RealClearPolitics agregon lajme e artikuj nga mediat më të rëndësishme në SHBA (majtas e djathtas) dhe, ndër të tjera, bën edhe një përmbledhje statistikore të të gjitha sondazhve që publikohen atje (duke e përditësuar përmbledhjen me rezultatet e sondazheve më të fundit).
Nga një përmbledhje e tillë statistikore e të gjitha sondazheve zhvilluar javët e fundit në SHBA (shihni tabelat shoqëruese), rezulton se Trump është në epërsi, si në votën popullore kombëtare, ashtu edhe në 5 nga 6 shtetet ku u përcaktua fituesi më 2020 (battleground states).
Kështu, Trump ka 1.9 pikë përqindje epërsi në votën popullore kombëtare në përballje dyshe, dhe plot 4.8 pikë përqindje epërsi, në qoftë se futen në garë edhe kandidatë të pavarur.
Por vota popullore kombëtare nuk përcakton fituesin në SHBA – votat në secilin nga 50 shtetet janë vendimtare. Dhe në 5 nga 6 shtetet kyçe të garës, Trump rezulton aktualisht fitues – vetëm në Pensilvani ka një disavantazh minimal prej 0.3 pikë përqindje.
Katër vjet më parë, ishte Biden në pozita të tilla epërsie në sondazhe, dhe ai i fitoi zgjedhjet (sepse fitoi në të gjashta shtetet kyçe). Por kësaj rradhe, gjasat janë të mëdha që fitues të jetë Trump.
Dhe çfarë ndikimi mund të ketë në politikën e këtushme një fitore e këtij të fundit?
Në qoftë se i fiton zgjedhjet (siç janë gjasat), Trump do ta rifillojë punën si president më 20 janar 2025 – pesë muaj para se të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Dhe në muajt e parë të mandatit të tij të dytë presidencial, atij do t’i duhet të zëvendësojë të emëruarit aktualë politikë në administratën federale (janë rreth 6 mijë pozicione politike në admistratën federale prej 850 mijë punonjësish), ndërkohë që do t’i duhet të merret urgjentisht me kriza kombëtare e ndërkombëtare, si kriza e emigracionit ilegal nga Meksika e Amerika Latine drejt SHBA-së, kriza në Lindjen e Mesme dhe kriza e Ukrainës (për të mos folur për proceset gjyqësore të tija personale në nivel federal e shtetëror).
Me pak fjalë, kur në tavolinën e presidentit Trump (nëse zgjidhet president) do të mbërrijë ndonjë memo e shkurtër rreth Shqipërisë, mund të kenë kaluar një ose dy vjet nga mbërritja e tij në Shtëpinë e Bardhë
Duke iu kthyer historisë së mandatit të parë presidencial të Trump-it, opozita shqiptare pati pritmëri të larta për një ndëshkim të Ramës nga administrata e tij (Rama e kishte sulmuar personalisht atë në CNN). Por asgjë nuk ndodhi – reforma gjyqësore shqiptare e anatemuar aq shumë nga opozita u mbështet fuqimisht nga amabasadori i emëruar prej Trump-it dhe zgjedhjet e bojkotuara nga opozita të 2019-ës u njohën nga administrata Trump.
Ata opozitarë që ëndërrojnë sot se presidenti i ardhshëm Trump do t’i sjellë në pushtet, duhet të mos flenë mbi dafina, por të punojnë me këmbë në tokë. Thjesht duhet të kujtojnë se sa pak përfituan nga Trump-i kur ishte në Shtëpinë e Bardhë…
Vetëm në qoftë se ndërtohet një koalicion i madh opozitar (për të tejkaluar murin elektoral 800-mijësh të Ramës), opozita mund të ketë ndonjë farë shprese për të ardhur në pushtet.