Selia e PD

Edvin Kulluri: Çfarë (s) na mban bashkë!

17 Janar 2022, 09:51| Përditesimi: 17 Janar 2022, 09:54

  • Share

Të dashur miq! Kriza e PD është sa krize demokracie aq edhe krizë politike. Demokracie pasi në PD prej shume vitesh procedura e zgjedhjes së lirë është kthyer ne kujtim të largët dhe pushtetit ushtrohet nga një person i vetëm pa asnjë kufizim!

Por është po aq politike pasi arsyet që na mbajnë bashkë në të njëjtën parti janë pothuaj zero përveç një historie të përbashkët dhe asgjë me shume. Biles për kryetarin aktual por edhe ish kryetarin as historia nuk na qenka më e përbashkët pas 9 shtatorit! Fakti që Berisha nga “lider historik” u shndërrua ne “llum të tranzicionit” bashkë me të gjithë politikanët e PD që janë rreshtuar kundër Bashes është i qartë! Po ashtu Basha në krahun tjetër nga “ministri më i suksesshëm” që medemek kishte liberalizuar vizat, hapur negociatat me BE dhe futur Shqipërinë në NATO tashme është veçse Lul Nuli, tregon po ashtu të njëjtin qëndrim mohues ndaj historisë së qeverisjes së PD!

Fakti është se Berisha përfaqëson me uljet e ngritjet e veta një histori që anon më shume nga suksesi sesa nga dështimet, ndërsa Bashës i dhamë mundësinë për t'u bere lideri që nuk u bë kurrë!

Atëherë çfarë na mbante bashke apo me saktë çfarë i mbante bashkë ata që tashmë edhe të shkuarën e mohojnë si arsye e bashkimit nën siglën e Partisë Demokratike? Mesa duket vetëm interesa pushteti dhe një pragmatizëm i zhveshur nga morali! Dhe pa moral nuk ka bashkëjetesë!

Ne na mungon një kontratë bashkëjetese ndërtuar mbi vlera, besime, histori dhe idesh e vizioni të përbashkët!

A munden palët që po mohojnë historinë e vetes dhe kundërshtarëve në parti e vetë partisë të ndërtojnë të ardhmen? JO! Çdo projekt që nis gabim do përfundojë gabim!

Lul Basha është i vdekur politikisht dhe kjo çështje është e sigurt! Shumica e anëtarëve te PD nuk e duan për kryetar dhe pike! Por në krahun tjetër Berisha dhe shume prej anëtarëve të Komisionit te Rithemelimit kanë qëndruar pasiv ndaj përdhosjes së votës, mendimit dhe veprimit të lirë gjatë viteve të fundit, deri më 9 shtator!

Statuti që prezantova me zonjën Harxhi në Kuvendin Kombëtar të vitit 2018 u votua kundër në Këshillin Kombëtar dhe Kuvend nga të gjithë ata që ndryshuan mendim në shtatorin e vjetshëm! Nuk kuptonin, nuk dëgjonin apo s’kishin kurajë se u prishej rehatia e konformizmit? Po demokratët ku përfunduan pas refuzimit të një projekti demokratizues dhe konservator? Me 26 prill opozita e paralajmëruar humbi zgjedhjet e përgjithshme për herë të dytë! Domethënë: 12 vite opozite, sa asnjëherë tjetër!

Po tani?! Tani na thuhet “na falni”! Po na thuhet se “do fitojmë si njëherë e një kohe”! Po këtë të shkuar Lulzim Polici e shkeli, e përdhosi dhe e flaku si leckë duke e quajtur “republikë të vjetër”! Dhe ata që sot bërtasin “Luli ik”, ulnin kokën dhe heshtin! “Fajin” e kishim ne: kritikët! Çfarë s’na thane! “Të shitur, karrigethyer, hajdutë” e lloj-lloj gënjeshtrash që fshihnin të vërtetën e madhe! PD e drejtuar nga një autokrat i pafytyrë që sot ka mbyllur PD me dyer të blinduara, e denoncuam dhe e rivalizuam në zgjedhjet e 13 qershorit 4 vite pa pushim!

Por më keq akoma edhe sot ka ende deputete qe “s’janë me asnjë” e bëjnë si mjeshtra duke kërkuar hapësirë për veten e tyre në mes!

Në mes qëndrojnë vetëm njerëz te vegjël në kohë krizash të mëdha! Frikacaket dhe dallkaukët që duan të bëjnë pazar mbi krizën më të rëndë të historisë së PD!

Ata qe hyjnë në garë “po iku Berisha”, përndryshe qëndrojnë në cepin e ngrohte të llogarive të një partie që edhe mund të ndahet përfundimisht!

Te dashur miq!

Partia Demokratike nuk ka pse dhe nuk duhet të ndahet pse u ndanë disa ortake në hipokrizi! PD është e demokrateve ose përndryshe nuk ka arsye të mbijetoje!

Ndaj unë do të qëndroj deri ne fund me parimet e mia për një parti që mund të shpëtojë vetëm me zgjedhje të lira dhe debat të hapur në çdo strukturë! Dhe me një projekt konservator për të cilin kam folur që në 2016 dhe luftuar me statutin e 2018!

Mos u shtyni për një karrige në salla që të ndarë do na çojnë në humbje të sigurt në zgjedhjet e ardhshme! Kur ishin bashke nuk fituan dot as në 2017 e as 2021, e jo me tani që janë ndarë!

Ndaj e vetmja zgjidhje është të rikthehemi tek vlerat që mund të na bashkojnë por jo përmes hipokrizisë që na sollën në këtë ditë! Por duke besuar me përulësi e vërtetësi dhe vendosmëri!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?