Eja me mua të punojmë infermierë në Gjermani

1 Prill 2019, 21:38| Përditesimi: 1 Prill 2019, 21:42

  • Share

Të kujtohet edhe ty besoj, çfarë kohësh vibruese kanë qenë. Fukarallëku na kishte lëshuar alga në stomak por mendjen dhe shpresat i kishim të kthjellëta. Po syrgjynosej komunizmi dhe ëndrrat tona prej adoleshentësh ngjyroseshin çdo ditë me ngjyrat më feksëse që mund të imagjinonte çdo qenie humane. Edhe tani të freskëta i kam ato kujtime kur politikanët e kohës na takonin, e na flisnin, e na yshtnin, e na jepnin kurajo. Kjo histori ka ndodhur 28 vjet më parë dhe ne i dëgjonim me ëndje.

Vinte Sali Berisha e na ulëriste: Ju jeni shpresa, jeni e ardhmja e Shqipërisë. Nesër kur ne të plakemi, ju do rriteni e do i merrni në dorë fatet e Atdheut!
Ikte Saliu, vinte Gramoz Ruçi e na ulëriste: Ju jeni shpresa, jeni e ardhmja e Shqipërisë. Nesër kur ne të plakemi, ju do rriteni e do i merrni në dorë fatet e Atdheut!

Pas Gramozit vinte Ilir Meta e na ulëriste: Ju jeni shpresa, jeni e ardhmja e Shqipërisë. Nesër kur ne të plakemi, ju do rriteni e do i merrni në dorë fatet e Atdheut!
Vendin e Ilir Metës e zinte Skënder Gjinushi dhe ky nuk ia përtonte e na ulëriste: Ju jeni shpresa, jeni e ardhmja e Shqipërisë. Nesër kur ne të plakemi, ju do rriteni e do i merrni në dorë fatet e Atdheut!

Pastaj doli në skenë Edi Rama dhe me zërin e tij të trashë na ulëriste: Ju jeni shpresa, jeni e ardhmja e Shqipërisë. Nesër kur ne të plakemi, ju do rriteni e do i merrni në dorë fatet e Atdheut!
15 vjet më parë u shfaq një lloj Luli, Luli me model flokësh allkapa e pavarësisht se kishte zërin e hollë na bërtiste edhe ky: Ju jeni shpresa, jeni e ardhmja e Shqipërisë. Nesër kur ne të plakemi, ju do rriteni e do i merrni në dorë fatet e Atdheut!

Pataj shfaqeshin të tjerë me rradhë Genc Pollo, Musa Ulqini, Luan Rama, Petrit Vasili, Paskal Milo, Vangjel Dule, Famir Mediu dhe njëzëri të gjithë na bërtisnin:
Ju jeni shpresa, jeni e ardhmja e Shqipërisë. Nesër kur ne të plakemi, ju do rriteni e do i merrni në dorë fatet e Atdheut!...

Eh sa kohë kanë kaluar qysh atëherë. Ishte viti 1991, unë dhe moshatarët e mi ishim adoleshentë 18 vjeçarë ndërkohë sot jemi bërë 46 vjeç dhe e ardhmja jonë nuk po duket gjëkundi. Askush nga ata që na bërtisnin dje nuk janë larguar nga tregu politik.

Tani që po shkruaj, lexoj lajmet e botës dhe shoh që në Sllovaki, Ukrainë, Turqi politika mbrëmë ka pësuar ndryshime radikale. Emra të rinj guxuan të trondisin establishmentet e mykura dhe po marrin ne dore qeverisjen lokale apo kombetare.

Gjithesesi si shqiptar që jam, ndihem me fat. Po sikur Enver Hoxha të ishte ende gjallë? Sali Berisha do ishte ministër shëndetësie, Edi Rama ministër kulture ndërsa unë do ndaja të njëjtën qeli me Spartak Ngjelën në burgun e Spaçit! 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?