e Kolegjit Elektoral tregon një epërsi të lehtë për Kamala Harris (276-262), bazuar në të gjitha sondazhet e kryera nëpër shtetet të ndryshme të federatës amerikane (të përmbledhura nga RealClearPolitics). Por kjo hartë ka ndryshuar nga dita në ditë gjatë javëve të fundit, dhe mund të ndryshojë përsëri deri më 5 nëntor…
*Washington, DC, edhe pse nuk e ka statusin e shtetit, dërgon 3 elektorë në Kolegjin Elektoral. Vetëm shtetet Maine dhe Nebraska dërgojnë elektorë sipas një parimi të përafërt proporcional. Kudo tjetër, përdoret parimi mazhoritar (kush fiton qoftë edhe me 0.01% në një shtet, siguron gjithë elektorët e atij shteti).