Eduard Zaloshnja: Tri dallgë që priten së afërmi në terren për Policinë e Shtetit

10 Prill, 19:48| Përditesimi: 10 Prill, 19:51

  • Share

Qysh nga maji i vitit 2018, kam zhvilluar sondazhe periodike në kuadër të barometrit për opinionin e shqiptarëve mbi punën e Policisë së Shtetit, të financuara nga projekti i qeverisë suedeze SCPA dhe nga UNDP. Si rrjedhojë, e kam ndjekur edhe vetë punën e saj në terren.

Nga zhvillimet e fundit, pres tri dallgë që do të vijnë së afërmi për Policinë e Shtetit.

Së pari, pas amnistisë penale të votuar me shumicë absolute në Kuvendin e Shqipërisë dhe të dekretuar nga Presidenti i Republikës, rikthehen në terren rreth 700 shtetas të arrestuar gjatë operacioneve të sukseshme policore “Tempulli” dhe “Sundimi i Ligjit” – pothuaj treçereku i shiptarëve të thjeshtë i konsideronte si të suksesshme këto dy operacione në sondazhin e fundit që zhvillova për UNDP.

Dhe rikthimi në terren i të burgosurve të sipërpërmendur përbën një shqetësim për shqiptarët e thjeshtë. Kjo amnisti duhet të përbëjë shqetësim edhe për Policinë e Shtetit, e cila ka për detyrë të monitorojë në terren kontigjentin e prirur për vepra të tilla penale.

Së dyti, qeveria gjermane po diskuton për dëbimin e të gjithë emigrantëve pa pasaportë gjermane që kanë kryer vepra penale atje. Në qoftë se merret një vendim i tillë, një kontigjent jo i vogël krimi do të rikthehet në Shqipëri. Dhe ky duhet të përbëjë një shqetësim të ri për Policinë e Shtetit.

Së treti (por jo më së pakti), qeveria shqiptare ka parashikuar se do të futen këtu këtë vit mbi 14 milionë shtetas me pasaporta të huaja – mbi 40% më shumë se vjet. Ndëkohë nga analiza që bëra me specialistin IT të sondazheve të mija, më rezultoi një rritje 64% e përmendjeve të fjalëve kyç për turizmin e Shqipërisë në të gjithë internetin botëror. Edhe sikur turizmi të rritet këtë sezon 50% krahasuar me vjet (e jo 64%), do të jetë një Cunam i vërtetë për Policinë e Rendit dhe Policinë Rrugore. (Shënim: Nga një analizë e numrit të automjeteve aktive me targa shqiptare dhe atyre që futen me targa të huaja, më ka rezultuar se do të kemi mesatarisht çdo ditë rreth 1 milion mjete në qarkullim këtë verë – më shumë gjatë fundjavave).

Në pritje të dallgëve të mësipërme, qeveria duhet të mendojë për shtesë emergjente fondesh për Policinë e Shtetit, si për aparatura teknologjike, ashtu edhe për pagesa jashtë orarit për policët e thjeshtë të mbingarkuar në terren. Në tremujorin e parë, Shqipëria iu afrua Bashkimit Europian, për sa i përket indeksit të vdekshmërisë nga krimet dhe aksidentet rrugore. Është mirë që mos t’i largohet atij në tremujorët pasardhës…

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?