Këte sezon televiziv, zhvillova 9 sondazhe mujore politike për Report TV. Çdo muaj sondazhi kishte 3 pyetje specifike të secilit muaj dhe 4 pyetje që përsëriteshin çdo muaj, për të parë sesi luahteshin kuotat nga muaji në muaj. Ndër këto pyetjet e fundit, më të rëndësishmet ishin “Për cilin nga katër politikanët kryesorë keni opinionin më pozitiv?” dhe “Nqs zhvillohen sot zgjedhje parlamentare, për kë do të votonit?”
Meqë në çdo sondazh bëra ripeshim statistikor të kampionit (që ta përfaqësonte sa më mirë popullsinë e rritur gjeografikisht, demografikisht e politikisht), isha në gjendje të ekstrapoloja përafërsisht numrin e banorëve të rritur për çdo përgjigje të pyetjeve të mësipërme. Duke i përmbledhur këta numra në grafikët e mëposhtëm, krijohet një tablo se si janë luahtur kuotat gjatë 9 muajve të fundit.
Tek pyetja rreth politikanëve kryesorë, Edi Rama mbizotëron me diferencë të madhe nga i dyti (Berisha). Rama është luhatur nga minimumi 785 mijë simpatizantë (në nëntor), tek maksimumi 865 mijë (në maj). Berisha është luahtur nga minimumi 290 mijë simpatizantë (në janar), tek maksimumi 430 mijë (në shtator). Basha e Meta janë luahatur përkatësisht rreth shifrave 100 mijë dhe 55 mijë (shihni Grafikun 1 më poshtë).
Numri i banorëve të gatshëm për të votuar secilën nga katër partitë kryesore është luhatur në mënyrë të ngjashme gjatë 9-mujorit (shihni Grafikun 2 më poshtë). Sidoqoftë, ka patur diferenca mes numrit të simpatizantëve të liderëve nga njëra anë, dhe numrit të banorëve të gatshëm për të votuar partitë e tyre respektive nga ana tjetër. Kështu, numri i simpatiznatëve personalë të Ramës ka qenë gjithnjë më i lartë se numri i banorëve të gatshëm për të votuar PS-në.
Në muajt e fundit, numri i banorëve të gatshëm për të votuar PD-në e Berishës ka qenë më i lartë se sa numri i simpatizantëve personalë të Berishës. Ndërsa numri i simpatizantëve personalë të Bashës e Metës është luhatur rrotull numrit të banorëve që kanë qenë gati të votojnë për pratitë e tyre respektive.