Arthur Finkelstein ishte konsulenti i parë politik amerikan që aplikoi strategjinë elektorale të “votimit refuzues”. Duke e filluar karrierën e tij si konsulent rishtar i Barry Goldwater në mes të viteve ’60, ai u bë më vonë strategu i fushatave që sollën në pushtet Niksonin e Reganin në SHBA, Netaniahun në Izrael, dhe së fundmi, Orbanin në Hungari (Shënim: Në vitet 2000 Finkelsteini ka qenë konsulent elektoral edhe i Edi Ramës).
Pas një studimi të thellë të rezultateve elektorale dhe të sondazheve politike, Finkelsteini arriti në përfundimin se sinoret elektorale janë pak a shumë të përcaktuara para çdo palë zgjedhjeje. Për këtë arsye, mendonte ai, përpjekja për ta rritur sinorin tënd elektoral është humbje e kotë parash dhe energjie, sepse me më pak para dhe energji, mund ta tkurrësh sinorin e kundërshtarit nëse arrin ta demonizosh atë. Sipas tij, votuesve të kundërshtarit mund t’ua mbushësh më lehtë mendjen ta refuzojnë atë (duke mos marrë pjesë në votim), se sa t’i bindësh të votojnë për ty. Ndërkohë, votuesve të tu u bëhet zemra mal, kur demonizohet kundërshtari, mendonte Finkelsteini.
Ndoshta pa e ditur nëse Finkelsteini ekzistonte në këtë botë, Berisha ka qenë një zbatues i strategjisë së tij qysh në fillimet e veta në politikë. Dhe zbatues të kësaj strategjie kanë qenë të gjithë politikanët e rëndësishëm shqiptarë të tri dekadave të fundit.
Gjë që na sjell tek protesta e 16 shkurtit, e shpallur nga Lulzim Basha si protesta që do të rrëzojë qeverinë Rama. Në fakt, asnjë protestë në dy dekadat e fundit nuk ka arritur të rrëzojë ndonjë qeveri në Shqipëri. Dhe kjo ka ndodhur sepse kanceleritë perëndimore, të djegura nga qulli i destabilitetit të 1997-ës, i fryjnë fort kosit të çdo proteste në Shqipëri (Për shembull, PD-ja zaptoi praktikisht të gjitha institucionet shtetërore gjatë protestës së 14 shtatorit 1998, por u detyrua të tërhiqej, pas trysnisë perëndimore).
Gjasat janë që edhe protesta e 16 shkurtit mos ta rrëzojë qeverinë Rama; si të gjitha të të tjerat në dy dekadat e fundit. Por sidoqoftë, ajo i shërben strategjisë së opozitës për demonizimin e Ramës. Duke u zhvilluar fill pas remontit kapital të qeverisë (më shumë se gjysma e ministrave u zëvendësuan), protesta jep mesazhin se problemi nuk ishin ministrat që ikën, por është vetë “demoni” Rama. Sipas opozitës, me të në krye të qeverisë, do të vazhdojë korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar e me oligarkët, në dëm të shqiptarëve të thjeshtë.
Synimi i protestës nuk duket se do të jetë mbushja e mendjes së votuesve të majtë, se Basha mund të qeverisë më mirë se Rama; qëllimi ndoshta është t’i bindë votuesit e majtë të lëkundur, që ta refuzojnë Ramën, duke mos votuar më për të e për kandidatët e tij në zgjedhjet e rradhës. Gjithashtu, nuk duket se do të jetë synim i protestës që të entuziazmojë votuesit e djathtë të votojnë për Bashën, por që t’i energjizojë ata të votojnë kundër Ramës, si e keqja më e madhe për vendin.
Sidoqoftë, strategjia e demonizimit të kundërshtarit përmes protestave ka rrezikun e vet. I entuziazmuar nga militantët e shumtë, të sjellë me autobuza nga e gjithë Shqipëria, Basha mund të kalojë në kërkesa ultimative për largimin e Ramës. Dhe në qoftë se e bën një kërkesë të tillë ultimative gjatë protestës, kur do të transmetohet drejtpërdrejt nga të gjitha televizionet, nuk mund të ketë më kthim pas.
Në këtë rast, do të përsëritej skenari i para dy vjetëve, kur Basha nuk pranonte të futej në zgjedhje me Ramën kryeministër, por në fund u ul e bëri marrëveshje me të, i detyruar nga trysnia perëndimore. Dhe rezultatin e atij skenari e dimë të gjithë. Partitë e djathta u tkurrën me 220 mijë vota; nga kuota e 680 mijë votave (që kishin patur më 2013-ën), zbritën deri në kuotën e 460 mijë votave…
Basha do jete gjithmone nje kopjac i keq dhe sic dihet me kopjacet asnjehere nuk dalin si te pere jan si hije e keqe e shoqerise qe duan vetem te fitojne pa bere gje dhe sa per ty o i pavarur te lutem te lutem shume mos se zdi cfare thua jo per gje.
Përgjigju..pse nuk pret zgjedhjet e ta masi sa i vlen Lekura..,Lulush Berishovici!?-kjo Shumice eshte votuar nga gati 75% e Shqiptareve(ata qe e kane ushtruar Te Drejten e Detyrimin e tyre Demokratik)
Përgjigju